Mos-miratimi i ndryshimit të amendamentit 24 të Kushtetutës, i cili do t’i hapte rrugë themelimit të Gjykatës Speciale kundër UÇK-së, ka zhgënjyer tejmase politikën pacifiste të Kosovës, politikën zyrtare të Beogradit, një segment antishqiptar të BE-së, veçmas mediet jugo-shqipshkruese si dhe të gjithë jugo-tellallët e Kosovës e më gjerë. Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi ka reaguar kundër deputetëve të partisë së tij, të cilët me votat e tyre pamundësuan themelimin e Gjykatës Speciale. Ai ka ironizuar deputetët se vendimin e tyre e kanë bërë nga mosdija dhe patriotizmi i rrejshëm. Të zhgënjyer kanë mbetur të gjithë deputetët e PDK-së që i thanë po gjykatës, të gjithë deputetët e LDK-së pa asnjë përjashtim dhe deputetët e Listës Serpska, të cilët pas sabotimit disa mujor ishin kthyer në Kuvend vetëm me qëllim për ta votuar Gjykatën. Edhe Beogradi zyrtar është ndier shumë i zhgënjyer me pamundësinë e votimit të Gjykatës kundër UÇK-së. Edhe protektori i BE-së në Kosovë, slloveni Zhbogar është ndier shumë i zhgënjyer me deputetët që dëgjuan zërin e popullit, të ndërgjegjes së tyre e jo zërin e Zhbogarit e kompanisë së tij.
Mosvotimi i i ndryshimit të amendamentit 24 të Kushtetutës, jep për të kuptuar se luftës së UÇK-së, sado me vonesë po i kthehet dinjiteti i nëpërkëmbur nga protektorët e huaj por edhe nga klasa pacifiste, madje edhe në radhët e atyre eprorëve të dikurshëm, të cilët kredibilitetin e rezistencës e kthyen në përfitimet ekonomike dhe tani qëndrojnë tërë rehati në ulëset e Kuvendit dhe nëpër ministri.
Deputetët e opozitës do të krenohen me të drejtë se qëndrimi i tyre unik, për një qëllim të shenjtë dha rezultat, madhe me përkrahjen edhe të nëntë deputetëve të PDK-së të cërët dëgjuar zërin e tyre të ndërgjegjes kombëtare e politike dhe jo zërin, apo kërcënimet e kryetarit të partisë. (RKL)