Në emër të ministrit të infrastrukturës, Pal Lekaj, këshilltari politik, Pjetër Ndou, bashkë me drejtorin e departamentit të transportit, z. Xhemë Veseli kanë pritur në takim kryetarin e shoqatës së transportuesve rrugor të Kosovës, njëherit anëtar i kryesisë së Odës Ekonomike të Kosovës, Ruzhdi Kurtishi, dhe përfaqësues të shoqatës së transportuesve nga regjioni i Prizrenit. Ndou dhe Veseli, dëgjuan ankesat dhe kërkesat e shoqatës, të cilat i shtyen për të hyrë në grevë dhe pas diskutimeve konstruktive, të dyja palët ranë dakord që të ndërpritet greva dhe të vazhdohet me operim normal të linjave të rregullta, Prizren – Prishtinë dhe anasjelltas. Në vazhdimësi, z. Ndou theksoi përkushtimin maksimal të ministrit Lekaj dhe të kabinetit për zgjidhjen e të gjitha problemeve të operatorëve ekonomik, gjithmonë në dobi të shërbimit të qytetarëve. Ministria e infrastrukturës, gjegjësisht departamenti i transportit rrugor në bashkëpunim me operatorë, shoqatat dhe të tjera palë relevante, në afat sa më urgjent do t’i trajtojnë dhe zgjidhin të gjitha problemet që i kanë transportuesit.
Ministria e Infrastrukturës ndan mbi 1 milionë euro për projektet rrugore të Lipjanit
Ministria e Infrastrukturës, e përfaqësuar nga zëvendësministri Rexhep Kadriu me bashkëpunëtorë, të premten vizituan Lipjanin për t’u takuar me të parin e kësaj komune, Imri Ahmeti. Përfaqësuesit e dy institucioneve nënshkruan memorandum bashkëpunimi për vitin 2018 dhe anekset e marrëveshjeve paraprake për disa projekte rrugore në Lipjan, që arrijnë shifrën 1,203,468 Euro. Nga memorandumi, do të financohet rruga përgjatë hekurudhës Gllogovc – Rubovc, ndërsa mjetet e tjera janë ndarë për vazhdimin e projekteve për rrugët Magurë – Blinaj, Vojnovc – Topliqan dhe Llugaxhi – Gadime. Duke ndarë përgjegjësitë për dinamizmin dhe përshpejtimin e projekteve infrastrukturore, kryesisht asfaltimin e rrugëve të Lipjanit, zëvendësministri Kadriu deklaroi se Ministria e Infrastrukturës do të jetë e gatshme që në çdo kohë të ofrojë përkrahje dhe të shërbejë në të mirë të qytetarëve të Lipjanit. Ata vizituan edhe udhëkryqin e Janjevës, në magjistralen Prishtinë – Ferizaj, për të cilin paralajmëroi rinisje të shpejtë të punimeve në ndërtimin e një rrethrrotullimi, që sipas kryetarit të Lipjanit është më se i nevojshëm.