Thoma Kacori me të drejtë është konsideruar si rilindësi i fundit shqiptar, meqë jeta dhe krijimtaria e tij ishin në vazhdë të programit të Rilindjes kombëtare, sidomos në zgjimin dhe kalitjen e idesë kombëtare për çlirim dhe bashkim. Ai punoi dhe veproi në Bullgari ku për shumë kohë kishte mbijetuar kolonia vendëse shqiptare, i cili në shekullin 19-të kishte luajtur rol të madh në përhapjen e ideve të Rilindjes Kombëtare. Thoma Kacori, me veprimtarinë e vet atdhetare i kishte dhënë shtytje të jashtëzakonshme idesë të ruajtjen së gjuhës shqipe dhe të komunitetit shqiptar. Është merita e tij që edhe sot e kësaj dite në Sofje të Bullgarisë ekziston Katedra e Gjuhës Shqipe, ndërsa Radio Shtetërore e Bullgarisë transmeton katër herë në ditë program në gjuhën shqipe. Ibrik Tepe, vendlindja e Nolit, pastaj Mandrica, Arbanashko selo, Arbanashka mahalla në Sofje kishin qenë qendra të kulturës dhe mbijetesë së shqiptarëve ndër shekuj në Bullgari, ku një shtrirje të madhe ka edhe elementi arvanitas. Roli i Thoma Kacorit në ruajtjen e gjuhës shqipe në Bullgari pa dyshim se është më meritori. ( A.Q.)
Thoma Kacori, lindi në vitin 1922 në Shtikë të Kolonjës. Kur pushtuesit italianë e mbyllën liceun e Korçës, Thomai emigroi te vëllezërit e nënës në Bullgari, pasi i ati ke kohë kishte mërguar në Amerikë. Ai shkoi në Sofje kur Shqipëria u pushtua nga fashistët italianë. Ishin vitet ’40 të shekullit të kaluar. Thomai shkoi në Bullgari në një kohë kur aty kishte mjaft shqiptarë. Kolonia ishte ende gjallë dhe me ndihmën e disa patriotëve ajo bënte përpjekje për të ekzistuar dhe për ta vazhduar punën. Mes tyre filloi një aktivitet me rëndësi dhe në shumë fusha edhe Thomai.
Kolonia shqiptare e Sofjes, me traditat që kishte krijuar, la mbresa e ndikoi në formimin e tij atdhetar. Në Bullgari, Thomai mbaroi studimet e larta në Universitetin e Sofjes, ku ka kryer edhe Fakultetin e Drejtësisë Administrative.
Pas çlirimit të Shqipërisë në vitin, në Tiranë e në Sofje filloi të botojë krijimet e tij të para në shtypin letrar.
Në vitin 1957 botoi në Tiranë vëllimin e parë me tregime “Jetë me brenga”; në vitin 1958 novelën “Ditë që s’harrohen” me të cilën mori çmimin e dytë në Konkursin Letrar Kombëtar.
Në vitin 1961 boton romanin me përmbajtje historike “Për Mëmëdhenë”, në dy vëllime dhe më pas novelën “Dashuria”, për të vazhduar me romanin “Shpata e Kastriotëve”, “Fabula” më 1989, romanin “Bijtë e shtrëngatës”, “100 Fabula”, “Kandili i De Radës”, si dhe romanin “Kryetrimi i Arbërisë-Skënderbeu”, i cili u botua në vitin 2007 me rastin e 600-vjetorit të lindjes, si dhe librin me tregime “Tregime të moçme”.
Më 1998 u botua në Sofje libri “Albania”, me bashkautor, albanologun, Bobi Bobev.
Thoma Kacori ka lënë një veprimtari të gjerë edhe në fushën e studimeve shkencore. Është bashkautor dhe redaktor i pjesës në gjuhën shqipe të “Fjalorit bullgarisht-shqip”, si dhe autor i dy librave për mësimin e gjuhës shqipe nga të huajt, njëri në versionin bullgarisht, ndërsa tjetri në anglisht, të cilët janë botime të Universitetit të Sofjes.
(Në vitet 70, në Sofje, mbante kontakte edhe me vizitorë shqiptarë nga Shkupi e Kosova. Atyre iu jepte falas romane e vepra të tjera, të cilat në Jugosllavi konsideroheshin si literaturë armiqësore.)
Është shquar në hulumtimin e zhvillimin e shkencave albanologjike. Ka botuar një numër artikujsh shkencorë e libra që kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve për thellësinë e mendimit, për argumentet shkencore, ku një vend me rëndësi zë libri “Ndriçime”. Thomai është një hulumtues i rrallë i gjuhës shqipe, i formimit, prejardhjes, evoluimit e pasurimit të saj ndër shekuj. Njihte mjaft mirë 6-7 gjuhë të huaja çka e ndihmoi në përkthimet e tij. Për gjuhën e përdorur dhe për përkushtimin ndaj vendit të tij, Thoma Kacorin e kanë quajtur rilindësi i fundit shqiptar.
Në maj të viti 2008, pak para se të ndërronte jetë, Thoma Kacori u nderua nga me titullin “Nder i Kombit”. (Vikipedia)