Kryetari i Komunës së Malishevë, z. Ekrem Kastrati ka ngushëlluar familjen Morina, Klubin e Futbollit Malisheva, dhe të gjithë sportistët e sportdashësit për ndarjen e parakohshme nga jeta të Erjon Morinës.
Në telegramin e ngushëllimit të kryetarit Kastrati thuhet:
Me dhimbje të thellë morëm lajmin e trishtë për ndarjen e parakohshme nga jeta të futbollistit tonë, Erjon Morina. Sot, Malisheva dhe mbarë Kosova humbën një sportist të dalluar, i cili me përkushtim e pasion dha një kontribut të çmuar në disa klube futbolli.
Ikja e tij në lulen e jetës na la të tronditur e të pikëlluar të gjithëve. Në këto momente të rënda, shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen e tij të nderuar. Jemi pranë jush me zemër e me mendje.
Ngushëllime të përzemërta edhe për FC “Malisheva”, klubin e Vushtrrisë, shokët e tij të skuadrave dhe të gjithë sportistët e sportdashësit për ndarjen nga jeta të Erjonit.
Në emër të Komunës së Malishevës dhe në emrin tim personal, ju shprehim solidaritet dhe mbështetje në këto momente të vështira. Kujtimi për Erjonin do të jetojë përgjithmonë në zemrat tona.
Me respekt e dhimbje,
Ekrem Kastrati
Kryetar i Komunës së Malishevës