Tefta Cani

Tefta Cani: MESAZH DREJTUAR JOVAN MINA BIZHYTIT

Përshëndetje, shoku Jovan!

 Ju falënderoj për librin me titull “Myzeqeja, Vendlindja ime”, që më dërguat si dhuratë!

  Ju përgëzoj për studimet e punën, që keni bërë për përshkrimin me dokumente të historisë shekullore të Myzeqesë!

  Dashuria për atdheun fillon që në familje e krahinë dhe në shkallë kombëtare, që kërkon punën e përkushtimin e madh të secilit. Secili ka për mision të pasqyrojë e përshkruaj episode të jetës e të punës të kohës së tij. E shkruara mbetet, se fjalët i merr era.

   Krishterimi në Iliri ka ardhur që në shekullin e katërt pas Krishtit nga dy apostujt, Pavli e Mateo, që kanë sjellë nga Jeruzalemi Ungjillin e Krishtit. Krishterimi është përqafuar e mbështetur për herë të parë në gadishullin Ilirik, Skenderbe e tani Ballkanik nga ilirët, që kanë ngritur Monumente të Kultit, si Kisha e Manastire në trevat ilire dhe, më vonë, u përvetësuan e tjetërsuan nga pushtuesit romak, sllav ( bullgarë e serbë, kroatë e malazes) e bizantin (grekë). Është e dhimshme se si serbët i kanë përvetësuar e tjetërsuar Kishat e Manastiret ilire në Kosovë. Dhe UNESCO i quan serbe e nuk e ka pranuar Republikën e Kosovës në UNESCO.

  Manastiri i Ardenicës ka qenë shumë i lashtë, që ka trashëguar një bibliotekë të pasur, ku kanë studiuar studius të huaj nga Europa e vende të tjera. Kjo bibliotekë unikale në Europë është djegur në viti 1932. Në vitin 1918 e 1920 ka ardhur një spiun serb i armatosur dhe ka kërkuar të marrë një dokument. Pas tij ka ardhur një spiun rus i armatosur dhe ka kërkuar të blejë një portret, që ndodhet në hyrje të Manastirit. Natyrisht në Shqipëri na mungojnë dokumente, që mund të gjenden në Arkivat e Vatikanit, të Romës, të Venecies, të Vjenës, të Beogradit, të Stambollit etj. Në Arkivin e Vatikanit ka 445 km. dosje vetëm për Skënderbeun, që deri tani nuk janë studiuar. I kam propozuar ASHSH, që të ngrihen grupe studiusish me tematika të posaçme, për të bërë studime në Arkivat e sipërpërmendura.

  – Me të drejtë keni përshkruar ngjarjen e madhe historike të Kongresit të Lushnjës, si të delegatëve të krahinës e të komisionit organizator, ashtu edhe të programit të qeverisë të Sulejman Delvinës etj. Por kontribut kanë dhënë edhe vëllezërit, Ali Fuga, Kasem Fuga e Abaz Fuga, që kanë liruar shtëpinë e tyre për zhvillimin e punimeve të Kongresit të Lushnjës më 1920. Tre vëllezërit kanë qenë të pranishëm në Kongres si dëgjues. Ali Fuga ka pas flamurin e Kongresit dhe ia ka lënë të shoqes, Merzie Fuga dhe tani e ka nipi, Riza Poda. Pronarët nuk janë shpërblyer nga të tri sistemet.

– Keni përshkruar shumë mirë Lëvizjen Patriotike dhe Zhvillimin Ekonomiko-Social Në Myzeqenë e Lushnjës dhe veçanërisht Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare pa subjektivizma e manipulime. Lufta Antifashiste NÇ e udhëhequr nga PK dhe Enver Hoxha, ka qenë e mbetet një nga epopetë e lavdishme të historisë të popullit shqiptarë, që çliroi vendin dhe e lidhi Shqipërinë me fitimtarët e me aleatë të mëdhenj, BS-BRITANINË E MADHE-SHBA. Ata që e mohojnë dhe e deformojnë atë luftë madhështore janë pasardhës të kollaboracionistëve që, fatkeqësisht, janë dekoruar pas viteve ’90-të. E di unë sesi dhe ç’kanë qenë luftrat si bijë dëshmori e me 14 dëshmorë Cami gjatë LANÇ dhe në trungun familjarë me katër breza dëshmorë të atdheut ( babai e xhaxhai, gjyshi e stërgjyshi, kastragjyshi) gjatë Luftës së Parë e të Dytë Botërore dhe në Luftën kundër osmanllinjëve të Hajredin pashës. Camet kanë qenë faktor kryesor në drejtimin e luftrave për mbrojtjen e atdheut kundër pushtuesve të huaj në krahinën e Dibrës.

  -Më tërhoqën përshkrimi i disa personave nga Lushnja, që kanë kontribute. Do të dëshiroja të shkruhej për figurën e kontributin e të ndierës Themije Thomaj, që e bëri Kooperativën Bujqësore të Këmishtajt model për të gjithë Shqipërinë, si Kooperativë e tipit të lartë; si ministre e Bujqësisë që drejtoi, u sigurua prodhimi i bukës në vend, kur në vitin 1945 prodhohej vetëm për 3-4 muaj drithra buke për furnizimin  popullsisë. Në ato vite u ngritën e funksionuan disa Institute në sistemin e Ministrisë të Bujqësisë, që i shkatërruan pas viteve ’90-të, siç u shkatërua gjithçka që qe ndërtuar për 45 vite në Sistemin Socialistë nga tri breza me urdhër të kryetarit të Partisë Demokratike. Është e dhimbshme që pas viteve ’90-të Shqipëria furnizohet me drithëra nga Serbia.

Ja ku u katandis Shqipëria!

  Nderime!

Tefta Cami- ish- ministre e Arsimit dhe Kulturës

Tiranë, e diel, 21 maj, 2023

 

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …