Mirësevini, z. kryeministër i Republikës së Spanjës mike!
Ne shqiptarët jemi shumë mikpritës ndaj miqve dhe shquhemi për dashuri e besë, për punëdashës e paqedashës, dhe sigurimin e kushteve sa më të mira për të ftuarit miq.
Udhëheqësit vizionarë si Ju, z. kryeministër jam e bindur, se e njihni historinë e paraardhësve tane Ilir, që ishin të shtrirë pothuajse në të gjithë Europën e Veriun e Afrikës dhe nga dhuna e raprezaljet, u liruan vend popullsive të ardhura nga lindja. Ndërsa Iliria erdhi duke u tkurrur vazhdimisht dhe veçanërisht gjatë periudhës së shpërbërjes të Perandorisë osmane, ku mësyen me dhunë e masakra serbët, bullgarët, grekët e malazezët e zaptuan shumicën e trojeve shqiptare, si dhe përvetësuan traditat historiko-kulturore, monumentet e kultit, tokat e pasuritë e shqiptarëve.
Fuqitë e Mëdha Europiane i coptuan viset shqiptare për të kënaqur kërkesat e dy mbretërive të Serbisë dhe të Greqisë, duke lënë këtë Shqipëri të vogël. Edhe kjo rrezikohej të coptohej, por e mbrojti ish-Presidenti Amerikan Willson në Konferencën e Paqes.
Me siguri, e dini, se Kosova është tokë e popullsi shqiptare, që mezi pas një shekulli fitoi lirinë e pavarësinë nga pushtimi dhe gjenocidi e masakrat serbomadhe. Troje shqiptare janë edhe Lugina e Preshevës e Bujanovci dhe Medvegja si dhe Sanxhaju i Nishit, që ende i ka Serbia, që vazhdon të bëjë genocid e pastrim etnik ndaj shqiptarëve pa përshkruar edhe trojet shqiptare në Greqi, Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi. A e dini, se ç’po ndodh edhe tani në Mitrovicën e Veriut në Kosovë nga tensioni, që ka krijuar Serbia?
Nuk mund ta besoj, se si një kryetar i një Shteti, që jeni në BE prej shumë vitesh, të mos pranoni të vizitoni vetëm Republikën e Kosovës në Ballkan dhe Vendi juaj ende nuk e ka njohur Kosovën si Republikë të lirë e të pavarur, sepse mesa duket u besoni legjendave serbe.
Mesa jemi të informuar, BE publikon pareshtur liritë e të drejtat e njeriut dhe për të drejtën e kombeve për vetvendosje. Qëndrimi i Vendi Tuaj ndaj Kosovës nuk i zbaton principet e BE.
Udhëheqësit e mëdhenj e të njohur botërorë, që kanë lënë gjurmë në historinë botërore, për t’u siguruar popujve liri e pavarësi dhe për t’u hapur rrugët drejt progresit, i kanë dashur e i duan gjithë popujt, që të jenë të lirë e të pavarur. Një model të këtyre udheheqësve botërorë kanë qenë Presidentët amerikan, që nga ish- Presidenti Washington e deri tek Presidenti Baiden.
Udhëheqësit vizionarë synojnë në afrimin e popujve, që kanë patur histori të dhimbëshme, siç janë shtypur e shfrytëzuar shqiptarët nga Beogradi. Në këto marrëdhënie dy palëshe, udheheqësit i kërkohet të jetë i drejtë e jo i njëanëshëm, sepse njëanëshmëria shpreh padrejtësi dhe urrejtje ndaj kombit tjetër. “Çfarëdo që fillon me zemërim, përfundon me turp”, thotë Benjamin Franklin.
Duke besuar në vizionin Tuaj, dëshiroj, që ta njihni gjithmonë e më shumë historinë e popullit shqiptarë, sepse kështu do të jeni një mik i dashur e i sinqertë i gjithë shqiptarëve dhe do të mështetni Shqipërinë e Kosovën dhe gjithë popullin shqiptarë kudo ku jeton.
Kur isha ministre e Arsimit dhe Kulturës të Shqipërisë në vitet ’80-të hapëm katedrën e gjuhës dhe letërsisë spanjolle në Universitetin e Tiranës si dhe degën e gjuhës spanjolle. Gjuha e letërsia spanjolle filloi të mësohej edhe në disa shkolla të mesme. Prej atyre viteve kanë mësuar e janë përgatitur qindra e qindra kontigjente që njohin e praktikojnë gjuhën spanjolle.
Duajeni Shqipërinë e shqiptarët, z.Kryeministër, sepse do të bëni pjesë në historinë e udhëheqësve të mëdhenj e vizionarë!
Përkraheni Shqipërinë e Kosovën, sepse do të jeni në jetë të jetëve mik e shqiptarëve dhe burrë shteti i shquar europian!
E kalofshi sa më bukur në Shqipëri!
Tefta Cami-ish-ministre e Arsimit dhe Kulturës
Tiranë, më 31 korrik, 2022