Kongresi i Arsimit i 12 shtatorit të këtij viti do të krijojë kushte e mundësi për zhvillimin mbarëkombëtarë të arsimit shqiptar. Mbështetja dhe inkurajimi i MAS dhe institucioneve vartëse, është një domosdoshmëri, sepse arsimi i unifikuar kombëtarë është bazamenti e themeli i edukimit të vetëdijes kombëtare dhe e bashkimit kombëtarë. Shkolla përgatit të ardhmen e kombit.
E përshëndes hartimin dhe miratimin nga të Dy shtetet Shqiptare, me nismën e ministres të MAS të Shqipërisë, znj. Evis Kushi për përdorimin e Abetares së unifikuar në klasat e para të Shqipërisë dhe të Kosovës, si dhe të klasave të para të shkollave shqipe në Maqedoninë e Veriut. Përdorimi i Abetares së unifikuar kombëtare është një hap i rëndësishëm në fushën e sistemit arsimor shqiptarë. Me siguri teksti i Abetares do të jetë hartuar sipas principeve të gjuhës shqipe, si një gjuhë e veçantë në grupin e gjuhëve indoeuropiane, si dhe Abetarja e Këndimi të synojnë në edukimin e ndjenjave kombëtare të fëmijve të klasave të para.
Besoj, se po shfrytëzohet edhe përvoja e mirë dhe e pasur historike e përdorimit të Abetareve dhe të teksteve të përbashkëta, si:
- Periudha e Rilindjes Kombëtare, kur misionarët e arsimit shqiptarë merrnin Abetaret nga Shoqëria “Bashkimi” e Stambollit dhe nga Shoqëria “Dituria” e Bukureshtit, si dhe u mësonin shkrim e këndim fëmijve fshehurazi nëpër shtëpi, në xhami e kisha, sepse Perandoria Osmane e kishin të ndaluar përdorimin e e mësimit të gjuhës shqipe. Ndërsa kisha greke e kishte mallkuar përdorimin e gjuhës shqipe, të gjuhës së parë e më të vjetër, që është folur X shekuj para krishtit.
- Periudha e viteve 1939-1944, kur të gjitha trevat shqiptare si në Kosovë e Maqedoni, në Mal të Zi e Çamëri mësonin me të gjitha tekstet e unifikuara në të gjithë sistemin arsimor.
- Periudha 1945-1948, kur u dërguan 300 mësues dhe tekstet shkollore nga Shqipëria që ishin në përdorim në Kosovë e në Maqedoni e Mal të Zi deri në kohën e prishjes së marrëdhënieve Shqipëri- Jugosllavi.
Tito pas vitit 1947 i rindau përsëri trojet shqiptare në Jugosllavi, megjithëse popullsia shqiptare zinte vendin e tretë pas serbëve e kroatëve dhe si territor ishte i përbashkët. Por krijoi republikat e Maqedonisë e të Malit të Zi, megjithëse shumica popullsisë në ato dy republika ishin shqiptarë dhe u përdor dhunë e terror dhe genocid për largimin e shqiptarëve nga trojet e tyre, sipas projektit të Çubrilloviçit të vitit 1937, për “Dëbimin e Shqiptarëve”. Njihen protestat në Tiranë dhe fjalimi i Enver Hoxhës, ku shprehej indinjata mbarëpopullore, për të ndaluar ricoptimin e trojeve shqiptare nga shteti jugosllav.
- Periudha 1968-1981, kur në të gjithë sistemin arsimor në Kosovë e në viset e tjera shqiptare që nga kopështi i fëmijve e deri në shkollat e larta zhvillonin mësim me tekstet e shkollave të Shqipërisë. Çdo vit vinte drejtori i Entit të Botimeve “Rilindja” të Kosovës, Rexhep Zogaj, që e kam pritur në ato vite, dhe merrte programe e tekste nga Shtëpia Botuese e Librit Shkollor dhe nga Shtëpia Botuese e Librit Universitar dhe, pasi u hiqnin politizimet, i ribotonin dhe i përdornin në gjithë sistemin arsimorë në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare.
Nga viti 1968, kur u çel Universiteti i Prishtinës në Kosovë u nënëshkrua marrëveshtja e protokolli i firmosur nga rektori i Universitetit të Tiranës prof.Jorgji Sota dhe rektori i Universitetit të Prishtinës prof.Dervish Rozhaja deri në prill të viti 1981, kur shpërthyen demontratat e studentëve me parrullën “Kosova Republikë” dhe “Republikë-Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”, 80% të programit në Universitetin e Prishtinës dhe në Institutet e Larta i zhvillonin pedagogët e Universitetit të Tiranës dhe të Instituteve të tjera të Shqipërisë. Bashkëpunimi në fushën e arsimit e kulturës dhe sporteve me Kosovën është zhvilluar pa marrëveshje shtetërore, por me marrëveshje institucionale.
Me shpërthimin e demonstratave të studentëve e të popullsisë shqiptare në Kosovë Beogradi disllokoi gjithë ushtrinë në Kosovë dhe kontrollohej me avion e ushtri gjithë kufiri me Shqipërinë, mbyllën Universitetin e Institutet e Larta dhe shkollat 8-vjeçare e të mesme, burgosën qindra të rinj e të reja, vranë e plagosën demonstrues, përdorën dhunë e genocid, dogjën librat shkollore e universitare deri edhe serialet e akademikëve e të shkrimtarëve të shquar shqiptar.
Për të ndihmuar studentët në Kosovë hapëm një emision televiziv, ku pedagogët nga Tirana, sipas programit, jepnin leksione e zhvillonin diskutime me disa studentë në RTVSH.
Kryeministri i Shqipërisë, z.Rama, duke përshëndetur nismën e Abetares së unifikuar kombëtare, shtroi dhe orjentoi edhe kujdesin për mësimin me baza të gjuhës shqipe në të gjithë sistemin arsimor.
Nëse bëhet një punë e kujdesëshme për artikulimin e shqiptimin e saktë të tingujve dhe shkrimin e bukur e pa gabime të shkronjave të gjuhës shqipe që në klasën e parë, si fillimi e bazamenti kryesor, për të vazhduar me kujdes mësimdhënien e gjuhës shqipe gjatë gjithë ciklit të shkollës 9-vjeçare mendoj që gjuha shqipe ka mundësi të përvetësohet mirë nga nxënësit.
Gjuha shqipe është një gjuhë vitale, që është ruajtur historikisht nga populli gjatë gjithë pushtimeve shekullore të huaja, romake e bizantine, bullgare e serbe, turke e nazifashiste. Si rezultat i rritjes së nivelit të shoqërisë shqiptare, ka lindur nevoja, që të ketë një gjuhë të njësuar, që u realizua me Kongresin Kombëtar të Drejtëshkrimit të Gjuhës Shqipe në vitin 1972, sipas motos “Një komb, një gjuhë” të shprehur nga akademiku Ali Hadri në Simpoziumin e Kosovës në vitin 1968, kur kanë diskutuar Projektin e Drejtëshkrimit të Gjuhës Shqipe.
Beogradi i ka gjykuar profesorët shqiptar të Kosovës e të Maqedonisë, që ishin delegatë e kanë referuar në Kongresin e Drejtëshkrimit të Gjuhës Shqipe, sepse synonte të zbatonte një projekt të veçantë për gjuhën letrare në Kosovë e viset e tjera shqiptare, që do të ndikonte në krijimin e një muri ndarës kombëtar. Gjuha e njësuar, nuk mohon përdorimin e dialekteve e nëndialekteve apo të folmeve të tjera. Çdo popull i qytetëruar ka një gjuhë letrare dhe ka një ligj për zbatimin e saj.
Kujdesi për të folur pastër gjuhën shqipe dhe për të shkruar pa gabime, është një domosdoshmëri për të gjithë shoqërinë shqiptare dhe sidomos për institucionet shtetërore, duke filluar nga politikanët, që përdorin fjalë të huaja, apo nga Parlamenti e mediat e shkruara dhe televizive. Nuk ndikojnë për mirë në publik diskutimet, që bëhen në Parlament me dialektalizma, me sharje e ofeza dhe me një fjalor rrugësh, që prindërit detyrohen të mbyllin televizorin, që të mos shikojnë e dëgjojnë fëmijët, sepse janë pamje të shëmtuara në shoqërinë shqiptare.
Tefta Cami-ish-ministre e Arsimit dhe Kulturës
Pogradec, më 14 shtator, 2022