Nuk ka shpifje që do ta mposhtë luftën e drejtë të UÇK-së e kësaj radhe, as luftën e të komandantit Ramush Haradinaj që së shpejti shpresojmë se do të kthehet në Kosovë. Kështu është shprehur kryetari i Kosovës Hashim Thaçi në tubimin përkujtimor në Koshare. Ai ka ripërsëritur se Kosova është shumë afër të krijimit të ushtrisë së saj. “Në këto dy dekada Kosova ka pasur procese shumë të rëndësishme. Themelimin e UÇK-së, formimin e TMK-së, shpalljen e pavarësisë, më pas formimin e Forcave të Sigurisë. Ndërsa tani është shumë afër krijimit të ushtrisë së saj. Në ditët, javët apo muajt në vazhdim ushtria e Kosovës do të themelohet. Kjo është e sigurt. Kosova do të ketë ushtrinë e saj, do të ruaj partneritetin me NATO-n dhe aleatët ndërkombëtarë. Kosova do të ketë ushtrinë si të gjitha shtetet e rajonit”, ka thënë Thaçi Pastaj, ai ka folur edhe për betejën e Koshares me ç’rast ka thënë se në Koshare për herë të parë u thye kufiri shqiptaro-shqiptar. “Drejtësia e kauzës dhe forca morale që lufton për të drejtën e tij është me madhe se çdo ushtri. Për herë të parë këtu u thye kufiri Shqipëri-Kosovë. Beteja e Koshares ishte e të gjithëve. Operacioni ‘Shigjeta” dhe beteja e Koshares ishte triumf politiko-ushtarak. Ai ishte mesazh i qartë për popullatën e dëbuar nga Kosova se së shpejti ata do të ktheheshin në vatrat e tyre. Lufta që u zhvillua në Koshare dhe Pashtrik, ka përmasën e madhe të sakrificës. Ushtarët e stërvitur në bazat e UCK-së, me vullnet dhe trimëri kishin luftuar kundër ushtrisë serbe. Shumë prej tyre sakrifikuan jetën e tyre. Sot dhe përgjithmonë do ti kujtojmë ata që ranë në altarin e lirisë. Si komandantët Agim Ramadani, Sali Çeku, Xhemal Fetahu, Abaz Thaçi etj”, ka theksuar kryetari. Ndërkohë, ai ka kujtuar edhe kohën kur së bashku me Shkëlzen dhe Luan Haradinajn e kishin kaluar shumë herë kufirin. “Ndihem mirë që kam kaluar me dhjetëra herë këtej së bashku me bashkëluftëtarët Shkëlzen dhe Luan Haradinaj”, ka thënë kryetari.
Kontrolloni gjithashtu
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili reagoi kundër kallëzimit penal të ministrit Faton Peci
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar ndaj kallëzimit penal të paraqitur nga ministri i …