Kryetari Thaçi

Thaçi për Agjencinë turke “Anadolu“: Kosova nuk është vend armik i Rusisë

Duke folur për agjencinë turke të lajmeve Anadolu, lidhur me qëndrimin e Rusisë në raport me Kosovën, kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi tha se pret ndryshim në këtë drejtim. Marrëdhëniet e mira mes Moskës dhe Beogradit nuk janë pengesë që edhe Kosova dhe Rusia të kenë marrëdhënie korrekte dhe konstruktive, veçanërisht tani kur po punohet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Jemi në prag të fillimit të një procesi të rëndësishëm të pajtimit. Unë mendoj se është koha e duhur që edhe Moska të fillojë të reflektojë për Kosovën, të respektojë vullnetin e popullit të Kosovës dhe, në kohën që ata vlerësojnë, të marrin vendimin për njohjen e realitetit në Kosovë vlerësoi Thaçi. Ai rikujtoi se Rusia ka qenë pjesë e të gjitha bisedimeve ndërkombëtare për Kosovën, si në Rambuje, ashtu edhe si pjesë e KFOR-it, ka thënë veç tjerash Thaçi, në një intervistë për Agjencinë, Anadolu.

“Gjithashtu ka marrë pjesë në procesin e negociatave në Vjenë, në ekipin e presidentit të Ahtisarit, si dhe ka zyrën ndërlidhëse në Kosovë. Prandaj Kosova nuk është vend armik i Rusisë. Kosova mund të luajë një rol dinamik të paqes dhe stabilitetit dhe mendoj se ndryshimi i qasjes nga Moska për Kosovën do të ishte kontribues pozitiv për rajonin gjithashtu”, vazhdoi Thaçi. “Kjo është vizita ime e parë si president i Republikës së Kosovës në Turqi. Raportet mes Prishtinës dhe Ankarasë janë të shkëlqyeshme. Turqia është nga vendet e para që e ka njohur Republikën e Kosovës”, shprehet Thaçi.  Në lidhje me Organizatën Terroriste FETÖ, e cila qëndron pas tentativës për grusht shteti më 15 korrik”, presidenti Thaçi vlerësoi se: “Kosova ka pritur me vëmendje të madhe atë mbrëmje të zezë dhe të errët të sulmit ndaj institucioneve legjitime në Turqi. Unë po atë mbrëmje kam deklaruar qartë në emër të institucioneve dhe popullit të Kosovës se nuk ka tank e as dhunë që e shtyp vullnetin e një populli për liri, për të drejtat dhe institucione demokratike. Kosova ka qëndruar pranë institucioneve legjitime të Turqisë, pranë angazhimeve për stabilitet të presidentit Erdogan”.

Kryetari Thaçi shprehet se të gjitha ato elemente terroriste që sulmojnë për të destabilizuar institucionet legjitime, paqen dhe sigurinë në Turqi dhe gjetiu në botë, vlerësohen terroristë edhe nga Kosova. Ai tha se Kosova do të jetë e pakompromis, duke shtuar se janë të vëmendshëm për shqetësimin e ngritur nga autoritetet turke. “Do të veprojmë sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Institucionet tona do të japin përgjigjen e tyre të drejtë, legale dhe juridike. Ne kemi filluar procesin tonë të verifikimit dhe investigimet të të gjitha bazave të dyshimit për elemente të tilla në Kosovë”, u shpreh Thaçi në lidhje me strukturimin e FETO-s në Kosovë.(Anadolu Agency)

Kontrolloni gjithashtu

Kosova, paraprakisht duhet të përparojë në dialog, për t’u anëtarësuar më pas në Partneritetin për Paqe të NATO-s

Ambasadorja amerikane në NATO, Xhulianne Smith, shprehu dëshirën e Shteteve të Bashkuara që Kosova të …