Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se gati të gjitha shtetet e Bashkimit Europian janë duke e mbështetur arritjen paqësore të një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se kjo marrëveshje qëllim kryesor ka njohjen e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimin e Kosovës në BE, NATO dhe OKB. Sipas tij, opozita në Kosovë dhe disa individë të shoqërisë civile po i japin kuptim negativ përpjekjeve të tij. Deklaratat se ai po punon në kundërshtim me aleatët ndërkombëtarë dhe se po e cenon sovranitetin shtetërorë, sipas Thaçit janë vetëm propagandë. Sovraniteti i Kosovës është i garantuar nga Kushtetuta jonë dhe jo nga deklaratat emocionale të atyre që as nuk e kanë idenë sesi është fituar liria dhe pavarësia e jonë ka theksuar ai. Prandaj edhe u propozon qytetarëve që ta zgjedhin referendumin në mënyrë që Kosova të integrohet në BE. “Qytetarët tanë duhet të bëjnë zgjedhjen e tyre nëpërmjet referendumit. Ata duhet të zgjedhin se a janë për marrëveshje paqësore me Serbinë, e cila Kosovës i siguron anëtarësim në BE, NATO dhe OKB, apo duan të jetojnë në hasmëri me shtetet fqinje dhe të izoluar. Unë e di që ata do të zgjedhin opsionin e parë, prandaj edhe po punoj në koordinim të ngushtë me aleatët tanë ndërkombëtarë, që paqja me fqinjë dhe integrimi të jenë zgjedhja e duhur”, ka thënë Thaçi.
