Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë vizitës në Universitetin e Kozencës në Itali, ka thënë se Kosova gjithmonë ka qenë e gatshme që në forma të ndryshme t’i mbështesë vendbanimet dhe kulturën arbëreshe. Ai gjatë takimit me rektorin e këtij universiteti, Gino Mirocle Crisci, është njoftuar nga ky i fundit me punën e institucionit, duke përfshirë në mënyrë të veçantë kontributin e departamentit të albanologjisë. “Në këtë universitet studiojnë edhe të rinj nga Kosova”, tha rektori Crisci. Ndërsa, profesori Françesko Altimari prezantoi të arriturat albanologjike, duke u ndalur me theks të veçantë te botimet e shumta të trashëgimisë letrare arbëreshe. Duke i përgëzuar për të arriturat e universitetit, kryetari Thaçi theksoi se ndjehet krenar për mënyrën se si studiohet, botohet dhe ruhet trashëgimia letrare dhe kulturore arbëreshe. “Për ta mbajtur të pashkëputur lidhjen tonë, Kosova gjithmonë ka qenë e gatshme që në forma të ndryshme t’i mbështesë vendbanimet dhe kulturën arbëreshe”, ka thënë Thaçi. Ai me profesorët e Universitetit të Kozencës ka diskutuar edhe për organizimin e projekteve të përbashkëta kulturore dhe albanologjike, si konferenca, seminare dhe kongrese në fusha të ndryshme me interes të përbashkët. Gjithashtu, kryetari ka vizituar edhe laboratorët e teknologjisë HighTech dhe laboratorët e tjerë të Universitetit të Kozencës, të cilët kontribuojnë në ngritjen e kompanive prodhuese. Me këtë rast ai ka thënë se implementimi i marrëveshjes mes Universitetit të Prishtinës dhe atij të Kozencës i hap perspektivë talentëve të Kosovës në këtë fushë me perspektivë globale.
Kontrolloni gjithashtu
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …