Kryetari, Hashim Thaçi ka bërë thirrje që të miratohet sa më shpejt demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, në të kundërtën, sipas tij, as në muajin shtator nuk do të bëhet liberalizimi i vizave. Ndonëse prej një viti opozita, banorët e zonës kufitare dhe qytetarët kanë kundërshtuar këtë marrëveshje që e dëmton Kosovën me mijëra hektarë tokë, Thaçi ka thënë se “demarkacioni si kauzë nuk ekziston”. Sipas tij, “kjo çështje madhore duhet të largohet nga agjenda llogaritare e përfitimeve ditore politike”. Tutje, ai ka shtuar se çdo pengesë në zbatimin e këtij kriteri qytetarët e Kosovës do t’i mbaj të izoluar. “Kriteri i mbetur, ai për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi duhet të plotësohet nga qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, në ditët e ardhshme. Pa zbatimin e këtij kriteri, qytetarët e Kosovës, nga vetë politika kosovare, padrejtësisht po privohen nga lëvizja e lirë në zonën Schengen. Nga moszbatimi i këtij kriteri, vendimi nga Brukseli për Kosovën u shty në shtator. Nëse nuk ratifikohet tash demarkacioni, as në muajin shtator nuk do të flitet dhe as të vendoset për Kosovën”, ka thënë kryetari Thaçi në një postim të afishuar në profilin e tij në Facebook. Kreu i shtetit po e pranon demarkacionin si kusht për heqjen e vizave, e me këtë edhe kushtëzimet e padrejta të Bashkimit Evropian. Vlen të përkujtohet se demarkimi i kufijve nuk i është kërkuar asnjë shteti të rajonit, madje as Malit të Zi, për liberalizimin e vizave.
Kontrolloni gjithashtu
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …