TEFTA CANI: NJË TAKIM MBRESËLËNËS NË DITËN E JETIMËVE NË BASHKINË E TIRANËS II

TEFTA CANI: NJË TAKIM MBRESËLËNËS NË DITËN E JETIMËVE NË BASHKINË E TIRANËS II

Në vitin 2019 ka hapur tek Muzeu Kombëtar një ekspozitë me 80 vepra të tij me rastin e 80 vjetorit të lindjes. Skulptori është i njohur dhe ka krijuar një traditë të bukur në punimet me mermer e alabastër, gurë natyral e qeramikë, instilacione metalike, vepra konceptuale, grafike e imazhe të universit, si dhe postera e fotografi etj për 63 vjet.

    Ekspozita ka pasqyruar një udhëtim artistik ndër vite të skulptorit dhe çelet me praninë në vepra të figurës së femrës, të ëndërrave e dashurisë, si dhe të perspektivave moderne dhe prirje drejt artit modern të perëndimit.

    Në Ekspozitën e 80 vjetorit të Çulit janë paraqitur vepra e punime të paekspozuara më parë si, “Vajza në heshtje” ( dru arre, 1965), “Dashuria” (mermer gri 2007), “Zogu Rrezatues” (mermer i bardhë, 2008), “Obelisk” (2011), “Në hapsirat e universit” (alabastër, 2013), “Rrezatime universi” (material miks, 2013), skulptura e parkut “Kapriço gurrësh” (gurë natyror, 2014), “Tre dezanjo me ngjyra mbi universin” etj.

     8. z.Bashkim Alibali, që njihet si një nga këngëtarët më të dëgjuar e të shquar në Shqipëri. E ka filluar karjerën e tij që në kopësht  dhe është dalluar në festivalet kombëtare  të fëmijve në Shkodër. Kujtohen me nostalgji shumë këngë të bukura, që ka kënduar z.Bashkim Alibali ndër të cilat: “Nata e fundit e studentit”, “Në duart e nënës”, “S’ma njohe zemrën”, “S’e kam të lehtë”, “Mes bukurive”, “Shalli i kaltërt i rinisë”, “Rritu moj vajzë malësie!”, “Lulet e mollës”, “Urimi i ditëlindjes”, “Borë me hekë”, “Nënës time”, “Për ty baba”, “Motrës time”( Duet me E.Jubani), “Për herë me ty” ( Duet me Nertila Kokën). Këngëtari Alibali ka marrë pjesë në disa festivale të RTVSH-ës dhe ka fituar disa çmime. Ai vazhdon të këndojë dhe të gëzojë e frymëzojë dëgjuesit, duke dhënë mesazhe mësimdhënëse për familjen e shoqërinë e sotme.

     9.Këngëtarja, znj.Irma Libohova, që është e dëgjuar dhe e shquar kryesisht me këngët e muzikës së lehtë dhe popullore. E ka filluar karjerën si këngëtare që në kopësht dhe ka vazhduar në rrethin e kantos tek Shtëpia e pionierit në Tiranë. Ka marrë pjesë në shumë festivale të RTVSH-ës që në moshë të re dhe ka qenë në mjaft festivale e propozuar për çmimin e parë apo të dytë. Janë të njohura këngët e kënduara nga znj. Irma: “Kënga e nënës”, “Më dhe dritë nga syri yt”, “Kush ka vajza, botën ka” qe e ka kënduar për herë të parë në dasmën e vajzës time Almës në vitin 2000, “Kavash, Kavash”, “Kënga dhe dashuria”. Por njihen me dhjetra e qindra këngë të muzikës së lehtë e popullore, që ka kënduar e vazhdon të këndojë znj.Irma, duke rezatuar mesazhe mësimdhënëse.

    10.znj.Myfarete Laze, këngëtare e shquar e këngëve të muzikës së lehtë e popullore. Kujtohen me nostalgji shumë këngë të muzikës së lehtë e popullore, që ka kënduar e vazhdon të këndojë këngëtarja me një zë të veçantë si znj.Myfarete dhe kryesisht për këngët: “Lule t’bukura sjell pranvera”, “Nëse një ditë”, “Udhët e atdheut na thërrasin”, “Trupi i vegjëlisë”, “Zëri i vendit tim”, “Jare shkodrane” (duet me Frederik Ndocin), “Atdhe të përshëndes”, “Kur çelin bozhuret”, “Nën kurorën e ullirit” e të tjera. Në të gjitha tekstet e muzikën e këngëve të para viteve ’90-të jepeshin mesazhe të dashurisë e nderimit ndaj familjes e shoqërisë dhe kryesisht të dashurisë nda atdheut e popullit shqiptar.

    11. Këngëtarja Liljana Kondakçi ka lëvruar këngët qytetare e të muzikës së lehtë, baladën e këngët rock e të tjera. Që në fëmijëri ka kënduar dhe ka shprehur dashurinë e pasionin gjatë gjithë kohës për të kënduar me elegancë. Ka marrë pjesë në festivalet e këngës në RTVSH-ës dhe me këngët e saj ka dhënë mesazhe të rëndësishme për dashurinë ndaj familjes e atdheut, ndaj punës e shoqërinë.

     Znj.Liljana Kondakçi njihet edhe si aktore, që ka interpretuar në vitin 1975 në filmin e Kinostudios “Shqipëria e Re” me titull “Udhëtim në pranverë” me rolin kryesor të atij filmi të Valbonës, që udhëton me aktorin Minella në disa qytete të Shqipërisë për t’iu bashkuar  trupës së ansamblit. Filmi shoqërohet me zërin e saj të bukur dhe të këngëtarëve të tjerë. Skenaristi i filmit z.Gjergj Vlashi e ka ndërtuar subjektin me shumë fantazi, ku ka përfshirë edhe aktorin e shquar, Nikolin Xhoja, si dhe aktorët e përzgjedhur z.Minella Borova, znj. Krisanthi Kotmilo, z.Fredi Gusho dhe z.Spiro Strati (Kiu). Këtë film e shoqëron muzika e kompozitorit dhe këngëtarit të shquar Avni Mula “Artist i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”, që shquhet për krijimtari kombëtare e frymë popullore.

    Artistja znj. Liljana Kondakçi ka interpretuar në vitin 1978 në filmin e Kinostudios “Shqipëria e Re” me titull “Edhe në pyjet me borë ka jetë” me rolin e mësueses, ku ka interpretuar me aktorët e mëdhenj si me Artistët e Merituar Rikard Ljarja e Guljem Radoja dhe Beb Shiroka, si dhe aktoren e shquar Marjeta Ljarja. Skenarist i filmit është i njerit nga shkrimtarët më të njohur e të shquar, z. Zija Çela, regjizor Rikard Ljarja dhe muzikë nga kompozitori i madh “Artisti i Popullit” Agim Krajka kanë harmonizuar me shumë art të gjitha episodet e filmit.

    12. Sopranija znj.Shqipe Zani, që ka filluar të këndojë që e vogël dhe është shquar për vokalin e saj. Pasi ka mbaruar studimet në Institutin e Lartë të Arteve, ka punuar në Teatrin Kombëtar të Operës e Baletit dhe është bërë e njohur me këto role:

  -Në vitin 1974 me rolin e Davës në operën shqiptare “Mrika” me muzikë të kompozitorit të shquar Prenk Jakova.

  -Në vitin 1976 me rolin e shoqes në operën shqiptare “Komisari” dhe muzikë të kompozitorit Nikolla Zoraqi.

  -Në vitin 1976 me rolin e Lules në operën shqiptare “Zgjimi” me muzikë të kompozitorit Tonin Harapi.

  -Në vitin 1977 me rolin e Afrovitit në operetën “Karnavalet e Korçës” me muzikë të kompozitorit Avni Mula.

  -Në vitin 1978-Është regjistruar në RTVSH opereta “Karnavalet e Korçës”  me kompozitor Avni Mulën dhe Orkestra e TOB.

   -Në vitin 1982 me rolin e Myzetës në operën “Bohema” Xhakomo Puçini

   -Në vitin 1983 me rolin e Fraskitës” në operën “Karmen” Zhorzh Bize.

  -Në vitin 1984 me rolin e Rozinës në operën “Berberi i Seviljes”, Xhoamim Rosini.

   -Në vitin 1985 me rolin e Toskës në operan “Toska” të Xhakomo Puçinit.

    -Në vitin 1986 me rolin e Xhildës nga opeta “Rigoleta” të Xhuzepe Verdit.

  -Në vitin 1987 me rolin e Çoçasanit nga opera “Baterflaj” të Xhakomo Puçinit.

  -Në vitin 1989 me rolin e Nedes  nga opera “Paliaçi” të Leon Kavalo.

   -Në vitin 1990 me rolin e Elit tek opereta “Liceistët” të kompozitorit shqiptar Josif Minga.

   -Në vitin 1990 Koncert recital  me 16 pjesë nga repertori i huaj e shqiptar.

   -Në vitin 1991 me rolin e Leonorës tek opera “Trovatore” të Xhuzepe Verdit.

   Znj. Shqipe Zani ka vazhduar të punojë si pedagoge në Universitetin e Arteve dhe ka dhënë njē kontribut tē madh për përgatitjen e këngëtarëve të rinj dhe kualifikimin e saj si profesore e doktore shkencash. Eshtë një ikonë e model pune e përkushtimi për kolegët e saj.

    E përshkrova aktivitetin kryesor të artistes Shqipe Zani, për të paraqitur shembuj konkret, që para viteve 90-të kontributin e saj si dhe faktin që Teatri Kombëtar i Operës e Baletit përgatiste katër premiera me opera në vit, dy opera me kompozitor shqiptar dhe dy me kompozitor të huaj.

    Edhe para viteve 40-të  janë bërë përpjekje nga krijues të muzikës e të letërsisë shqiptare për shkrimin e libreteve e të operave siç është opera “Arbëreshë” me libret te Gjergj Fishtës dhe muzikë të Lec Kurtit në vitin 1915. Janë gjetur në AQSH nga mjeshtri Zhani Ciko mjaft materiale të autorëve të shquar të muzikës operistike, të cilët kanë synuar të krijojnë e kompozojnë krahas gjithë europës, ndonëse në Shqipëri nuk kishte Teatër të Operës e Baletit. Kompozitorët e shquar shqiptar krijuan opera e opereta me shumë vlera me tema historike e shoqërore edhe pas viteve ’50-të, siç njihet si opera e parë shqiptare me titull “Mrika” e kompozitorit Prenk Jakova dhe me libret të Llazar Siliqit, që u vu në skenë në teatrin “Migjeni” në vitin 1958-të me trupën amatore të Shkodrës. Në çfaqjen e parë ka marrë pjesë edhe Enver Hoxha dhe e ka përgëzuar kompozitorin e shquar Prenk Jakova, si dhe i ka kërkuar të shkruaj një opera për heroin kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbe, që Prenk Jakova e ka realizuar dhe është çfaqur nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit.

    13. Piktori i kinematografisë, Artisti i Merituar, z.Shyqyri Sako u nderua me Çerifikatë Mirënjohje nga Bashkia e Tiranës. Mësimet e para i mori në Korçë nga dy Artistët e Popullit Vangjush Mio dhe Guri Madhi. Studimet e larta i vazhdoi për tre vjet në Moskë në degën piktor filmi dhe, pasi u kthye nga BS, sepse u prishën marrëdhëniet midis Shqipërisë e BS, vazhdoi studimet e u dipllomua në Institutin e Lartë të Arteve në Shqipëri. Ka filluar punë në Kinostudion “Shqipëria e Re” si piktor filmi, ku ka realizuar me sukses filmin e parë “Detyrë e posaçme” dhe në shumë filma të tjerë si: “Toka jonë”, “Vitet e para”, “Komisari i dritës”, “Duel i heshtur”,  “Horizonte të hapura”, “Njësiti gueril”, “Kapedani”, “Operacioni zjarri”, “Rrugë të bardha”, “Rrugicat, që kërkonin diell”, “Dimri i fundit”, “Mësonjtorja”, “Radiostacioni”, “Shpella e piratëve deri në filmin e fundit në vitin 1998 me titull “Plumba prej plasteline”. Në Arkivin e Kinematografisë pas ndërrimit të sistemit kam gjetur edhe skicat e piktorit Sako të filmave të tjerë, që parashikoheshin të prodhoheshin. Është shquar si një piktor me fantazi në krijimtarinë e filmave. Por nuk u ndjeva mirë në Arkivin e Kinematografisë që, megjithëse është një objekt strategjik, nuk kishte roje gjatë 24 orëve.

     14. znj. Silvana Braçe e bukur e mençur dhe fisnike. Që në fëmijëri kanë spikatur prirjet e saj për artin, për baletin. Që kur ishte gjimnaziste 15 vjeç ka filluar si spikere në Radio Tirana. Megjithëse ka mbaruar Universitetin e Tiranës në Fakultetin Ekonomik, dega financë, ku punoi në atë profesion pak vite, sepse dashuria e pasioni për RTVSH-ën e tërhoqi dhe punoi si prezantuese kryesore në Televizionin Shqiptar kryesisht në emisionet për muzikën dhe me të ftuar muzikantë e këngëtarë. Prezantimi i znj. Silvana karakterizohej nga pamja e bukur e fine e saj, nga diksioni e pstërtia e shqiptimit të tingujve e fjalëve të gjuhës shqipe, nga diksioni tërheqës, nga përmbajtja e emisioneve si misionare e transmetimit të njohurive të muzikës e të këngës. Emisionet e znj. Silvana janë një pasuri e veçantë në TVSH-ën.

   Edhe pas viteve ’90-të znj. Silvana Braçe ka prezantuar koncerte të shqiptarëve në SHBA, në Angli, në Vendet Skandinave, në Belgjikë, në Zvicër, në Gjermani, në Itali e vende të tjera.

     U gëzova, që e takova znj.Silvana, e cila ruan freskinë e bukurinë dhe finesën e dikurshme, sepse ajo mendon e projekton dhe punon, sepse vetëm studimi e puna intelektuale dhe fizike të gjallëron e rinon.

    15. Këngëtarin Kozma Dushi ma zuri syri, në radhën e tretë, kur po merrja Çertifikatën e Mirënjohjes tek podiumi. Ka filluar të këndojë që në moshë të vogël ashtu si gjithë këngëtarët e tjerë. Prirjet fillojnë të shfaqen që në fëmijëri, që prindërit dhe mësuesit i zbulojnë dhe u krijojnë kushte e mundësi për t’i zhvilluar e përsosur më tej. Pas mbarimit të shkollës së mesme ka punuar për ca kohë në Estradën Profesioniste të Beratit dhe me mbarimin e Institutit të Lartë të Arteve në Tiranë, ka punuar në Ansamblin e Shtetit. Ka marrë pjesë në Festivalin e 15 të këngës në RTSH dhe vazhdon të këndojë.

    Është i njohur kudo në Shqipëri e në viset shqiptare përtej kufirit dhe kudo në botë nga shqiptarët si një nga këngëtarët më të mirë të muzikës së lehtë shqiptare dhe ka marrë pjesë dhe është shquar në disa festivale pavarësisht çmimeve. Nuk janë kurdoherë çmimet tregues të cilësisë të këngëve. Por këngët e kënduara nga z.Kozma Dushi janë mësuar e kënduar nga të rinjtë ndër vite. Kujtohen me nostalgji disa nga këngët e kënduara prej tij si: “Lule në dritare”, “Erdhi pranvera”, “Vajza dhe deti”, “Vagabondi”, “Eja o shoku ynë”, “Mosha” (duet me znj. Myfarete Lazen), “Lot me ty o djal se ta di merakun”, “Të më vini pa trokitur”, “Të fala zemrën time”, “Ndodh në jetë qe papritur” , “Kaloi një flutur”, “Kënga e zemrës”, “Një kafe”, “Shoku im”, “Besoj tek dashuria”, “Shiu i verës”, “Kur hyj në Mangalem”, “Nuk dua lot në sy”, “Ëndërr mbete ti”, “Kur ishim studentë”, “Ngrejmë dolli”, “Vajzë moj”, “Kur xhirohej një film”, “Besoj veç në dashuri”, “Mos më lini të shkoj!” e shumë këngë të tjera.

    16. znj. Merita Bozo, e rritur jetime dhe është arsimuar e punon prej vitesh si laborante në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” në Tiranë. Shquhet për dashurinë e korrektësinë në punë dhe në marrëdhëniet shoqërore.

     17. Prof.dr.Alma Cani, shefe e Reanimacionit dhe n/drejtoreshë e Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi” në Tiranë. Si vajza ime ishte e pranishme me mua në këtë takim. Gjatë luftës kundër pandemisë Covid-19-të është shquar nga Bashkia e Tiranës si Reanimacion dhe shefe si “Heroina e Tiranës”, që kanë kuruar e shëruar qindra e qindra të sëmurë me Covid-19-të dhe pas covid. Krenohem me Almën për dashurinë ndaj pacientëve e profesionalizmin dhe për gatishmërinë e përkushtimin e madh. Kohët e fundit kuroi e shëroi kompozitorin e shquar, z.Limoz Dizdari.

    18. Tefta Cami-ish ministre e Arsimit dhe Kulturës. E kam drejtuar Ministrinë për 11 vjet me 80 punonjës, ku 15 vetë ishin të administratës. Prej vitesh ajo Ministri është ndarë në 3-4 ministri me nga 140 punonjës dhe me një teknologji bashkëkohore. U nderova me Çertifikatë Mirënjohje nga kryetari i Bashkis së Tiranës, z.Erijon Veliaj.

    Do të duhej një shkrim i gjatë të shkruaj për zhvillimet e arsimit e kulturës dhe arteve, të shkencës e sporteve të para viteve ’90-të. Pas viteve ’90-të jam bërë e njohur nga disa, që më kanë vlerësuar mirë dhe nga disa të tjerë, që më kanë paragjykuar e përgojuar. Pas viteve ’90-të më nxuarrën në pension të parakohëshëm dhe u çlirova nga detyrimet shtetërore. U mora me studime në AQSH dhe në Bibliotekën Kombëtare, në Arkivin e MPJ për fushat e historisë të Luftës Nacional Çlirimtare në Dibër, për marrëdhëniet me Kosovën e viset e tjera shqiptare në Jugosllavi në fushat e arsimit e kulturës, të shkencës e sporteve, për zhvillimet e arsimit e kulturës në Shqipëri gjatë viteve që kam qenë ministre e Arsimit dhe Kulturës e të tjera. Mbi bazën e studimeve kam bërë botime si disa libra dhe shkrime në shtyp. Vazhdoj të studjoj e shkruaj si dikur.

      Shumica nga ne mbetëm jetim nga Lufta e Dytë Botërore gjatë pushtimit nazifashistë e pasojave të luftës dhe nuk arritëm t’i njihnim baballarët tanë. I njohëm, kur u rritëm miqtë apo kundërshtarët e tyre. I shërbyem ndonjerit, që s’e meritonte, sepse na dilnin përpara mjaftë të panjohura.  Prandaj ne e urrejmë luftën dhe luftënxitësit, që vrasin njerëz, që lejnë fëmij jetim, që shkatërojnë vendet dhe krijojnë një atmosferë frike e pasigurie për popujt, siç po ndodh me agresionin e Rusis në Ukrahinë. Ne e dënojmë këtë luftë të padrejtë, pushtuese e vrastare dhe shkatërimtare të Rusisë ndaj Ukrahinës.

     Ne ish-fëmijve jetim na ka takuar të rritemi më shpejtë se moshatarët tanë, të mësojmë më shumë, të ecim e të vrapojmë më shpejtë, që të krahasoheshim e barazoheshim me fëmijët e tjerë me prindër, të bëheshim si gjithë të tjerët.

     Ndjeva kënaqësi që i pashë dhe u përshëndeta me këta artistë të shquar, që kanë bërë histori në fushën e kinematografisë e të arteve dhe fusha të tjera.

      Gjatë dorëzimit të Çertifikatave të Mirënjohjes nga n/kryetari i Bashkisë së Tiranës, z.Andi Seferi falenderuan e folën të gjithë ata që muarrën Çertifikatë  Mirënjohje. Fola edhe unë:”Falenderoj Bashkinë e z.Andi për Çertifikatën e Mirënjohjes! Falenderoj Bashkinë, që e ka zbukuruar Tiranën dhe kam besim, se do ta zbukurojnë me vepra arti që nga Teuta e Ilirisë me gjithë emblemat e shqiptarisë!”

 Tefta Cami,ish-ministre e Arsimit dhe Kulturës

Tiranë, 15 qershor, 2022

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …