Thellimi i përçarjeve të “krahut” të luftës i shkon për shtati Gjykatës Speciale kundër UÇK-së

Pas zgjedhjeve të suksesshme të 8 qershorit, shumica e liridashësve të vendit kanë pritur që tri partitë e dala nga lufta, apo sikur thuhet rëndom të “krahut të luftës” ta themelojnë koalicionin qeveritar, meqë së bashku me deputetët nga radhët e minoriteteve, do të siguronin numra të mjaftueshëm për një koalicion të brishtë. Mirëpo, për habinë e të gjithëve ndodhi krejt e kundërta. Dy partitë që identifikohen me krahun e luftës, AAK-ja dhe NISMA për Kosovën, pjesë e shkëputur nga PDK-ja, në marrëveshje me LDK-në, të përkrahur edhe nga Vetëvendosja, pa pritur asnjë procedurë të rregullt parlamentare, formuan koalicionin qeveritar: LDK-AAK-NISMA, me minoritetet. Ky precedent ndodhi më tepër për inatet në humbjen e zgjedhjeve dhe nevojën për të mobilizuar militantët dhe veten e tyre të  dëshpëruar.

 

Bashkimi i AAK-së dhe NISMË-s me LDK-në në kushte dhe rrethana të një procesi të rregullt pas zgjedhor, nuk do të kishin asgjë të keqe, po qe se LDK-ja do të kishte fituar shumicën në zgjedhjet e 8 qershorit.

LDK-ja, si parti realisht ka fituar më shumë deputetë, sesa PDK-ja, pa  partitë e vogla në koalicionin parazgjedhor, por duket se krerët e kësaj partie nuk po lirohen nga megalomania e së kaluarës, meqë po të kishin bërë koalicion parazgjedhor me AKR-në, PD-në dhe PDSHK-në satelite, gjithsesi se do të kishin fituar zgjedhjet, apo të kishin fituar dy tre deputetë më shumë se PDK-ja. Ky lëshim i shansit duket se e ka egërsuar shumë kreun e LDK-së dhe me të drejtë  është kritikuar zëshëm nga disa ish kuadro ende me ndikim në këtë parti.

Po kështu, tejet e zhgënjyer është gjetur në këto raste edhe AAK-ja, e cila ishte zotuar se do ta fitonte shumicën në zgjedhje, por mezi fitoi 10 ulëse në Kuvend. Ky rezultat  i pavolitshëm, madje edhe humbja e tri komunave në zgjedhjet vendore, janë tregues i qartë se AAK-ja po shkon drejt rënies të vazhdueshme e jo drejt ngritjes, sikur po shkon sigurt dhe bindshëm Vetëvendosja. Mirëpo, AAK-ja në vend se të ofrohet me Thaçin, pritje kjo e natyrshme madje edhe për BE-së dhe të gjithë ata që kanë menduar se “krahu” i luftës në momente të caktuara është unik, ajo bëri një salto mortale, e cila do t’ i kushtojë edhe më shumë në të ardhmen, sepse në këtë mënyrë ka humbur kredibilitetin moral, ka humbur përkrahjen e pjesës më të përkushtuar të kombit, që ka dalë nga lufta e UÇK-së.

 

NISMA për Kosovën, e cila luftonte për të kaluar pragun, e entuziazmuar me fitoren, që në momentet e para nuk e frenoi dot urrejtjen për partinë, së cilës ia kishte shkëputur një pjesë të elektoratit dhe përnjëherë ngarendi t’i bashkohet një koalicioni kundër PDK-së. NISMA u ngut dhe që në nismë i tregoi hapur elektoratit se urrejtja brenda llojit është e gjallë dhe e pamëshirshme, qoftë edhe brenda shokëve, të cilët  gjatë luftës kishin mbartur njëri-tjetrin mbi supet e përgjakura. Ky potez i pamatur i NISMË-s mund t’i hakmerret keq në të ardhmen, në mos edhe ia ka hakmarrë.

 

Po ta marrim shtuar dhe me argumente të qëndrueshme, për këtë që po ndodh kundër PDK-së, fajin kryesor, për të mos thënë edhe fajin e vetëm e ka vetë kreu i partisë, madje dy krerët mujsharë të saj, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, dikur të mbështetur fuqishëm nga Jakup Krasniqi e Fatmir Limaj me bashkëluftëtarët e tyre.

 

Vetë kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi me egoizmin e tij të sëmurë, me mungesën e mirëkuptimit, mungesën shprehur të sensit për qeverisje demokratike, mungesën e skajshme të tolerancës, për ata që mendojnë e shprehen ndryshe, mungesën e shprehur të parimeve mbi të cilat ngrihet toleranca, qytetaria,  reciprociteti, demokratizimi i marrëdhënieve ka bërë që të përçahet, jo vetëm partia por tërë “krahu” i luftës.  Andaj, Hashim Thaçi, tash për tash, ka mbetur me “gishta” në gojë dhe nuk gjen asnjë forcë politike, me të cilën do të mund të bashkë-qeveriste, ndërsa partia e “bacit” të tij të pasur, pasanikut, Behxhet Pacolli, nuk e arriti pragun për të hyrë në Kuvend, por edhe po ta arrinte, nuk do të ndryshonte gjë, meqë nuk do të mund të arriheshin numrat për koalicion.  Tani kemi një gjendje të nderë, e cila po shkon drejt përshkallëzimit të rrezikshëm drejt thellimit të ndasive dhe drejt kaosit edhe më të shprehur. Kosova nuk e ka luksin të mbajë zgjedhje të një pas njëshme për kapricet e dështakëve politikë, sepse ato zgjedhje kushtojnë dhe rëndojnë mbi kurrizin tonë, mbi kurrizin e varfanjakëve dhe jo mbi kurrizin e Isa Mustafës, Hashim Thaçit,  Ramush Haradinajt e të tjerëve.

 

Koalicioni i improvizuar ka edhe një të keqe tjetër, e cila po shfaqet në prag të fillimit të fushatës kundër UÇK-së nga Tribunali special i BE-së. Mbetja në opozitë të dhunshme e Hashin Thaçit dhe krerëve të tjerë të PDK-së, do të jetë e mirëseardhur për gjahtarët  e EULEX-it, edhe pse ky mision nuk e ka për pesë para të arrestojë kryeministra e kryetarë, meqë në këtë mënyrë tregon dhëmbët e inkuizitorit dhe fuqinë virulente  të protektorit. Fakti se në kuadër të koalicionit, tash për tash të improvizuar, janë dy ish të mbajtur vite të tëra në burg  nga Tribunali i Hagës, më vonë të shpallur të pafajshëm, nuk do të thotë se këta kanë siguruar amnistinë e përjetshme. Mbase  për këtë qëllim iu kanë bashkuar LDK-së, e cila ndihet krejt e lirë dhe e qetë sa i përket Tribunalit special. Për më tepër ajo vazhdon të ndihet viktimë dhe do t’i përkrah fuqishëm gjahtarët e Tribunalit.

 

Fakti se në zgjedhjet e përgjithshme kanë marrë pjesë në votim vetëm 43 për qind e popullatës me të drejtë vote, shpjegon se shumica e njerëzve tanë, të irrituar te klasa e sotme politike, vazhdon të irritohet edhe më tej, vazhdon ta humb besimin, sidomos kur ditë e më tepër po bindet se tërë kjo klasë ka synim vetëm pushtetin dhe jo interesin e vendit. 57 përqindëshin që po i bojkoton zgjedhjet nuk po arrin ta bind as Albin Kurti, me programin e tij shumë joshës, por vështirë të realizueshëm në kushte dhe rrethanat e sotme me të cilat po ballafaqohet Kosova, e sulmuar dhe e keqtrajtuar nga brenda e nga jashtë.

 

Koalicioni, tash për tash i improvizuar: LDK-AAK-NISMA, nuk paraqet asnjë alternativë tjetër sa i përket bisedimeve pa kusht me Serbinë, nuk mbështet procesin historik të bashkimit kombëtar të shqiptarëve, ka përkrahur Tribunalin kundër UÇK-së me ndonjë përjashtim apo abstenim nga radhët e deputetëve, nuk paraqet një alternativë pozitive për çështjet kyçe me të cilat ballafaqohet vendi dhe kombi në përgjithësi. Ky koalicion po pretendon që humbjen faktike të elektoratit ta materializojë me fitore teknike, nëse mundët, nëse jo, do të pajtohet me fatin, nuk humb asgjë më shumë sesa të gjallojë si opozitë e dëshpëruar dhe e egërsuar. “Të provosh nuk do të thotë edhe të arrish”, por në rastin konkret mjafton për të treguar se “lufta” po vazhdon, dhe kjo luftë mbase edhe iu bën nder, sidomos tani kur do të fillojë fushata inkuizicionale e BE-së kundër luftës së UÇK-së dhe kundër gjakut të derdhur për çlirimin e vendit.

Ahmet Qeriqi

11. 6. 2014

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …