Kryetarja e të ashtuquajturave “Dhoma të Specializuara” të Kosovës, të Gjykatës Speciale kundër UÇK-së, bullgarja, Ekatarina Trendafilova, ka deklaruar për rrjetin BIRN, në shqip, se gjykata do t’i mbrojë dëshmitarët e saj nga kanosja dhe do të vendosë drejtësi në mënyrë të paanshme e të pavarur. Gjykata e sapokrijuar me bazë në Hagë që do të gjykojë ish-anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk do të jetë etnikisht e njëanshme pasi do të gjykojë vetëm “kriminelët” e UÇK-së. Kjo nënkupton se Gjykata nuk do të gjykojë shqiptarët të tjerë, që nuk kanë qenë pjesë e luftës, edhe nëse kanë bërë krime kundër bashkëkombësve të tyre duke qenë të inkuadruar në radhët e regjimit të Milosheviqit.
Pavarësisht se në Kosovë, politikanët dhe zyrtarët e sigurisë, por edhe shumë medie i kanë fshehur informatat e bashkëpunimit të disa shqiptarëve me regjimin e Milosheviqit, sikur ishte rasti me shqiptarët, që pranuan të veprojnë në kuadër të atyre formacioneve serbe të quheshin “Polici lokale”, gjatë viteve të luftës, 1998-1999, dhe të cilët kanë marrë pjesë në vrasjen dhe masakrimin e bashkëkombësve të tyre, ata nuk do të gjykohen nga Gjykata Speciale, sepse nuk kanë qenë pjesë e UÇK-së. Të gjithë dëshmitarët do të mbrohen, sepse ata kanë kundërshtuar luftën e UÇK-së dhe shumica dërrmuese e tyre kanë bashkëpunuar me regjimin e Milosheviqit.
Gjykata Speciale nuk arreston as hapë procedurë për mercenarët shqipfolës që kanë luftuar në radhët e MUP-it serb të kohës së Milosheviqit. Dhe pikërisht për këtë, Gjyqtarja bullgare, Trendafilova, thotë se gjykata nuk është njëetnike, sepse ajo nuk i gjykon të gjithë shqiptarët që kanë kryer krime, por vetëm ata të UÇK-së. Kjo gjykatë merr në mbrojtje të gjithë milicët e MUP-it, serbë e shqiptarë, meqë ndaj tyre, me vendim të kësaj gjykate nuk hapet procedurë për ndjekje penale.
Gjithashtu, ajo ka saktësuar se në Dhomat e Specializuara mund të gjykojnë vetëm gjykatës ndërkombëtarë. Kjo zgjidhje tregon se Kuvendi i Kosovës i kushtoi respektin maksimal pavarësisë dhe integritetit të këtij institucioni, procedimeve penale që do të kryhen në këtë institucion dhe sigurisë së viktimave e dëshmitarëve. Gjykata do t’i mbrojë si duhet dëshmitarët, që sipas saj, paska qenë një dështim në përpjekjet e mëparshme për të gjykuar luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe do të ndihmojë në forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë, ka thënë bullgarja, Ekaterina Trendafilova, e cila ka nënvizuar se “Vendimi për themelimin e Dhomave të Specializuara ishte vendim i përfaqësuesve të popullit të Kosovës dhe i Kuvendit të Kosovës”.
Trendafilova, në intervistën e saj ka saktësuar se sipas ligjit, parimisht Gjykata mund të mbështetet në Policinë e Kosovës, si edhe në cilëndo gjykatë të vendit. Prokurori i Specializuar mund të vërë në zbatim urdhrat e tij nëpërmjet një force policore brenda Zyrës së tij. Çdo urdhër dhe vendim i Dhomave të Specializuara të Kosovës ku përfshihen edhe kontrollet sekuestrimet dhe arrestimet e luftëtarëve të UÇK-së, në territorin e Kosovës, duhen zbatuar. Këtë e dikton Ligji. Gjithashtu, në rast se parashihet e nevojshme ne mund të kërkojmë bashkëpunim ndërkombëtar.
Pas shpalljes së një të akuzuari të UÇK-së fajtor, gjykatësit mund ta urdhërojnë atë të akuzuar që t’u paguajë dëmshpërblimin e përshtatshëm viktimave, kolektivisht, ose individualisht. Zyra për pjesëmarrje të viktimave gjithashtu do të administrojë një listë të mbrojtësve të viktimave për të mundësuar përfaqësim ligjor efikas dhe ndihmë për viktimat.
Bullgarja, Trendafilova, ka sqaruar më tej në intervistën e saj “personat të cilët Prokurori i Specializuar do t’i ngarkojë me akuza për krime të rënda, do të duhet të arrestohen ose të dorëzohen vullnetarisht për t’u ballafaquar me akuzat kundër tyre.
Së dyti, personave të akuzuar do t’u garantohet një gjykim i drejtë dhe i shpejtë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe standardet më të larta të të drejtave të njeriut.
Së treti, të drejtat e viktimave do të mbrohen në mënyrë të efektshme”.
Së katërti, Dhomat e Specializuara dhe gjykimet që do të kryhen do të jenë një rast për popullin e Kosovës që të përballet me të shkuarën.(!)
Sipas kësaj del se jo vetëm ushtarët e UÇK-së, për të cilët pretendohet se kanë kryer krime të luftës do të përballën me të shkuarën, por me të do të përballet vetë populli i Kosovës. Këto kontradikta në komentet e saj, mbase edhe mund të jenë përkthyer gabimisht, por të thuhet se populli i Kosovës duhet të përballet me të shkuarën dhe në anën tjetër të thuhet se vetëm ata që ajo i quan kriminelë të UÇK-së do të dënohen, këto gjykime janë diametralisht të kundërta.
Këto janë theksimet e zonjës, Trendafilova, e cila shpreson dhe beson se kjo gjykatë do ta kryejë misionin e vet me sukses, në radhë të parë sepse, formimin e Gjykatës kundër UÇK-së e ka pranuar Shteti dhe Qeveria e Kosovës, e kanë miratuar shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe si rrjedhë e kësaj logjike sipas Trendafilovës, kjo gjykatë e ka besimin e popullit të Kosovës.
Gjyqtarja me origjinë bullgare, Ekaterina Trendafilova, ka treguar mirëfilli se kjo gjykatë do të ndjekë krerët e luftës së UÇK-së dhe të gjithë ata luftëtarë të lirisë, të cilët kanë vrarë apo likuiduar armiqtë e Kosovës, qofshin ata edhe shqipfolës, të cilët i kanë shërbyer regjimit vrastar të Milosheviqit. Nuk do të dënohet asnjë serbe, sepse logjikisht të tillë nuk kishte në radhët e UÇK-së, edhe pse serbët ata kanë kryer krime, kanë masakruar, kanë dhunuar, kanë djegur kanë shkatërruar një popull të tërë.
Kjo është “drejtësia” e kësaj Gjykate, te e cila i ka varur shpresat kreu i luftës, Qeveria dhe Shteti i Kosovës, deputetët që e kanë votuar këtë gjykatë dhe të gjithë dhe të gjithë kundërshtarët e luftës së UÇK-së.
Votimi i kësaj gjykate është bërë sipas motos regresive, reaksionare, shqiptare: “gjarpri që nuk më helmon mua rroftë 100 vjet”. Mbetet për t u parë se cilat do të jetë pasojat e gjarpërinjve të Gjykatës Speciale.
Ahmet Qeriqi
20.7. 2017