Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se komisioni për të Drejtën dhe Pajtimin synon që të krijohet një mekanizëm mbështetës për dialogun e brendshëm ndërmjet komuniteteve, do të jetë një komision i pavarur, i paanshëm, jo i udhëhequr nga shteti por i mbështetur fuqishëm nga të gjithë. Duke folur në takimin e parë konsultativ për themelimin e këtij komisioni Thaçi tha se në Kosovën e pasluftës diçka e rëndësishme ka mbetur pa u prekur. Dhimbja e shkaktuar nga lufta po rendon në zemrën e secilit qytetar të Kosovës, me armiqësitë që ka shkaktuar lufta. Shoqëria nuk mund të ndërtojë të ardhme të mirë nëse mbetet peng i së kaluarës, prandaj sot po prezantoj idenë time për një të ardhme më të mirë, ka deklaruar ai. Sipas tij vuajtja është e njëjtë për secilin prind pa marrë parasysh përkatësinë etnike. Qëllimi i themelimit të këtij komisioni, është nisja e një jete të re për të gjithë qytetarët duke falur por duke mos harruar, ka përfunduar Thaçi.
