Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, ka inkurajuar Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës që pa vonesa ta ratifikojnë Marrëveshjen për demarkacion e kufirit me Malin e Zi, sipas versionit të nënshkruar në vitin 2015. “Unë qëndroj fuqishëm pas atij nënshkrimi (të marrëveshjes) dhe vlerësoj se ka qenë i drejtë. Ka opinione të ndryshme, por faktet nuk ndryshojnë. Kemi vlerësimet e Komisionit shtetëror të Kosovës, ekspertëve ndërkombëtarë, vlerësimeve të NATO-s, SHBA-së, Bashkimit Evropian dhe nuk e dimë se me kë tjetër të konsultohemi”, ka deklaruar Thaçi, duke i ftuar Qeverinë dhe Kuvendin të procedojnë tutje me ratifikim pa vonesa.
Thaçi: Nëse duam liberalizimin e vizave, duhet të ratifikohet demarkacioni me Malin e Zi
“Kushdo që kërkon ekspertizë akademike, duke tejkaluar ekspertizat e NATO-s, Uashingtonit e Brukselit, besoj se këto janë të dëmshme. Nëse duam liberalizimin e vizave, duhet të ratifikohet Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi e nënshkruar në gusht të vitit 2015”, ka theksuar ai gjatë një debati në Prishtinë të organizuar në lidhje me transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura. Komentet e Thaçit vijnë në kohën kur Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Ramush Haradinaj, po provojnë që ta rishikojnë Marrëveshjen e demarkacionit të vitit 2015, duke e cilësuar atë të dëmshme për Kosovën.