Këngët elegjiake janë mjaft të përhapura kudo ndër popujt e botës por edhe ndër shqiptarë. Në mesin e këngëve të shumta me këtë temë kemi veçuar tri këngë të përafërta nga motivi dhe përmbajtja: në Veri “Kënga e Selman Brahimit”, në jug të Shqipërisë e në Çamëri, “Mbeçë mor shokë mbeçë”, te arvanitasit, Kënga e Kapedan Thomait. Për nga mënyra e shtjellimit dhe këndimit, këto tri këngë kanë elemente pikëllimi, dhembje e malli por jo vajtimi të mirëfilltë. Nuk janë këngë zije, ashtu sikur janë elegjitë greke, romake dhe më vonë ato të periudhës së poetëve romantikë.
E veçanta e këtyre tri këngëve përshkohet me nota dhembjeje e pikëllimi jo aq të thellë jo me çirrje, me ofshamë e brithma sikur përshkohen këngët e vajtimit e të zisë, dikur mjaft të përhapura ndër shqiptarë.
Kënga e Kapedan Thomait, kënduar nga Thanasi Moraiti, është më tepër një këngë trimërie, me nota elegjiake, por me përmbajtje malli e dhembjeje. Kjo këngë i kushtohet Kapedan Thomait, mbase kapedanit arvanitas, Marko Boçari, i cili kryesoi luftën çlirimtare arvanito-greke kundër pushtimit turk, në vitin 1821.
Në momentet kur po hiqte shpirt, i plagosur për vdekje, Kapedan Thomai, sipas vargjeve të këngëtarit popullor, kërkon t’ ia thërrasin bashkëluftëtarin, Lah Garaqi, të cilit i jep porosi që tyfekun t’ ia dorëzojë tre vëllezërve, që ta kenë në shenj kujtimi, apo edhe të luftojnë me të. Me qëllim për ta përjetësuar kujtimin e tij, krijuesi anonim shërbehet me elemente pikëllimi e tragjizmi, meqë kapedani ishte i pamartuar, fakt ky që do të shtonte tejmase dimensionin e pikëllimit e dhembjen, sapo të shpallej kumti i zi. Për dallim nga këngët e tjera të këtij lloji, në këtë këngë kemi një diskurs realist, madje me një realizëm vulgar, ku nuk kërkohet që rasti i rënies së Kapedanit të mistifikohet, apo të mbahet fshehur, por ai vetë porosit që nënës t i tregojnë të vërtetën tragjike të djalit. Ajo le ta të marrë vesh se djali është martuar diku larg me plumba në kraharor, në vend të nuses, me zhgaba e sorra që do t’ia hanë trupin, në vend të krushqve. Kënga përmbyllet me vargjet: Tej nga mali nga Vatanë ( i), vranë Kapedan Thomanë.
Mënyra e këndimit dhe ekzekutimit të kësaj kënge nga këngëtari i mirënjohur, intelektuali me origjinë arvanitase, Thanasi Moraiti, është e natyrës krijuese tejet të veçantë. Me nota të thella e të përmallshme, me një ritmikë hapërimi historik, me ekzekutim të jashtëzakonshëm, ai arrin ta krijojë një atmosferë malli e pikëllimi, një gjendje reflektimi për dëgjuesin, i cili doemos se nuk do të mbetet indiferent, por në një mënyrë edhe vetë, dashur pa dashur bëhet pjesë në një pikëllim të tillë, meqë notat specifike tejkalojnë dimensionin e një pikëllimi individual.
Vanë tre trima për të pinë
Ai i pari u lavos mirë.
Mirrmëni shokë në atë krah
Të më thirrni Lah Garaqin.
Mirrmeni shokë dyfekun
Kam tre vëllezër le ta kenë.
Në pyeste mëma ç u bë djali
-U martua larg, larg nga mali.
Në pyeste mëma c’ nuse muar,
Koqe plumbtë në krah muar.
Në pyeste nëna ç’ krushk vanë
Shqipe kryezezat e hanë.
Tej nga mali nga Vatanë
Vranë Kapedan Thomanë.
Një këngë tjetër analoge për nga përmbajtja është edhe kënga “Mbeçë more shokë mbeçë”, mbase një këngë e kohës së jeniçerëve apo më vonë edhe e nizamëve. Për dallim nga kënga për Kapedan Thomanë, e cila ka një personazh, kjo këngë nuk i referohet në luftëtari apo personi të caktuar. Këtu bëhet fjalë për një nizam, (dhe për mijëra të tillë), që ka mbetur i plagosur diku larg, përtej urës së Qabesë, në shkretëtirat e Arabisë. Ai në çastet e fundit të jetës, kujtohet për nënën, të cilës përmes shokëve i bën të fala dhe e porosit që ta lirojë renë të martohet, t’ i shesë qetë e zezë për pajë, meqë ajo kishte pritur kot, mbase edhe ishte moshuar dhe duhej ta vazhdonte jetën e saj, sepse burrin që e kishte pasur me kurorë kishte “mbetur përtej Urës së Qabesë”. Përshkrimi i pikëllimit dhe fatalitetit është i njëjtë me elementet e këngës së Kapedan Thomait. Edhe ky nizam, sipas këngëtarit popullor është i martuar me plumba në kraharor, ndërsa në vend të krushqve, sorrat e korbat e hanë etj. Po të analizohen me kujdes këto dy këngë, mund të arrihet në përfundim se kënga “Mbeçë mor shokë mbeçë”, është më e vjetër se kënga e Kapdean Thomait, e cila del të jetë e ndërtuar me elementet e saj. Sido qoftë kemi të bëjmë me dy këngë të cilat kanë dy referenca, njëra ka personazhin anonim, tjetra personazhin real, historik.
Mbeçë more shokë mbeçë
Mbeçë more shokë mbeçë
Përtej urës së Qabesë
Të fala mi bëj nënesë
Të dy qet’ e zez t’i shesë
T’i japë niqah së resë
Në pyetë nëna për mua
I thoni që u martua
Në pyettë se ç’nuse mori
Tri plumba për kraharori
Në pyet se ç’krushq i vanë
Sorrat e korbat ta hanë
Në pyettë se në ç’kal hypi
Atje tek hypën meiti.
Mënyra e këndimit të kësaj kënge është epike, karakteristikë për këngët polifonike të jugut të Shqipërisë. Ajo mbërthen në vete nota të thella pikëllimi kolektiv, meqë fati i një nizami, nuk ishte rast i vetmuar, i veçuar me një personazh konkret, por ishte rast shumë i përhapur, që po bëhej dukuri dhe që kishte goditur gati çdo shtëpi shqiptare. Nga rastet e tilla të shumta, këngëtari anonim popullor kishte krijuar më vonë këngën e tragjizmit kolektiv të nizamëve: “Vinë pampurat Bregut t Detit”, që flet për tragjedinë e përgjithshme të nizamëve, të cilët edhe nëse nuk vriteshin në luftëra, edhe nëse nuk mbeteshin pre e korbave dhe zhabave, përtej Urës së Qabesë, në rastin kur arrinin të ktheheshin pas nëntë e më shumë viteve ata ballafaqoheshin me shumë të pritura e të pa pritura në familjen e katandisur.
Analog me këto dy këngë, në disa segmente, por jo me notat e dramaticitet të njëjtë, as të ndertimit të veçantë është edhe kënga e Selman Brahimit, e cila këndohet në veri të Shqipërisë dhe në Kosovë e më gjerë. Edhe në këtë këngë hetohen elemente elegjiake e pikëllimi, por edhe vajtimi, që nuk është karakteristik për dy këngët e para. Këtu kemi personazh, një vëlla, fatin fatal të së cilit e vajton motra e vetme. Nga pak vargjet e këngës kuptojnë se krijuesi anonim popullor ka veçuar një rast tragjik, me siguri një rast real, pa përcaktuar kohën, por duke shënuar hapësirën, një personazh me emër e mbiemër, i cili ka mbetur i vrarë diku në Breg të Drinit, në kuptim të përgjithësuar gjeografik, në Dri, Drinin e Bardhë, apo Drinin e Zi. Selman Brahimin e vajton motra, meqë ishte vëlla i vetëm dhe me vdekjen e tij do të shuhej edhe familja.
Kjo këngë nuk shquhet me të njëjtin dimension dramaticiteti të pikëllimit të fatit të keq kolektiv të shqiptarit, sikur kënga e Nizamit apo ajo e Kapedan Thomait. Në këtë rast kemi një personazh fatkeq, për të cilin nuk dimë se kush e vrau dhe për çfarë motivi. Ishte luftëtar i lirisë apo ishte vrarë për hakmarrje? Kënga nga përmbajtja e saj nuk na ofron referenca të tilla, por përshkruan fatin tragjik të një familjeje, e cila do të shuhet edhe në rast se motra nuk pranon të martohet me qëllim për ta ruajtur pragun e të parëve. Ajo edhe nëse vesh rroba mashkulli, për ta vazhdimësuar jetën në familje, sipas Kanunit të Maleve, nuk ka të drejtë të marrë “burrë, brenda shtëpisë”. Motra, në një rast të tillë do të jetojë për ta ruajtur shtëpinë e pasurinë e familjes deri në vdekjen e saj. Për dallim nga dy këngët e para, mënyra e këndimit të kësaj kënge ka degjeneruar me një këndim pa nota pikëllimi, me një ritëm të valleve popullore, as përafërsisht me dramaticitetin e këngës së Kapedan Thomait apo këngës së Nizamit anonim. Në mënyrën e këndimit nuk është e njëjtë as me këngët e vajtimit, edhe pse ka elemente të tilla si kënga e Rexhës dhe Kënga e Velës, që janë këngë tipike të vajtimit, jo vetëm për nga përmbajtja e ndërrimi por edhe me mënyrën e këndimit.
Kënga e Selman Brahimit
Krisi pushka bregut t’Drinit,
Qyqja motra e Selman Brahimit.
– O Selman, o more vlla
– Shumë e plmubat t’ paskan ra,
– S’ po lanë plagët me t’ i pa.
– T’ i sheh hoxha kur t’ i la.
– Amanet o mori nanë,
– Me ma mbarue nje vorr t gjanë.
– Varr të gjanë e me pengjere
– T’i shoh lulët në pranverë….
Këto tri këngë, me variante e nën variante, përbëjnë një tërësi në shtrirjen gjeografike të botës elegjiake shqiptare, në veri jug dhe deri brenda në Greqi, ku etnosi arvanitas sikur kishte bashkë-dyzuar elementet e këndimit solo dhe polifonik.
Në të tria këngët kemi të spikatur të njëjtin fat tragjik, shuarjen e familjes, kobit të zi që i frikësohet çdo qenie njerëzore dhe jo vetëm qenia shqiptare. Këto tri këngë kanë të përbashkët fatin tragjik të shqiptarit në kohë dhe hapësirë, prej përtej Urës së Çabesë, në Sul të trevave arvanitase nën Greqi dhe në veriun e Shqipërisë, apo në Shqipërinë e degdisur të Vilajeteve.
Ahmet Qeriqi
22. 6. 2015