Tetë persona janë vrarë dhe disa tjerë janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri, brenda një objekti të përdorur si kishë nga Dëshmitarët e Jehovait, në qytetin verior gjerman të Hamburgut, dje në mbrëmje, ka konfirmuar Policia e Gjermanisë. Policia e Hamburgut tha gjatë natës ishte vetëm një sulmues dhe se besohet se ai ishte në mesin e të vdekurve. Ata bënë të ditur se pasi oficerët arritën dhe gjetën njerëz me plagë të dukshme me armë zjarri në katin e parë, ata dëgjuan një të shtënë në katin e sipërm dhe gjetën një person të plagosur rëndë aty, për të cilin dyshohet se mund të ketë qenë sulmuesi. Hetimi për motivin e krimit po vazhdon, tha policia. Dëshmitarët e Jehovait janë pjesë e një kishe ndërkombëtare, e themeluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në shekullin e 19-të, me seli në Uaruik të Nju Jorkut. Kisha pretendon se ka një anëtarësim prej rreth 9 milionë besimtarëve në mbarë botën, ndërsa rreth 170 mijë në Gjermani.
