Tërheqja e Qeverisë së Kosovës nga projekti për ndërtimin e infrastrukturës së gazit të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit e Qeverisë së SHBA-së (MCC) ka hasur në kundërshtime nga partitë opozitare në Kosovë. Reagime për këtë kanë ardhur edhe nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, që e ka quajtur vendim të ngutshëm. Ramush Haradinaj lider i AAK-së, në një konferencë për media të premten, tha se Qeveria e Kosovës po rrezikon partneritetin me Amerikën. Reagime ka pasur edhe nga LDK. Sipas tyre Kurti refuzoi projektin më gjeostraregjik amerikan në Ballkan, që do t’i siguronte shtetit furnizim me gaz e së këndejmi dhe tranzicionin e nevojshëm energjetik. Një ditë para tërheqjes së Qeverisë së Kosovës nga ky projekt PDK ka kërkuar aprovimin e projektit amerikan për infrastrukturën e gazit dhe termocentralin me gaz. Anulimi i planeve për ndërtimin e infrastrukturës së gazit sipas kësaj partie, “do të ishte një humbje e madhe për qytetarët”.
