Kryetari, Hashim Thaçi i ka quajtur spekulime paralajmërimet e ambasadorëve, të cilët kanë thënë se lëvizja për shfuqizimin e Gjykatës Speciale është tejet e rrezikshme për të ardhmen e Kosovës. Thaçi ka thënë me këtë rast se shoqëria dhe udhëheqja e Kosovës mbeten plotësisht të angazhuara për demokraci e sundim të ligjit. “Midis spekulimeve është e rëndësishme që të gjithë të vazhdojnë të jenë të sigurt për të ardhmen e Kosovës dhe proceset e saj demokratike. Shoqëria dhe udhëheqja e Kosovës mbeten plotësisht të angazhuara për demokraci, sundim të ligjit, pajtim, dialog dhe marrëdhënie në baza të barabarta dhe të drejta, ka shkruar ai. Nisma e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Ramush Haradinajt, drejtues të tri institucioneve kryesore të vendit, për ta proceduar shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale ka dështuar në mungesë të kuorumit.
