Sa naiv dhe i papërgjegjshëm duhet të jetë një kryetar partie, në rastin konkret një kryeministër i Kosovës, sikur është Albin Kurti, i cili pa pikë turpi, pa vetëpërmbajtje dhe pa asnjë pikë përgjegjësie e quan naiv, Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Të ishte fjala për ndonjë skeç humori, kjo edhe do të mund të pranohej, por në rastin konkret bëhet fjalë për politikën dhe qëndrimin aktual të Departamentit Amerikan të Shtetit, ku krijohet politika më e fuqishme ndërkombëtare në botë. Kjo arrogancë e mendjelehtësi e Albin Kurtit, në radhë të parë do t’ i kushtojë atij dhe ithtarëve të vet, por në një masë edhe Kosovës, ndërsa i jep favore politikës aktuale në Serbi, e cila i ka përforcuar pozitat e miqësisë me Amerikën, pikërisht sepse Kosova i ka dobësuar dhe po vë në rrezik, jo vetëm humbjen e veriut, edhe ashtu të humbur prej qershorit të vitit 1999, por edhe stabilitetin politik në vend.
Kush duhet t’ i thotë ndal politikës së tillë arrogante e mujshare të një individi ekscentrik, mendjemadh dhe prepotent?
Kjo do të ishte detyrë kryesore e opozitës, sikur Kosova të kishte një opozitë të bashkuar dhe të përgjegjshme për situatën aktuale, tejet kritike. Do të ishte një naivitet i pafalshëm, nëse ndokush në Kosovë mendon se kemi fuqi ushtarake të mbrojmë veriun, duke shpërfillur KFOR-in dhe duke u mbështetur vetëm në Njësitë Speciale të vendit.
Pse askush deri tani nuk i mori seriozisht deklarata e ministrit të Jashtë rus, Sergei Llavrov lidhur me zhvillimet në Kosovë, i cili ka deklaruar për mediet e vendit se situata në Kosovë është e papranueshme, e tensionuar dhe shqetësuese. Sjellja ndaj popullatës serbe, e cila këto ditë po proteston kundër marrjes së paligjshme të pushtetit është shqetësuese, duke shtuar se NATO është në anën e separatistëve. Sergei Llavrov nënvizoi se një konflikt po lulëzon në qendër të Evropës, në të njëjtin vend ku në vitin 1999 NATO kreu agresion kundër ish-Jugosllavisë.
Këto fjalë nuk i merr era ashtu sikur pretendon politika aktuale, naive dhe e papërgjegjshme, duke u mbështetur verbërisht në faktin se Rusia nuk guxon ta ndihmojë Serbinë për shkëputjen e veriut, derisa ajo tregon jo vetëm gatishmëri, por pret vetëm momentin kur këtë ta kërkojë Beogradi zyrtar. Dhe në këtë mes më tragjikja qëndron në faktin se pikërisht në këtë kohë krize, shpërfillen madje edhe përbuzen kërkesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa fyhet e përçmohet vetë Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.(!)
Veprimet e tilla të pamatura të krerëve të Shtetit të Kosovës, nuk janë risi dhe nuk po bëhen për herë të parë. Treshja: Kurti, Konjufca Osmani, kanë ardhur në pushtet me arrogancë, me premtime tejet megalomane dhe me mashtrime ndër më të parealizuarat, që kanë ndodhur ndonjëherë në Kosovën e pas luftës. Dështimet e një pas njëshme të Qeverisë për të përmbushur premtimet, pranimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel, për veriun dhe Asociacionin, shpallja e zgjedhjeve në veri nga zonja Vjosa Osmani, në përpjekje për të treguar se ka legjitimitet dhe pushtet, i cili realisht nuk ka ekzistuar as ekziston tani, në katër komunat e vendit, dërgimi i policisë së Kosovës në komuna ku jeton dhe vepron shumica dërrmuese serbe, përpjekja për të arritur qëllime e përfitime politike nën Flamurin e KFOR-it dhe EULEX-it, janë treguar dhe po tregohen veprime naive, sepse jo vetëm që nuk po arrihet asnjë sukses, por të gjitha veprimet e tilla të pamatura po i shkojnë përshtati Serbisë, e cila po përfiton nga rasti dhe po paraqitet në pozitën e viktimizuar.
Qeveria e di mirë se cili është mandati dhe misioni i KFOR-it në Kosovë, i mbështetur në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku tërë Kosova trajtohet si vend nën sovranitetin e Serbisë, dhe jo vetëm katër komunat e veriut me shumicë serbe, ku realisht ka ekzistuar dhe ekziston një qeverisje paralele e kontrolluar nga Beogradi, qysh prej vitit 1999.
Pretendimet për ta shtrirë pushtetin në veri, për të vendosur në krye të komunave me shumicë serbe katër kryetarë shqiptarë, të cilët në zgjedhjet vendore kanë marrë nga 100 apo edhe 500 vota, edhe pse kanë legjitimitet kushtetues, ato na kthejnë në kujtesë kohën kur regjimi i Millosheviqit kishte pezulluar Autonominë e Kosovës në vitet 90-të dhe organizonte “zgjedhjet të lira” me kryetarë serbë, në komunat me shumicë shqiptare në Kosovë.
Qytetarët e Kosovës, të gjithë pa dallim kanë përgjegjësi ta ruajnë vendin, nga një qeverisje e tillë mujshare, e cila vë në pikëpyetje ardhmërinë e vendit, me mungesë të veprimeve të matura e të përgjegjshme, sidomos në këtë situatë kritike nëpër të cilën po kalojmë. Kosova është e të gjithëve dhe jo vetëm e militantëve të Albin Kurtit, apo Vjosa Osmanit.
Ahmet Qeriqi
- 5. 2023
Prishtinë