Thaçi

Thaçi, komisarit Hahn: Nuk ka Shqipëri të madhe apo të vogël, por ka vetëm Shqipëri dhe Kosovë

Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas  deklaratës së  komisionarit të BE-së për zgjerim, Johannes Hahn, i cili i ka quajtur të papranueshme deklaratat për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë. Në një postim të tij kryetari Thaçi ka shkruar: “Komisioneri Hahn, i prekur nga shqetësimet e Serbisë, paska shprehur zhgënjimin e tij për deklaratat që gjoja përfshijnë tendencat për krijimin e Shqipërisë së Madhe. Për më tepër, ai paska shtuar se BE-së nuk mund t’i bëhet presion me deklarata të tilla. “Fatkeqësisht, një deklaratë e tillë e një komisioneri të BE-së dëshmon saktësisht atë që e kam thënë shumë herë deri më tash, se BE-ja ka mungesë të lidershipit dhe vizionit për konkretizimin e perspektivës evropiane për Kosovën”, ka shtuar ai. “Kjo qasje dëshmon se BE-së, në rastin më të mirë, nuk i bëhet vonë kurrë për Kosovën. Ndërsa, në rastin më të keq, as që do t’ia dijë fare.

Diskriminimi dhe izolimi i qytetarëve tanë sot, flet shumë më tepër se deklaratat monotone të disa zyrtarëve të BE-së që përsëriten që nga viti 2000”, ka thënë Thaçi. Ai ka thënë se projekti i Shqipërisë së Madhe është produkt i propagandës së Serbisë për të realizuar projektin e Serbisë së Madhe, i cili tashmë pothuajse funksionon nën hundën e BE-së. “Nuk ka Shqipëri të madhe apo të vogël, por ka vetëm Shqipëri dhe vetëm Kosovë. Dhe do të ishte mirë që edhe BE-ja ta pranojë këtë realitet dhe të fillojë ta trajtojë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran”, ka thënë Thaçi.

 

Kontrolloni gjithashtu

Sot në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë mbahet mesha për Ditën e Pashkëve për besimtarët katolikë

Sot në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë, duke filluar në ora 11.00 mbahet mesha …