Në një intervistë për“Top Channel”, avokati Tomë Gashi foli lidhur me këto akuza. Ai u shpreh se Basha nuk ka qenë i vetmi që ka punuar për UNMIK. Po ashtu ai theksoi se detyra e liderit demokrat ka qenë ajo e zyrtarit të lartë. “Nuk ka qenë vetëm zoti Lulzim Basha, por kanë qenë edhe shumë të tjerë nga Shqipëria të cilët kanë pasur role të caktuara në administratën e Kombeve të Bashkuara quajtur UNMIK dhe zoti Basha ka qenë zyrtar ligjor në përfundimin e mandatit të tij të themi në kuadër të UNMIK. Ka qenë zyrtari më i lartë i UNMIK në transferimin e çështjeve ligjore nga UNMIK tek vendorët. Në transferimin e çështje ligjore i bie edhe në transferimin e dosjeve të cilat UNMIK i ka pas dhe ato dosje një pjesë janë dorëzuar tek vendorët dhe misioni EULEX-it që zëvendësoi UNMIK-un”, u shpreh Gashi. I pyetur se cili ka qenë shefi i liderit demokrat në Kosovë, Gashi u shpreh se Basha ka punuar nën drejtimin e një prokurori amerikan. “Shefi Lulzim Bashës në fund të mandatit të UNMIK ka qenë prokurori amerikan Clint Williamson. Ky prokuror është ai i cili e ka hetuar raportin e senatorit Dick Marty të cilin nga një dokument politik e ka shndërruar në dokument juridiko-penal.
Clint Villiamson ka qenë prokuror i njohur për shumë vite në Kosovë dhe ka punuar si drejtor në departamentin e drejtësisë, pra ka pasur rol kryesor në drejtësinë e Kosovës dhe Lulzim Basha publikisht dihet që ka qenë në atë punë dhe roli i tij ka qenë një prej zyrtarëve më të lartë në transferimin e çështjeve nga UNMIK tek vendorët. Sigurisht që këtu konsiderohen edhe dosjet penale dhe civile të cilat janë transferuar”, u shpreh Gashi. Po ashtu avokati komentoi edhe akuzat e prokurorit special për zotin Thaçi, Kadri Veselin dhe të tjerëve. Lidhur me akuzat ai u shpreh se janë të përsëritura. “Ne faktikisht e kemi parë aktakuzën që e ka publikuar Gjykata Speciale është e redaktuar pra ka redaktime të shumta. Kështu deri sa të shohim në tërësi mund të them vetëm një gjë, nga eksperienca kur unë kam qenë avokat mbrojtës për një pjesë të madhe të udhëheqësve të UÇK-së, këto janë akuza të përsëritura, për të cilat në shumicën e rasteve të të gjithë pjesëtarëve të UÇK-së, janë liruar, janë gjetur të pafajshëm”, u shpreh ai.