Sot në orën 11:00 në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë u bë inaugurimi i Hashim Thaçit në postin e kryetarit të Republikës së Kosovës. Në një ceremoni ku mbizotëronin flamujt multi-etnik të Ahtisaarit e nën masa të shtrënguara të sigurisë, Thaçi në praninë e delegacioneve të shumta dhe ambasadorëve të huaj, u zyrtarizua solemnisht në krye të shtetit. Ai iu drejtua tribunës teksa doli nga selia e Presidencës i shoqëruar nga paraardhësja e tij, Atifete Jahjaga. Kjo e fundit në mënyrë simbolike i dorëzoi Thaçit Kushtetutën e vendit, për të cilën ai premtoi se do të jetë rojtar i saj. Më tej, Thaçi nisi fjalimin e përgatitur enkas për këtë ngjarje. Me një gjuhë me ton të ftohtë, ai nuk përmendi askund luftën çlirimtare të UÇK-së dhe as familjen Jashari. Thaçi nuk përmendi as gjenocidin serb në Kosovë dhe as planet obstruksioniste të Beogradit, por u mjaftua me thirrje për vazhdimin e dialogut. “Qytetari i Kosovës është hero, sepse ai kujton por falë por nuk harron e nuk hakmerret. Është krenar, ngrihet mbi të kaluarën e hidhur e pajtohet për të ardhmen ndritshme. Heronj janë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Unë jam vetëm një president i thjesht i një populli heronjsh”, tha ndër të tjerash Thaçi. Me gjithë masat e rrepta të sigurisë, aktivistë të Vetëvendosjes arritën të hedhin gaz lotsjellës, çka nxiti reagimin e pjesëtarëve të Policisë. Në këtë ceremoni të pranishëm ishin krerët e shtetit shqiptar si kryetari, Bujar Nishani, kryeministri, Edi Rama dhe kryekuvendari, Ilir Meta si dhe lideri i shqiptarëve në Maqedoni, Ali Ahmeti. Pavarësisht ftesës, përfaqësuesit e familjes Jashari nga Prekazi bojkotuan këtë ceremoni.
Kontrolloni gjithashtu
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …