Me 20 korrik të vitit 1973 Haxhi Lleshi erdhi në mbledhjen e Byros së Partisë të rrethit të Dibrës e më përjashtuan nga partia me motivacionin, për mohim të sukseseve të partisë të rrethit të Dibrës, që ishte Heroinë e Punës Socialiste, për zbutje të luftës së klasave, për mendjemadhësi e shfaqje të intelektualizmit dhe biografi të keqe, siç edhe u shpreh në mbledhje Haxhi Lleshi, se Tefta është vajzë parie, babai i saj, Ahmet Cami ka qenë zogist, nacionalist, s’ka pranuar yllin në flamurë e kapele dhe se ai e kishte bërë dëshmorë të Atdheut.
Unë origjinën shoqërore e kisha të shkruar në dokumenta “nëpunës i lartë”.
Unë iu përgjigja:”Dëshmor babai im është bërë me gjakun e tij si gjithë paraardhësit e tij. Ndërsa babai yt ka udhëhequr forcat serbe, se ka dashur ta ve kufirin në Qaf Buall e Qafë Muhurr. Në Grykë të Madhe janë varret masive të të vrarëve, të vrarë nga serbët të udhëhequr nga n/koloneli i Beogradit Halit Lleshi”. Haxhiun e befasoi përgjigja ime dhe u largua nga mbledhja e Byros.
Me 7 shtator më njoftuan për mbledhjen e Sekretariatit të KQ të PPSH-ës, që u zhvillua me 8 shtator. Në pasditen e 7 shtatorit, më thërret Hysni Kapo dhe më thotë:”Thirra edhe Hekuranin (Isaj-sekretar i parë i KP në Dibër në atë kohë) dhe e porosita të flisni vetëm për punën e jo kundër njeri-tjetrit!”
Unë i thashë se s’kam fol kundër sekretarit të parë, me gjithë rezervat e mija. Por unë do të sqaroj akuzat për biografi të keqe, që më ka bërë presidenti në mbledhjen e Byros së KP të rrethit. Konflikti me presidentin ka filluar që me 7 prill 1941 me babain tim. Nxorra nga çanta një nga fletoret e ditarit të babait tim, Ahmetit, ku shkruan, se Haxhi Lleshi ka ardhur me 7 prill 1941 me forca jugosllave. (E kishim biseduar me vëllain, që ta çonim atë fletore deri tek udhëheqja e lartë, për të mësuar ata për ardhjen e Haxhi Lleshit këtej kufirit).
Hysni Kapo u ngrit në këmbë dhe më tha:”I di Partia, se ç’është shkruar aty. Të urdhëroj, të mos flasësh keq për presidentin. Ma përsëriti tri herë urdhërin. Ne do ta trajtojmë problemin si kundërvënie ndaj emancipimit të gruas”. Nuk e preku fletoren dhe unë e zhgënjyer e futa në çantë.
Në mbledhje të Sekretariatit do të diskutoheshin disa raporte: Një material prej 90 faqesh i ekipit të Aparatit të KQ të PPSH të ushtruar në korrik të vitit 1973, tri raporte të Haxhi Lleshit, si i deleguar i KQ, 19 letra nga Dibra, që kish marrë Haxhi Lleshi me të njejtat përmbajtje kundër babait tim dhe meje, si dhe nje letër anonime, ku unë cilësohesha si kryetare e grupit armiqësor në Dibër.
Merrnin pjesë, përveç sekretarëve të KQ edhe Haxhi Lleshi, Adil Çarçani, Sul Baholli, Gafur Çuçi, që kishte drejtuar ekipin e KQ në Dibër gjatë muajit korrik 1973 dhe Mihal Bisha, drejtor i kuadrit në KQ të PPSH-ës.
Në mbledhje përveç diskutimeve e debateve të shumta Enver Hoxha pyeti: Keni dëgjuar të ketë në Shqipëri familje me tri breza dëshmorë të atdheut, siç është familja e Teutës? (Enver Hoxha, Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha më thirrnin Teuta, sepse është i njejti emër, apo forma e parë e emrit Tefta).
Hysni Kapo tha:”Tefta është e bija e patriotit të madh, dëshmorit Ahmet Cami, që ka derdhur gjak”.
Sul Baholli tha: Tefta është vazhdim i punës armiqësore të Zoi Themelit.
Enveri i tha:” Zoi Themelin e dënuat ju të Dibrës. Por ne të kemi thirrë, që të bësh autokritikë për shifrat fiktive dhe frymën e komandimit në parti në Dibër, që i ke futur ti si sekretar i parë.
Adil Çarçani dhe kryetari i ekipit të KQ të PPSH-ës në rrethi e Dibrës, Gafur Çuçi thanë:”Tefta punon mirë, por nuk e duan disa kuadro të Dibrës, që punojnë jashtë Dibrës”.
Kontrolli i ekipit të KQtë PPSH-ës ishte organizuar, për të verifikuar një letër anonime, ku mua më vinin në krye të punës armiqësore të rrethit të Dibrës. Kjo qe edhe arsyeja, që më kontrolluan edhe shtëpinë më 18 korrik 1973, kur nuk ndodheshim në shtëpi. Enver Hoxha për këtë rast u shpreh:”Nuk jam dakord me observimin, që i është bërë Teutës”.
Enveri e trajtoi problemin si kundërvënie ndaj emancipimit të gruas.
Kur mbaroi mbledhja, Mihal Bisha më tha:” Je e para që fiton në konflikt me Haxhi Lleshin, sepse të gjithë të tjerët janë përjashtuar nga partia e burgosur”.
Pas asaj mbledhje Haxhiu organizoi letra pas letrash si letra veteranësh, të grave, të Bashkimeve Profesionale, letra anonime, intervista me veteranë e ish luftëtarë të Ahmetit me të njejtat akuza dhe Enveri ka shënuar:”Dihet burimi”.
Konflikti me Haxhi Lleshin vazhdoi edhe kur isha ministre.
Kur ndërroi sistemi, mendova, se u mbyll ai kapitull. Por jo…Kërkova që të studjoj fondin e tij, me shpresë se mos gjeja ditarin e luftës të babait, meqë kur ishte Haxhiu ministër në MPB na u sekuestrua biblioteka e babait. Na mbeti ditari i burgut, që e kishte marrë vëllai për ta lexuar gjatë aksionit, që kishte shkuar Shkolla e mesme Pedagogjike e Peshkopisë për hapjen e rrugës Kukës-Peshkopi; romani “Konti i Montekristos” në frengjisht, një libër xhepi frëngjisht për iluministët francez dhe nje fjalor italisht-shqip.
Nuk e gjeta ditarin, por lexova shpifjet e akuzat e Haxhiut ndaj babait tim e gjithë Cameve, ndaj meje dhe vëllait e motrave të mija, që s’kishin të bënin fare me të. Nuk e kuptoj se si një personalitet me një funksion në krye të shtetit shqiptar, në vend që të linte projekte të mëdha për zhvillimin e Shqipërisë dhe zgjidhjen e çeshtjes kombëtare është marrë me shpifje e thashethemnaja!!!
Në janar të vitit 1976 zgjidhem sekretare e parë e KP të Rajonit Nr 1, që mbulonte organizatat e partisë të KQ të PPSH-ës, të Kryeministrisë e Ministrive, të institucioneve arsimore dhe kulturore e artistike e shkencore dhe sportive të Tiranës.
Në prill 1976 emrohem ministre e Arsimit dhe Kulturës. Nga studimi në AQSH i fondit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, del se Haxhi Lleshi dhe zëvëndësi i tij, Shefqet Peçi kanë votuar kundër emrimit tim si ministre në atë mbledhje. Më vonë Shefqet Peçi më ka kërkuar falje, duke më thënë:”Nuk ju njihja, kam qenë nën ndikimin e tij, që e ka zemrën katran”. Kur u emrova ministre, njëkohësisht drejtova edhe Komitetin e Partisë të Rajonit Nr.1 deri në dhjetor të vitit 1976, kur u zgjodh sekretar i parë i Rajonit Nr. 1 Xhemal Tafaj.
Si ministre punuam bashkë me gjithë aparatin e kualifikuar të Ministrisë dhe Seksionet e Arsimit dhe Kulturës në rrethe, me gjithë institucionet qëndrore me shumë përkushtim që arsimi dhe kultura e artet, sportet të kishin karakter kombëtarë dhe të edukonin dashurinë për atdheun e popullin shqiptar, të lidhej edukimi i brezit të ri me jetën e prodhimin, të rritej cilësia dhe të masivizohej më tej arsimi parashkollor e i mesëm. Në qytet mbi 90% e fëmijve të moshës 3-6 vjeç përfshiheshin në arsimin parashkollor me ushqim dhe në fshat 63% e fëmijve 3-6 vjeç përfshiheshin në arsimin parashkollor me ushqim.
Arsimi 8-vjeçar ishte i detyrueshëm me ligj dhe e vazhdonin të gjithë fëmijët që kishin mbushur moshën 6 vjeç, dmth, mbi 30.000 fëmijë në vit fillonin klasën e parë fillore. Arsimi i mesëm qe masivizuar aqsa në vitin 1987 90% e nxënësve që mbaronin shkollat 8-vjeçare të detyruar me ligj, vazhdonin shkollat e mesme dhe 10% e nxënësve vazhdonin shkollat e ulta profesionale 2 vjeçare e kurset 6-të e dy mujore apo një mujore profesionale. Shkollat e mesme profesionale të sferës prodhuese i përgatitnin nxënësit nga ana praktike në bazat prodhuese, që merrnin kategori dhe fillonin punën në profesionin e tyre. Gjatë 45 viteve u përgatitën 100.000 specialistë e kuadro me arsim të lartë brenda e jashtë shtetit. Në ato vite Shqipëria kishte raportin 1 specialistë me arsim të lartë për 29-30 banorë, tregues i vendeve të zhvilluara. Ndërsa në këto vite raporti është ngushtuar, por është fiktiv.
Në vitin 1977 nga një studim i MAK doli që 80% e shkollave nga klasa e pestë e deri në shkollat e larta si gjuhë e huaj mësohej gjuha ruse. Kryeministri prestigjioz Mehmet Shehu dhe n/kryeministri Manush Myftiu u alarmuan dhe u muarr nje Vendim që brenda tri vjetëve të ndërronte raporti që të kishte këte rradhitje: Anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht, spanjisht dhe me grupe të vogla turqisht e osmanisht, serbokroatisht e greqisht dhe rusisht. I hapëm degët italisht e gjermanisht dhe spanjisht në shkollën e mesme të gjuhëve të huaja “Asim Vokshi”, në Universitet dhe në disa shkolla të mesme të Tiranës dhe të rretheve. Muarrëm kuadro pensionistë të këtyre gjuhëve, si dhe kuadro me probleme në biografi dhe në vitin 1980 u zbatua Vendimi i Këshillit të Ministrave. Në Instititin e Larte Pedagogjik të Gjirokastres u çel dega e mesuesis të gjuhës greke, ku përgatiteshin mësues për shkollat e minoritetit grek.
Edhe në fushën e kulturës e të arteve pati arritje të mëdha. Qen ngritur institucionet e artave nga e para. Arritëm të prodhonim 18 filma artistik në vit me tirazh të gjatë nga Kinostudio “Shqipëria e Re” dhe RTVSH-ja, përveç filmave multiplikativ e dokumentar të shumtë. Tematika e filmimeve kishin synime kombëtare. Janë filmuar episode e ngjarje dhe dokumente që nga antikiteti dhe gjitha epokat e historisë, me epokën zulmëmadhe të Skënderbeut, të Lidhjes së Prizrenit me ideologun Abdyl Frashëri, të shpalljes së Pavarësisë kombëtare me Ismail Qemalin, ngjarje e zhvillime të mëvonëshme, si epokën e LANÇ-re, periudhën e socializmit etj. Teatri i Operës e Baletit përgatitnin e vinin në skenë katër premiera ne vit 2 opera të huaja e 2 opera të kompozitorëve shqiptar, Ansambli i Këngëve e Valleve Popullore, që vuri në skenë këngët e vallet popullore të të gjitha trevave kombëtare, Teatri Kombëtar që ka vënë në skenë drama e komedi nga krijues shqiptar dhe nga dramaturgjija klasike. Estrada e Shtetit në Tiranë me repertor nga problemet e kohës me humor nga të përzgjedhur nga krijimtaria e popullit. Kultura mori një karakter masiv kombëtar. U ngritën në çdo rreth e Ndërmarrje Ekonomike, Fabrika e Uzina, Kooperativa Bujqësore, Institucione Arsimore e Shendetësore teatro e estrada, ansamble artistike etj.
Edhe sportet muarrën njē zhvillim të madh dhe u masivizuan në të gjithë vendin. Që në ciklin e ulët të shkollave e në vazhdimësi u ngritën klasët sportive, ku stërviteshin e përgatiteshin sportistët e ardhëshëm të klubeve sportive. Janë shënuar arritje dhe marrje çmimesh të para në sportin e qitjes për vajzat, në sportet e mundjes dhe të ngritjes së peshave të rënda, në sportin e volejbollot të ekipit të vajzave, si dhe në sporye të tjera. Në të gjitha ambjentet arsimore e kulturore, Ndërmarrje Ekonomike, Kooperativa Bujqësore u ngritën terrene të thjeshta sportive, ku stërviteshin ekipet e tyre.