Tefta Cami-Cani: Homazh për heroin legjendar, Adem Jashari, simbol i qëndresës mbarëkombëtare!

Më 26 dhjetor të vitit 2012 vizitova “Kompleksin Përkujtimor Adem Jashari” dhe 56 memorialet e të rënëve më 5. 6 dhe 7  mars të vitit 1998 tek Kulla e Jasharëve  në fshatin Prekaz të komunës së Skënderajt dhe të krahinës së Drenicës. Drenica përfaqëson në kujtesën e mbarë shqiptarëve simbolin e rezistencës dhe të qëndresës të shpirtit të kombit. Qëndresa e sakrifica sublime e familjes Jashari në Prekaz ishte dhe mbetet preludi i luftës çlirimtare e i qëndresës së popullsisë shqiptare të Kosovës, që kurorëzoi fitoren zulmëmadhe të shpalljes së Pavarësisë, të cilën e realizoi lufta e vendosur e luftëtarëve të lirisë të UÇK-së dhe të forcave të NATO-s, si dhe nga mbështetja ndërkombëtare e aleatëve tanë të mëdhenj si SHBA e Anglia dhe të shumë vendeve të tjera.

   U përlota dhe me përshkoi një angushi. Në gojëdhënat popullore thuhet, se edhe gjarpri nuk të kafshon, kur je në gjumë, apo kur je duke shuar etjen … Por atë që s’e bën specia e gjarpërinjve, e bëjnë njerëzit dhe politikat antihumane shoviniste, siç ka qenë e vazhdon të jetë ajo e Serbisë. Qeveria e Milosheviçit qe një vazhdë e recidive e politikave antishqiptare të së kaluarës dhe një kundër rryme e frymës së të sotmes, që e futi popullin e tij në një luftë vëllavrasëse në një kohë, që e gjithë bota e qytetëruar aspiron liri e demokraci dhe barazi shoqërore e kulturore midis popujve e vendeve dhe synon e lufton për integrime të mëdha globale, rajonale, evropiane dhe botërore.

     Askush nuk mund të mos emocionohet dhe të mos derdh lot ngashërimi, kur shikon 56 varre të të rënëve për një ditë apo brenda 24 orëve nga forcat e blinduar e të armatosur deri në dhëmbë të policisë e ushtrisë serbe, që e kishin rrethuar e sulmuar Kullën krenare me armatimet më të rënda të kohës…! Asnjë nuk do të mund të qëndronte i heshtur e të mos përlotej apo të mos zinte kujën me ligje, kur dëgjon se nga pjesëtarë të familjes Jashari,  prej moshës 9 e deri në 74 vjeç kanë rënë në atë kullë brenda shtëpisë së tyre vetëm e vetëm për t’u vetëmbrojtur…! Asnjë nuk mund të qëndrojë pa iu rrëqethur trupi e pa përjetuar mornica, kur sheh mermerin e shtruar me ngjyrë të kuqe që fillon nga kulla e Jasharëve e deri tek mesi i varrezave, si dëshmi e rrëkesë së gjakut që ka rrjedhur si lum në atë luftë antinjerëzore e fatale…!!! Askush nuk mund të mos nxjerrë mësime nga kjo tragjedi, se për të fituar e mbrojtur lirinë e pavarësinë duhet të udhëhiqesh nga idealet e mëdha kombëtare, duhet luftë e sakrifica, duhet qëndresë e palëkundur dhe përkushtim i madh.

   Jeta e Adem Jasharit qe e shkurtër, por e mbushur me heroizma. Njihet si pjesëmarrës e organizator i demonstratave të vitit 1981 në Kosovë me parullën “Kosova Republikë”. Është i dëgjuar si organizatorë i demonstratave të vitit 1989. Me emrin e veprimtarinë e tij intensive është krijuar LPK dhe UÇK, që afirmoi në popullsinë shqiptare të Kosovës, të Preshevës e Medvegjës dhe Bujanovcit, të Maqedonisë e të Malit të Zi moton e kohës, se kishte ardhur sahati i armatosjes dhe i luftës për liri e pavarësi të të gjithë shqiptarëve kudo që jetonin në trojet e veta, gjë që, për disa arsye, kjo pavarësi u realizua vetëm për krahinën e Kosovës.

   Po bëhet një traditë që, kushdo që shkon në Kosovë, kalon e bën homazhe në “Kompleksin Përkujtimor Adem Jashari”, duke e shndërruar në një qendër të madhe pelegrinazhi nderimi e mirënjohje të luftës e sakrificës sublime për çështjen kombëtare. Adem Jashari si heroi legjendare i pavdekshëm përfaqëson flakadanin simbol të luftës dhe të qëndresës kombëtare, sepse la një emër të madh, që do të jehojë ndër shekuj për motivin e luftës që bëri për mbrojtjen e çështjes kombëtare. Kulla e tij dhe dhoma muze si dhe 56 memorialet e të rënëve janë e do të jenë një akademi e madhe edukimi atdhetar për të gjithë brezat e shqiptarëve, për t’u treguar se kush derdh gjakun për liri e pavarësi dhe për Atdhe mbeten në jetë të jetëve të pavdekshëm. Me siguri Kompleksi Përkujtimor Adem Jashari do të shndërrohet në një tempull mbarëkombëtare dhe do ta shpallin muze Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës dhe e Republikës së Shqipërisë, duke e marrë në mbrojtje e ruajtje nga të dy shtetet shqiptare.

  Adem Jashari ka ndjekur traditën e të parëve të tij dhe të krahinës së Drenicës e të Skënderajt, si dhe të të gjithë shqiptarëve. Prandaj edhe populli tregon për bëmat heroike të tij si dhe i vajton së bashku me ligje të rënët ndër shekuj për liri të asaj krahine. E lidhin me idetë e jetën e Hasan Prishtinës, me trimëritë e Azem e Shote Galicës, me besën e guximin e trimave të Kosovës kreshnike, me ndjenjën e sacrificës sublime e të qëndresës heroike të popullsisë shqiptare të Kosovës, të luginës së Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit, të Maqedonisë e të Malit të Zi… Edhe unë i vajtova bashkë me katër brezat e paraardhësve të mi të rënë dëshmorë për mbrojtjen e çështjes kombëtare. Por mora guxim dhe u mbusha me krenari për djemtë e vajzat trime, që kanë lindur e rritur nënat shqiptare.

   Tradita e luftës vetëmbrojtëse dhe e qëndresës nuk shuhet. Ajo vazhdon. Pasardhësit e Adem Jasharit u rreshtuan në radhët e UÇK që nga Shqipja, Bashkimi,  Sahiti, Musa, Hatixhja, Xhemilja e Ragipi… dhe luftuan deri sa u çlirua Kosova. Ju uroj dhjetë anëtarëve të familjes Jashari që jetojnë si Rifatit, Ilirjanës, Muratit, Bekimit, Lulëzimit, Bashkimit, Shqipes, Besartës, Fazliut dhe Marigonës, të kenë jetë të gjatë dhe të jenë krenarë për paraardhësit e tyre, duke e vazhduar traditën e atdhetarizmit edhe në kuadrin e integrimeve rajonale e evropiane. Jeni ju dhe mijëra e mijëra pasardhës të të rënëve në Kosovë e Shqipëri dhe viset e tjera shqiptare, që do ta ruani e mbroni frymën e atdhetarizmit të  shqiptarëve, ashtu siç veprojnë kombet e tjera të qytetëruara.

   Shqiptarët nuk e kanë dashur dhe nuk e duan luftën e shkatërrimin. Luftërat na i kanë imponuar të tjerët, na i kanë imponuar pushtimet e huaja. Prandaj edhe kombit shqiptar i është dashur të përfshihet ndër luftëra për vetëmbrojtje të trojeve dhe të etnisë historiko-kulturore dhe identitetit të tij. Fryma e deheroizimit që po përhapet nga segmente të caktuara në kuadrin e rishkrimit të historisë të popullit shqiptarë, për të  hequr konfliktet e shtrembëruar motivet e shkaqet e konflikteve e të luftërave, janë në dëm të kombit shqiptarë. Historia e kaluar nuk mund të ribëhet, sepse ajo është bërë një herë, dmth, ajo periudhë ka qenë dhe ato ngjarje janë zhvilluar. Por çdo brez ka të drejtë ta rishkruajë duke e pasuruar me dokumente e argumente  të reja.

  Sulmi mbi kullën e Adem Jasharit dhe gjakderdhja e bërë më 5.6 dhe t mars të vitit 1998 është një aktakuzë e gjallë e gjithmonë aktuale dhe dëshmi makabre për masakrat serbo mëdhenj ndaj popullsisë etnike shqiptare. Krimet e bëra nga Serbia në kohën e Milosheviçit si dhe më parë ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë e viset e tjera shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi, si dhe në luginën e Preshevës e Medvegjës dhe Bujanovcit, si dhe shpërnguljet biblike, që ka pësuar popullsia shqiptare nga trojet e veta gjatë më se një shekulli, janë dhe mbeten akte kriminale të gjenocidit më të egër, që është ushtruar vazhdimisht ndaj kombit shqiptar.

    Znj. Carla Del Ponte dhe z. Dick Marty kanë dalë në mbrojtje të gjenocidit të shovinizmit serb, duke u përpjekur të krijojnë mjegull e tymnajë për të ballancuar krimet e gjenocidin e serbo mëdhenjve me të ashtuquajtura krime të shqiptarëve. Nuk qenë shqiptarët e Kosovës që sulmuan popullsinë serbe në Beograd apo diku gjetkë, por qenë forcat policore e ushtarake serbe që erdhën e sulmuan popullsinë e pafajshme e të pambrojtur shqiptare në Kosovë. Qenë pikërisht ato forca që sulmuan kullën e Adem Jasharit dhe vranë 21 pjesëtarë të familjes deri edhe fëmijë e gra. Do të jetë mirë si për popullsinë shqiptare ashtu edhe për popullsinë serbe, që të zbardhen të vërtetat dhe krimet e rënda kundër njerëzimit, që janë bërë nga shovinistët serb dhe të distancohen nga ato lloj krimesh, duke kërkuar falje. Trillimet, alibirat e sajesat janë në dëm të popullit serb. Popullsia shqiptare, megjithëse e ka pësuar gjenocidin në kurriz, ka ditur dhe do të di të falë, për t’ia filluar një jete të re drejt progresit dhe integrimeve mbarëkombëtare, rajonale dhe evropiane.

   Popullsia shqiptare në Kosovë aktualisht zë 93 % të popullsisë, ndërsa popullsia tjetër janë minoritet serb e malazez, boshnjakë e rom, turk etj., siç janë grupuar edhe në regjistrimet e fundit etj. Ky raport i popullsisë ku 93 % e popullsisë janë shqiptare tregon se Republika e Kosovës nuk është shtet multietnik.

 (Tefta Cami-Cani-ish-Ministre e Arsimit dhe e Kulturës e Shqipërisë)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …