Me qëllim për të larguar vëmendjen e opinionit të brendshëm nga kriza politike, që ka përfshirë vendin nga nënshkrimi i marrëveshjeve me Serbinë, kryeministri, Mustafa, ka mbledhur Këshillin e Sigurisë, ku u shqyrtua gjendja e sigurisë në vend. Policia e Kosovës me këtë rast i ka bërë thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës që të rrisin vigjilencën dhe të shmangin, kurdo që kanë mundësi, sidomos vendet shumë të frekuentuara, siç janë koncertet, ndeshjet sportive, klubet e natës, stacionet e autobusëve apo qendrat tregtare. Mustafa theksoi se terrorizmi tashmë është një rrezik real për qytetarët e Evropës dhe më gjerë, duke kërkuar shtimin e masave të sigurisë nga të gjitha institucionet e shtetit, në mënyrë që Kosova të jetë e përgatitur në të gjitha aspektet, që të përballet me kërcënimet eventuale të ekstremizmit të dhunshëm, terrorizmit dhe krimit të organizuar.
Terrorizmi në Kosovë vjen vetëm nga Serbia, me të cilën, Qeveria e Kosovës nuk ka raporte të këqija, por raporte të forta partneriteti, madje shumë më të forta sesa raportet me opozitën në Kuvend e në vend. Me përhapjen e frikës nga sikur quhet, “terrorizmi islam”, Qeveria po përpiqet të ndalojë protestat dhe grumbullimet e qytetarëve, të cilët po kundërshtojnë fuqishëm marrëveshjet antikombëtare që kjo Qeveri ka nënshkruar me Serbinë, në Bruksel, më 25 gusht të këtij viti. Gogolin e “terrorizmit islamik” Qeveria me disa medie që i kontrollon dhe i financon, po e përdor për të arritur qëllimet e veta në diskreditimin e opozitës, duke i ndjekur dhe duke i arrestuar deputetët dhe duke i dënuar me burg pjesëmarrësit në protestat kundër Asociacionit serb në veri dhe kundër Demarkacionit me Malin e Zi.