Më 20 maj të këtij viti, Bashkia e Tiranës me inisiativen e propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, z.Ilir Çumani, organizoi takimin në sallën e Këshillit Bashkiak me disa personalitete të kulturës e arteve dhe të sporteve, që ishin rritur jetim dhe kishin realizuar arritje të shquara në fusha e sektorë ku kanë punuar e vazhdojnë të punojnë.
Për caktimin e miratimin e datës 20 maj si Dita Kombëtare në Ndihmë të Jetimëve është ndjekur kjo ecuri sipas dokumenteve:
I. ” Akademia e Shkencave
PROPOZIM
Paraqitur nga Akademia e Shkencave dhe Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë drejtuar Kryetarit të Kuvendit, z.Servet Pëllumbi:
Duke marrë në konsideratë realitetin e ri dhe ndryshimet e mëdha që po kalon Shqipëria, si një vend demokratik, që po ndërton një të ardhme të re në prag të integrimit evropian, duke vlerësuar që tashmë në Shqipëri po krijohet një konsensus mbi politikën dhe zhvillimet ekonomike, shoqërore e humane, i cili shprehet në angazhimin serioz për të vendosur njeriun në qendër të zhvillimeve tona do të dëshironim që paradigma e zhvillimit Njerëzor të zbërthehej dhe më tej në fushën humane, për t’ju përshtatur plotësisht kushteve të vendit. Shqiptarët janë jo vetëm krijues, por dhe bartës të humanizmit dhe si të tillë, zenë vend me dinjitet midis vendeve të qytetëruara. Shqipëria bën pjesë në qytetrimin dhe humanizmin perëndimor dhe evropian. Nga mbrojtësi i qytetrimit perëndimor Skënderbeu, e gjer tek nënë Tereza, gruaja shqiptare më e famshme e botës, shfaqet dashuria e këtij qytetrimi dhe humanizmi i kombit shqiptarë ka patur dhe ka shumë rezerva dashurie dhe humanizmi në brendësinë e vet. Evropa e sotme ka nevojë për këtë humanizëm, ndërsa ne si shqiptarë kemi nevojë për përkrahjen e Evropës, si dhe për ndihmën e dashurinë ndaj njeri-tjetrit. Por shoqëria shqiptare nuk mund të jetë një shoqëri e qytetruar në qoftë se nuk heq pak nga vetja për të ndihmuar ata që janë në nevojë, jetimët, të braktisurit, të paushqyerit, të rrezikuarit nga krimi i rrugës. Shpirti njerëzor shqiptar duhet të mbetet i gjallë dhe dashuria njerëzore duhet të ngrihet mbi gjithçka.
Në këtë kontekst, ne i propozojmë Kryesisë së Kuvendit Popullor për të shpallur 20 Majin si: “DITA KOMBËTARE NË NDIHMË TË JETIMËVE”.
Ndihma ndaj kësaj bashkësie është plotësisht e realizueshme pasi mundësitë ekzistojnë. Është në nderin e Kuvendit të Shqipërisë të legjitimojë këtë Datë, të frymëzuar nga një inisiativë humane në shërbim të së ardhmes së përbashkët.
Kryesia e Akademis së Shkencave
Kryetari
Ylli Popa
Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptar
Drejtori i Përgjithshëm
Ilir Çumani”
II. Ky propozim është shqyrtuar në Kryesinë e Kuvendit dhe Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar këtë Ligj Nr. 9233, datë, 13.5.2004 Për një shtesë në Ligjin Nr. 8153, datë 31.10.1996
“Për Statusin e Jetimëve”
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
Vendosi
Neni 1
Në Ligjin nr.8153, datë 31.6.1996 “Për Statusin e Jetimëve”, pas nenit 1i shtohet neni 18/1 me këtë përmbajtje:
Neni 18/1
Data 20 maj shpallet “Dita Kombëtare në Ndihmë të Jetimëve”
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Kryetari
Servet Pëllumbi
III. Republika e Shqipërisë
Presidenti
Në mbështetje të neneve 93 dhe 84, pika 1, të Kushtetutës
Dekretoj
Shpalljen e Ligjit nr.9233, datë 1e.05.2004 “Për një shtesë në ligjin nr. 8153, datë 31.10.1996 “Për Statusin e Jetimit”
Nr. i Dekretit 4240
Tiranë, më, 08, 06, 2004
Presidenti i Republikës
Alfred Moisiu “
I paraqita këto dokumente, për t’i patur si kujtesë Bashkitë e Njësitë Administrative, Prefekturat dhe Shoqëria Civile, për t’u kujdesur për jetimët, që të rriten e bëhen shtetas të shëndetëshëm e të qytetëruar dhe të barabartë me moshatarët e tyre në Republikën e Shqipërisë.
xxx
Në këtë takim të ditës së jetimëve na nderoi me pritjen dhe përshëndetjen e përzemërt n/kryetari i Bashkisë së Tiranës z.Andi Seferi, një kuadër i përgatitur e buzagaz dhe dashamirës e me perspektivë.
Kjo pritje nga n/kryetari i Bashkisë së Tiranës me disa personalitete të shquara, që kanë qenë rritur jetim, janë një model e shpresë për fëmijët jetim të tanishëm, që janë të lirë dhe i kanë kushtet e mundësitë për t’i zhvilluar prirjet e aftësitë e tyre dhe për të bërë karrierë, për të realizuar synimet e projektet për t’u bërë elitë në sektorë të ndryshëm të jetës në Shqipëri.
Secili nga ne pjesëmarrësit kishim një histori për të treguar, se si kishim mbetur jetim nga që baballarët na ishin vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore nga forcat pushtuese nazifashiste, se si ishim rritur me shumë kujdes dikush në Shtëpitë e Fëmijve dhe dikush në konvikte. Kishim për të treguar për arsimimin dhe punët që kemi bërë dhe konkluzionin që kemi arritur: “Kush mëson e punon në interes të familjes e të Atdheut në të gjitha sistemet, fiton”.
U vlerësua me Dekoratën e Lartë të firmosur nga kryetari i Bashkis të Tiranës, z.Erijon Veliaj drejtori i Institutit Kombëtar të Integrimit të fëmijve jetim shqiptarë z.Ilir Çumani dhe ishin të pranishëm, si dhe disa prej tyre u vlerësuan me Çertifikatë Mirënjohjeje të firmosur nga z.Erijon Veliaj disa nga të ftuarit:
1. z.Bejkush Birçe-ish trajner i ekipit kombëtar të futbollit, që mban titullin “Mjeshtër i Madh”. U nderua me Çertifikatë Mirënjohje nga Bashkia e Tiranës.
Eh, kush nuk e njihte Bejkush Birçen në ato vite dhe jehona e sukseseve dhe e përvojës së tij dëgjohen e praktikohen edhe sot. Puna e përkushtuar e profesionalizmi e bëri, që të ishte i suksesëshë dhe i njohur në Shqipëri. E ka filluar karierën si mësues i edukimit fizik në Vlorë dhe ka vazhduar si trajner ekipi i futbollit në rreth, trajner i ekipit “Partizani” të futbollit, trajner i ekipit “Kombëtar” të futbollit dhe kryetar i Klubit Dinamo. Ka punuar me pasion e përkushtim të madh për edukimin fizik të brezit të ri dhe për stërvitjen e sportistëve të futbollit të ekipit “Partizani” e të ekipit të futbollit të “Kombëtares”, që ka ndikuar në rritjen e krenarisë të shqiptarëve me fitoren e ekipit kombëtarë në disa ndeshje të kampionateve europiane.
2. z.Bujar Asqeriu-aktor dhe mban titullin “Nderi i Kombit”. U nderua me Çertifikatë Mirënjohje nga Bashkia e Tiranës. Aktori i dëgjuar ka ecurinë e tij të rritjes e shkollimit. Pas mbarimit të ILA ka punuar si aktor në Teatrin e Vlorës, ku ka spikatur talenti i tij i veçantë dhe është përzgjedhur nga regjizori i shquar “Artisti i Popullit” Dhimitër Anagnosti për të interpretuar në filmin e Kinostudios “Shqipëria e Re” “Në shtëpinë tonë” me skenar të shkrimtarit të shquar Kiço Blushi dhe muzikë të kompozitorit në ato vite i ri e i talentuar, Aleksandër Peçi; në filmin “Liri a Vdekje” me regjizorët e pasionuar: Ibrahim Muço e Kristaq Mitro, me skenar të shkrimtarit të shquar Vath Koreshi dhe me kompozitor të nderuarin Kujtim Laro, që kompozoi muzikë me karakter kombëtar e jo tollova; në filmin “Njeriu i mirë” me regji, Ibrahim Muço e Kristaq Mitro, me skenar Nexhati Tafa dhe muzikë me të talentuarin Hajg Zaharjan; në filmin “Një emër midis njerëzve” me regji të krijuesit të pasionuarit Muharrem Fejza, me skenar të poetes e shkrimtares të shquar Natasha Lako dhe me muzikë të kompozitorit të madh Aleksandër Lalo; në filmin “Radiostacioni” me regjizor artistin e talentuar Rikard Ljarja, me skenar të njërit nga shkrimtarët më të mëdhej të këtyre 70-të viteve, Ismail Kadare dhe me muzikë të kompozitorit të ri në ato vite, Zef Çoba, që ka bërë një punë shumë të mirë në Dibër si kompozitor; në filmin “Vëllezër dhe shokë” me regjizor e skenar Dhimitër Anagnostin dhe me regjizor Hajg Zaharjan; në filmin “Në prag të Lirisë” me regjizor dhe skenarist Ibrahim Muço e Kristaq Mitro dhe muzikë të kompozitorit të talentuar Kujtim Laro; në filmin “Në emër të lirisë” me regjizor Fehmi Oshafi, me skenar Bashkim Kozeli dhe muzikë të kompozitorit të apasionuar Hajg Zaharjan, në filmin “Misioni përtej detit” me regji të regjizorit të ri Lisenko Malaj, me skenar Anastas Kondo e Roland Gjoza dhe muzikë të kompozitorit të madh grek Mikis Theodhorakis dhe muzikë popullore shqiptare; në filmin “Jeta në duart e tjetrit” me regji Albert Xholi, me skenar Lliko Nano dhe muzikë Thoma Simaku.
Kompozitorin e madh grek Mikis Theodhorakis kam pas fatin që ta prisja, kur isha ministre e Arsimit dhe Kulturës dhe më ka dhuruar disa pllaka gramafoni me muzikë të kompozimeve të tij. Theodhorakis është si një model për kompozitorët, sepse ai muzikën popullore greke e studjoi, e përpunoi dhe e ngriti në nivele të larta në art.
Në të gjitha rolet aktori Bujar Asqeriu ka shpalosur karakteret e psikologjinë e personazheve dhe filozofine e kohës. Me gjithë këto filma që ka interpretuar para viteve ’90-të tregojnë, se ka qenë një aktor me preferencë dhe i përzgjedhur nga regjizorët për pamjen e tij të bukur e elekuencën e qartë në të folur, si dhe si pasqyrues karakteresh sipas roleve.
3. znj.Ema Qazimi-këngëtare, që mban titujt “Artiste e Merituar”, “Mjeshtre e Madhe” dhe e shumë çmimeve të para e të dyta në disa festivale kombëtare në Radio dhe në RTVSH-ën. U nderua me Çertifikatë Mirënjohje nga Bashkia e Tiranës.
Ndjeva kënaqësi, që e takova znj. Ema, artisten e madhe me kaçurela e të bukur, që e ruan akoma bukurinë e fisnikërinë me atë buzëqeshjen e saj të përherëshme. znj.Ema e përfaqëson dhe i mbështet këngët edhe nga frymëzimi i bashkëshortit të saj e studjuesit të shquar të kulturës popullore, prof.dr.Ramazan Bogdani.
Ema ka interpretuar si aktore me role kryesore apo episodike në katër filma artistik. Por Ema e bukur është shquar dhe njohur më shumë për dashurinë e pasionin dhe përkushtimin e madh ndaj këngës të muzikës së lehtë shqiptare, që ka dalë në skenë e ka konkuruar që në moshën 14-të vjeçe dhe për 40 vite të pandërprera pune ka arritur të bëhet modeli i një ikone të shquar dhe të një auditori mësimdhënës për këngëtarët e rinj të muzikës së lehtë shqiptare.
4. z.Kolec Traboini-kineastë dhe mban titullin “Mjeshtër i Madh”. U nderua me Çertifikatën e Mirënjohjes nga Bashkia e Tiranës. E kujtoj, kur është emëruar në vitin 1976 njëkohësisht me z.Bashkim Hoxha në Redaksinë e Skenareve në Kinostudion “Shqipëria e Re” me që kishin rezultate shumë të mira me mbarimin e degës së gazetarisë e në degën gjuhë-letërsi shqipe dhe për prirjet në fushën e letërsisë.
Si i talentuar, u emrua drejtor i Filmit Dokumentar, ku fitoi dy kupa në dy Festivale Kombëtare të Filmit Shqiptar si “Asdreni” më 1976, “Kështjella e këngëve” më 1990 dhe “Dëshmi nga Barleti” më 1990, që është vlerësuar si filmi më i mirë i Kinostudios “Shqipëria e Re”.
z.Traboini është autor i mjaftë filmave të vlerësuar si “Kol Idromeno”, “Hasan Prishtina” etj., si dhe filmi dokumentar “Djali me kitarë”.
Mbahen mend edhe filmat vizatimor të z.Traboini si “Portreti” me regjizor z.Artan Simaku, “filmi Simfonia e pyllit” me regjizor Xhovalin Delia dhe filmi “Pushbardhi në spital” me regjizor Vlash Dobroniku.
Me punën krijuese e plot pasion z. Kolec Traboini ndikoi në të dyja redaksitë ku punoi në Kinostudio, për nxitjen e krijimit të traditës të redaktorëve si krijues.
Më vjen mirë që z.Kolec Traboini edhe pas viteve ’90, ndonëse i mërguar në Greqi e më pas në SHBA, është vetorganizuar dhe ka punuar e punon me pasion në fushat e gazetarisë e të krijimtarisë artistike e historike. Që në vitin 1991 ka krijuar e shpërndarë tek arvanitasit në Greqi gazetën e parë në gjuhën shqipe “Egnatia”. Ka bashkëpunuar me presidentin e arvanitasve, studiusin e publiçistin e shquar Aristidh Kolias. Ai boton librin “E vërteta drithëruese e Aristidh Kolës” e disa botime të tjera.
z.Traboini ka fituar shumë çmime dhe i janë bërë disa vlerësime mëse të merituara për punën e bërë në fushën e gazetarisë e të letërsisë artistike. Prandaj është pranuar anëtar i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve me qendër në Bruksel, si dhe është zgjedhur nga Kongresi i Lidhjes së Shkrimtarëve Botëror anëtarë drejtues në LSHB. Bravo e urime, z.Traboini!
5. z.Lek Sokoli-sociolog e profesor, sociolog i shquar shqiptar. U nderua me Çertifikatë Mirënjohje nga Bashkia e Tiranës. Ai ka mbaruar degën e inxhinjirerisë mekanike dhe ka punuar si inxhinjer në Kombinatin Metalorgjik në Elbasan, ku ka filluar të stidiojë aspektet sociale të zhvillimit të industrisë. Mbaron si fajultet të dytë degën e filozofisë në Universitetin e Tiranës.
Që nga viti 1986 z. Lekë Sokoli është marrë me studime e botime dhe mësimdhënie në fushën e sociologjisë. Ka mbrojtur e fituar tituj e grada shkencore dhe ka qenë bashkëpunëtor shkencor në Sektorin e Filoxofisë në Universitetin e Tiranës. Është një nga themeluesit e Shoqatës Sociologjike Shqiptare, që ka filluar që në vitin 1986.
z.Kolec Sokoli është bashkëthemelues e bashkëbotues i revistës ndërkombëtare dy gjuhësore anglisht-shqip me titull “Analiza Sociologjike”. Ka studjuar e lëvruar dhe botuar në disa fusha të sociologjisë, që trahtojnë probleme aktuale të shoqërisë shqiptare dhe të shoqërisë njerëzore në përgjithësi.
z. Sokoli ka themeluar Institutin e Sociologjisë, që është i pari institucion shkencor, që merret me studime sociologjike. Ai është drejtor i këtij Instituti dhe i revistave shkencore “Politika e Shoqëria” dhe “Studime Sociologjike”, të cilat janë burim informacioni e analizash për problemet e shoqërisë shqiptare gjatë viteve të demokracisë.
6. znj.Mimika Luca-aktore dhe mban titullin “Artiste e Merituar”. U nderua me Çertifikatë Mirënjohje nga Bashkia e Tiranës. Kisha dëshirë e mall, që ta takoja, por nuk qe e pranishme.
Aktorja e shquar e Teatrit Kombëtar dhe e Kinematografisë e ka filluar karrierën e saj si balerinë në Teatrin e Operës dhe Baletit, si dhe në vitin 1962, fillon si aktore në Teatrin Popullor të Tiranës. Ka interpretuar mbi 30 role në teatër dhe 12 role në kinematografi.
Në teatër ka interpretuar në këto drama me rolet: Tek teatri “Muri i madh”, tek “Cuca e maleve” rolin e Dilës, tek “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” rolin e Nicës, tek “Kur hidheshin themelet” rolin e Lajes, .
Ka interpretuar në 12 filma këto role:
Në filmin “Treni niset në shtatë pa pesë” nëna e Etlevës, në filmin “Botë e padukshme” në rolin e Lenit, në filmin “Përrallë nga e kaluara” në rolin e nënës të Marigos, në filmin “Rrethimi i vogël” në rolin e Shegës”, në filmin “Të shoh në sy” në rolin e nënës së Gjergjit, në filmin “Shi në plazh” në rolin e nënës së Alberit, në filmin “Taulanti kërkon një motër” në rokin e edukatores, në filmin “Nxënësit e klasës time” në rolin e drejtoreshës së shkollës, në filmin “Zambakët e bardhë” në rolin e sekretares së partisë, në filmin “Në shtëpinë tonë” në rolin e nënës së Anës, në filmin “Kur hidheshin themelet” në rokin e Lajes, si dhe në filmat “Kryengritje në pallat” dhe “Detyrë e posaçme”. Ka punuar si pedagoge në Institutin e Lartë të Arteve në degën e dramës, ku ka përgatitur shumë aktorë, që kanë punuar e vazhdojnë të punojnë edhe tani në Shqipëri dhe jashtë vendit. znj. Mimika Luca së bashku me aktorin e madh “Artistin e Popullit” Ndrek Luca si dhe gjithë aktorët e para viteve ’90-të i përkasin brezit, që hodhën themelet dhe e bënë kala shkollën shqiptare të teatrit e të kinematografisë kombëtare shqiptare.
Krenohemi të gjithë ne shqiptarët kudo ku jemi me punën e përkushtimin e madh krijues, si dhe me pasurinë e madhe artistike, që na kanë lënë brezi i artistëve të para viteve ’90-të. Përkulem me nderim para tyre.
7. z.Perikli Çuli-skulptor dhe mban titullin “Skulptor i Merituar” dhe Laurat i Çmimit të Republikës dhe i çmimeve të tjera kombëtare. U nderua me Çertifikatë Mirënjohje nga Bashkia e Tiranës. Ka mbaruar studimet e larta në Bukuresht të Rumanisë. Ka punuar si skulptor dhe pedagog i talentuar dhe respektuar në Institutin e Lartë të Arteve dhe është vlerësuar nga kolegët e tij e studjuesit e artit si Gazmend Leka dhe Suzana Varvarica që “Pandeli Çuli bën pjesë në atë grup të skulptorëve shqiptar dhe i kanë dhëne fizionomi zhvillimeve dhe vazhdimësive shkollës shqiptare të arteve”.
Janë të njohura monumentet e skulptorit Perikli Çuli të vendosura në hapsira publike si, “Toka jonë” e vendosur në qendër të qytetit të Lushnjës, monumenti “Ylli i lirisë” i vendosur në Qukës, monumenti “Katër heroinat e Mirditës” i vendosur në Rrëshen, por shpreh keqardhjen, që e shkatërruan pas ndërrimit të sistemit, siç u shkatërruan edhe disa monumente të tjera historike. Ai monument ishte simbol dhe vepër e përkryer arti i skulptorit. Skulptori Çuli ngriti edhe monumentin “Tanush Topia”.