leoni

Tefta Çami: Vizita në Theth të Dukagjinit, më ka lënë shumë mbresa

Tefta Çami: Vizita në Theth të Dukagjinit, më ka lënë shumë mbresa

Me 26-27 tetor të këtij viti shkova e vizitova me vajzën time, Alma dhe me miqtë Hakani e Agolli, luginën e Thethit të Dukagjinit. E ripashë edhe njëherë, që kur e kemi shpallur “Park Kombëtarë” me të gjitha objektet historike si Kullën e Ngujimit e të tjera, që ruhej nga Shteti Shqiptarë si monument kulture që në vitin 1976, që sapo isha emruar ministre e Arsimit dhe Kulturës.   Pllaja e Thethit rrethohet nga tri malet e larta e me maja të mprehta si, mali i Radohimës, i Shenikut dhe i Paplukut, me lartësi mbi 2500 m. mbi nivelin e detit dhe kjo pllajë ka një bukuri të rrallë.

Etimologjia e emrit Theth shpjegohet në disa variante. Mund të shpjegohet edhe me thellësi, se ka të bëjë me luginën, që shtrihet në thellësi të tri maleve. Gërmimet arkeologjike, me siguri, do të gjejnë edhe materiale më të plota të shekujve të periudhës së lashtësisë arbënore. Kur ngjitesh për në krye të rrugës në anën e djathtë shikohen blloqe gurësh të rregullta, që mund të jenë mbetje të ndërtimeve të lashtësisë.   Lugina e Thethit  vlerësohet si një nga zonat me bukuri të rrallë dhe perla e alpeve madhështore, që ndodhet 750 deri 950 m. mbi nivelin e detit dhe ka një sipërfaqe të gjërë prej 2630 hektar.

Thethi dokumentohet në defterin e regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës në vitin 1485 me emrin Fusha dhe banohej nga 7 shtëpi. Më vonë në shekullin XVI, administrata osmane e ka caktuar pjesë të Sanxhakut të Dukagjinit me qendër në Pejë. Në fillim të shekullit XIX, fisi i Ahcajve nga Thethi arriti ta bashkojë këtë zonë me Bushatllinjtë e Shkodrës.   Thuhet se Coronelli është i pari që e përmend Thethin në hartën e vitit 1688. E ka vizituar Thethin në shekullin XX-të dhe ka shkruar shkrimtarja e historiania, publicistja dhe antropologia angleze Edith Durham.    Dihet, se në vitin 1916-1917 në fshatin Theth shkon at Shqefën Gjeçovi, që shërbeu në Kishë dhe ka shkruar. Ato shkrime e kanë bërë të njohur. Në vitin 1921 hapet e para shkollë e ndërtuar nga Kryqi i Kuq Amerikan. Në vitin 1980-1981 ndërtohet dhe hapet shkolla e mesme e përgjithëshme na e konfirmoi z.Binak Koçeku, megjithëse e dija, se u hapën shkolla të mesme me profil bujqësorë dhe të përgjithëshë në të gjitha Kooperativet Bujqësore, ku vazhdonin 90% e nxënësve, që mbaronin arsimin e detyruar 8-vjeçar dhe 10% e nxënësve vazhdonin kurset profesionale pranë Qytetit të nxënësve në Tiranë, ku merrnin zanate.   Ka të dhëna që në vitin 1936 hapet rruga automobilistike dhe më vonë krijohet një agjenci turistike.

Thuhet, se kjo Pllajë ka mbi 60 burime uji. Në mes të majave buron lumi i Shalës, që kalon mes për mes luginës të Thethit dhe e bëjnë këtë trevë të bukur e të banueshme dhe përgjithësisht edhe pjellore e me shumë çajra e bimë medicinale.

Pllaja e Thethit ka disa vende për t’u vizituar dhe është kthyer një vend i rëndësishë turistik për me shumë vizitorë shqiptarë e të huaj. Për të vizituar Thethin duhet prenotuar përpara për të siguruar hotele apo bujtina, të cilat janë të shumta. Na treguan, se turistët e huaj vijnë më shumë edhe në stinën e dimrit me borë dhe ngjiten nëpër male, përveç vizitave në vendet turistike. Vitin e kaluar stina e dimrit ka qenë e butë, sepse nuk ka rënë borë. Klima ka ardhur, duke u zbutur edhe në Pllajën e Thethit nga ngrohja globale. Më parë binte shumē borë deri afro 2 metra.

Është Kisha si objekt historik për t’u vizituaf. Mbi një kodër ngrihet Kulla shumëvjeçare e Ngujimit, që është një ndërtesë e frikëshme, si një dëshmi, apo relike e gjakmarrjes dhe zbatimit të Kanunit të Lek Dukagjinit. Si mund të kenë jetuar të ngujuarit në ato kushte të rënda jetese apo mbijetese?! Kur e shikon nga brenda, të ngjall makth e frikë, dhimbje të pafund e pasiguri, për të jetuar i lirë dhe për të gëzuar jetën si gjithë shqiptarët e tjerë.

Lekë Dukagjinin e kanë përjetësuar me një foto të madhe në një vend, që ndodhet në ngjitje për tek Kulla e Ngujimit.    Mbi një shkëmb, ku ndodhet Kulla e Ngujimit, takuam z.Binak Koçekun, që na shpjegoi rreth shkaqeve të ngujimit dhe strehimit të të ngujuarve në këtë kullë.   Në sistemin socialist u pajtuan shume gjaqe dhe pothuajse u zhduk gjakmarrja, sepse ishte ligji: Kush vriste, vritej me ligj nga shteti.

Kam ndigjuar në fshatin Luzni të Dibrës këtë tregim: “Kishin qenë 3 shokë, që takoheshin shpesh dhe bisedonin si miq të ngushtë për probleme të ndryshme dhe të familjes. Njeri thotë, se e kishte gruan të mirë, se gatuante shumë mirë dhe e mbante shtëpinë pastër e kujdesej për prindërit e tij si t’i kishte prindët e vet.

Tjetri thotë, se edhe gruaja e tij mbante shtëpinë pastët e gatuante shumë mirë dhe kujdesej për prindërit e tijë, si dhe priste të afërmit e miqtë mirë edhe kur nuk ishte ai në shtëpi.   E pyetën shokun e tretë: Pse nuk na tregon, se si ishte gruaja e tij?   Ai u përgjigjet, se edhe gruaja ime është e kujdesêshme si gratë tuaja, por nuk më ka ra me e provuar.

Pas disa muajsh ky i treti vrau një person dhe u ngujua në shtëpi të rrethuar me avlli. Gruaja gatuante e ushqeheshin me shumë kursim për të mbijetuar. Mbas 5 vitesh hasmi thotë, se nuk i kishte parë të ngujuarit dhe shkon me sejmenët e vet dhe e  rrethon avllinë e shtëpisë, për t’u siguruar nëse jetonin apo jo?   Burri i ngujuar merr armën dhe bëhet gati për të qëlluar.

Gruaja i thotë: Ule armën! Nëse ai shtin në drejtim të shtëpisë, shti edhe ti me armë?! Nëse ai do të trokasë në portë, do t’i hapim portën e do ta presim si mik. Ai trokiti në portë dhe doli i ngujuari dhe ia hapi portën, duke i thënë: Bujrum e mirëse erdhe! Futen brenda në shtëpi dhe i ardhuri var armën në hyrje të shtëpisë.   E fusin në dhomën e miqve. I zoti i shtëpisë i thotë: Merë se erdhe! Shtëpia është e Zotit dhe e mikut!   Gruaja i thotë burrit: Ndiz zjarrin, që miku të jetë ngrohtë dhe jepi muhabet, që të mos mërzitet! Për të ngrënë e për të pirë do t’i përgatis unë.   Gruaja përgatit një darkë shumë të mirë e me mjaftë gjellë dhe nxjerr edhe raki për të pirë.

I ardhuri pyet: Si ka mundësi të bëhet një darkë e pasur, kur s’ka hyrë e s’ka dalë njeri, sepse avllin e shtëpis tuaj e kam të rrethuar me sejmenët e mij?   I zoti i shtëpisë i përgjigjet: Nuk e di, se nga i ka gjet e saju gruaja.   I ardhuri i thotë, thirre gruan për ta pyetur!   E thërret të zonjën e shtëpisë dhe e pyesin, se ku i gjete gjithë këto asortimente për darkë?

Gruaja përgjigjet: I kam ruajtur për një mik të nderuar si ju.   I ardhuri befasohet, se e quajti mik të nderuar dhe i thotë: Unë erdha për të marrë hakun e vëllait tim, që më vrave. Por ta fal gjakun, se gruaja jote më quajti e vlerësoi si mik të nderuar. Unë do ta bëj motër dhe ma jep disa ditë, që t’u flasë grave të shtëpisë time që, me gjithëse i kanë të gjitha kushtet, zihen si arrat në kosh dhe e bëjnë pasurinë rrush e kumbulla!   Qe sjellja e qëndrimi i mençur i asaj gruaje, që arriti në faljen e pajtimin e gjakut.

Jo pa qëllim e vendosa këtë shembull, sepse gratë që lindin e ripërtrijnë jetën e vazhdimësinë e jetës mbi tokë, që lindin e rrisin dhe edukojnë fëmijët e tyre me shumë përkushtim e sakrifica, duhet të jenë faktor i rëndësishë e kryesor për edukimin e brezit të ri me dashuri për familjen e të afërmit, për shokët moshatarë, për miqtë e njerëzit. Gratë janë faktori kryesor për evitimin e gjaknxehtësisë dhe të urrejtjes, që çojnë në vrasje, të cilat janë përhapur shumë pas viteve ’90-të.

Pas viteve ’90-të u ringjallën përsëri që shumica e gjaqeve shkaktohen nga ndarjet padrejtësisht të pronës dhe klanet e drogës etj. Prandaj 250 familje në Shqipëri janë ngujuar dhe, thuhet, 109 fëmijë, që nuk ndjekin shkollën, por duhet të jetë më shumë. Ngujimi dhe dobësitë e shkollës kanë ndikuar në përhapjen e analfabetizmi, që u zhduk deri në moshën 40-të vjeç pas çlirimit të vendit. Janë krijuar Shoqata për pajtim gjaqesh, që kam qenë në kontaktë me njerën prej tyre. Por nuk kam informacion, se sa efektive janë?

Modeli më i mirë i pajtimit të gjaqeve është Kosova, që në vitin 1990 me profesor Andon Çetën në krye ndërmorën aksionin e madh të pajtimit të gjaqeve dhe e realizuan me sukses me pajtimin e bashkimin e gjithë popullit shqiptarë në Kosovë.   Në një mikroshesh të gjelbëruar me barë para Kullës na foli për një historik të shkurtër të Thethit. Para viteve ’90-të ka pas mbi 200 familje. Tani ka pak banorë, sepse janë larguar e vendosur brenda e jashtë shtetit. Kisha para viteve ’90-të është përdorur si çerdhe e kopësht për fëmijë, maternitet dhe spital për të sëmurët me azëm. Kur shkon në Theth, ke frymëmarrje të lehtë, sepse ajri është i pastër e i pasur me ozon.

z.Koçeku na tha, se me ndërrimin e sistemit politiko-shoqëror është vendosur e funksionon Kisha jonë katolike, sepse të gjithë banorët vazhdojnë të jenë katolik. Ai tregoi, se popullsia ka ardhur në Theth 350 vite më parë për të ruajtur fenë katolike, sepse pushtuesit osmanllinj po mislymanizonin shqiptarët me detyrim e dhunë. Të gjithë banorët mbajnë si paraardhës të tyre Ded Nikën, që shpjegohet me lashtësinë e autoktoninë e banorëve, që janë vendosur në Theth për të ruajtur identitetin kombëtarë si fenë e traditat historiko-kulturore nga pushtuesit shekullor otoman.

Kur udhëton për në Theth ke një rrugë të shtruar me asfalt një korsie ngjitjeje e zbritje, që gjarpëron me shumë kthesa të lehta. Largësia është mëse gjysëm ore ngjitja dhe po aq zbritja. Kur zbret për në fshat nga maja e malit e deri në fshat në faqen e malit janë hapur disa pika turistike me hotele e bujtina me emërtime të vendeve të zonës dhe të kompletuara e të pajisura mjaft mirë, si dhe me restorante e kuzhina me ushqime tradicionale të fshatit e krahinave shqiptare, që shërbehet shpejtë e me kulturë.

Të shkosh në Theth për të bujtur vetëm një natë është pak e i pamjaftueshëm, sepse e ke të vështirë të vizitosh e shijosh të gjitha vendet e saj dhe të shijosh bukuritë e mrekullitë natyrore të shumëanëshme e të papërsëritëshme të krahasuar me shumë mrekulli të tjera shqiptare.

Nuk mund të largohesh pa vizituar ujvarat e Grunasit, kanionet e lumin e Shalës, që kalon mes për mes luginës të Thethit, syrin e kaltër, kishën e Muzeun Etnografik. Me siguri ky vend me histori, do të ndërtojë e pasqyrojë traditat historiko-kulturore në një Muze Historik, që do të shërbejë për ruajtjen e traditave shqiptare të kësaj treve të Dukagjinit, por edhe për edukimin patriotik të brezit të ri.

Tefta Cami

Theth,

e dielë, 27 tetor, 2024

Kontrolloni gjithashtu

Një rikujtim i bukur për historinë e 28 Nëntorit të 1912-tës!

Një rikujtim i bukur për historinë e 28 Nëntorit të 1912-tës!

Me rastin e festave të nëntorit, si dhe në  shenjë të përkujtimit të datë së …