Hashim Thaçi: Caktimi nga ana e BE-së i Miroslav Lajçakut për të zgjidhur problemin Kosovës, është ofendim

Thaçi e fton pozitën dhe opozitën që të miratojnë një platformë të përbashkët për dialogun me Serbinë

Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi ka ftuar partitë në pushtet dhe opozitë që të miratojnë një platformë të përbashkët për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, duke i ftuar që të gjithë, siç tha ai, “pa dallim” që të marrin pjesë në këtë proces. Këto komente ai i bëri të shtunën gjatë një konference për media. “Ftoj të gjitha partitë politike kosovare të pozitës dhe opozitës të bashkohen rreth një platforme, një qëllimi, të miratojnë një platformë të përbashkët dhe të marrin pjesë të gjithë pa dallim në këtë proces. Interesi i përbashkët i Kosovës mbrohet dhe avancohet vetëm me pjesëmarrje të përgjegjshme, konstruktive në procesin e dialogut në Bruksel dhe jo duke tentuar që të minojnë përpjekjet për të arritur marrëveshje paqësore Kosovë-Serbi ligjërisht të obligueshme në rrafshin ndërkombëtar, por edhe që nënkupton njohjen reciproke”, tha Thaçi.

Kjo marrëveshje, sipas tij, Kosovës i hap rrugë të sigurt të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, NATO dhe organizatën e Kombeve të Bashkuara. Thaçi tha se ideja e tij për ndryshimin e kufirit, apo siç e quan ai “korrigjim”, nuk ka për qëllim që Kosova dhe Serbia të kenë kufi me vija etnike. “Në çdo angazhim që do të kemi do të punojmë që të ruhet shpirti, substanca dhe realiteti multietnik i Kosovës. Nuk do të ketë kufij në vija etnike. Natyrisht unë kam dhënë njërën nga idetë që në kuadër të marrëveshjes përfundimtare të përfshihet edhe korrigjimi i kufirit, ku do të integrohet Presheva, Medvegja dhe Bujanoci. Prandaj, vlerësoj se është e realizueshme”, tha Thaçi.

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë ditës së shtune është takuar me liderët e tjerë të partive në pushtet. Në këtë takim ata kanë hartuar një draft-rezolutë për dialogun. Në këtë dokument gjashtë pikësh, kërkohet që çdo marrëveshje eventuale me Serbinë, të kalojë përmes Kuvendit të Kosovës. Duke komentuar këtë takim, ai tha se çdo takim liderësh që ka për qëllim koordinimin për procesin e dialogut, ai e mirëpret. Ai tha se Kuvendi nuk do të anashkalohet nëse Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje, por sipas tij, askush nuk mund ta tejkalojë as mundësinë e mbajtjes së referendumit. “Unë do të punoj me të gjithë që edhe në fazën finale, për një Kosovë të pavarur, sovrane, unike duke respektuar sovranitetin e saj. Por, në të njëjtën kohë, çdo marrëveshje eventuale do të kalojë përmes Parlamentit të Kosovës dhe nuk mundet askush ta tejkalojë Kuvendin, por edhe mundësinë e referendumit”, u shpreh Thaçi. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Bashkimi Evropian, si palë ndërmjetësuese në këtë proces, kërkon që të dyja vendet, në fund të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e raporteve. Kjo marrëveshje, veç tjerash. pritet që t’u hapë perspektivën integruese të dyja palëve.

Kontrolloni gjithashtu

Albin Kurti: Brukseli dhe Uashingtoni bënë padrejtësi ndaj Kosovës duke i vendosur masa ndëshkuese

Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar

Albin Kurti,  në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …