Tri shoqatat e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Shqipërisë reagojnë kundër zhvendosjes së Monumentit të pesë heronjve të Shkodrës

Në një letër drejtuar:
Presidentit të Republikës, zotit Bamir Topi
Kryeministrit të Shqipërisë, zotit Sali Berisha
Ministrit të Brendshëm, zotit Bujar Nishani
Avokatit të Popullit, zotit Ermir Dobiani
Komitetit Shqiptar të Helsinkit

Për njoftim:
Ambasadës së SHBA në Tiranë
Përfaqësuesisë së Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë
Përfaqësuesit të OSBE-së në Tiranë

Organazita Kombëtare për Dëshmorët e Atdheut, Komiteti Kombëtar i Veteranëve të LANÇ dhe Shoqata e Invalidëve të LANÇ, ju shprehin shqetësimin dhe indinjatën më të thellë lidhur me vendimin e Këshillit Bashkiak të Shkodrës për zhvendosjen e Monumentit të Heronjve të Vigut nga qendra e qytetit të Shkodrës në periferi të këtij qyteti. E konsiderojmë këtë si një përpjekje tjetër, në vazhdën e akteve për shkurorëzimin e vlerave të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar dhe për denigrimin e 28 mijë dëshmorëve dhe heronjve të kësaj lufte të madhe e të lavdishme të historisë sonë kombëtare.
Populli shqiptar u ngrit masivisht në LANÇ, pa dalllim feje, krahine dhe ideja, si të gjithë popujt e tjerë të Evropës e të botës, në luftë kundër mortajës fashiste dhe me luftën e tij të madhe, me gjakun e 28 mijë dëshmorëve, zuri vendin e merituar në Koalicionin e Madh Botëror të shteteve të mëdha demokratik. Dëshmorët dhe heronjtë e kësaj lufte kanë qenë dhe do të mbetën lavdia e kombit tonë ndër shekuj. Populli ynë i përjetësoi ata në monumente kudo në Shqipëri. Në qytetin e Shkodrës u ngriti një përmendore Pesë Heronjve të Vigut, të cilët në Luftën Nacionalçlirimtare shkruan një nga epopetë më të lavdishme atdhetare, të qëndresës, të guximit e të trimërisë me përmasa legjendare. Monumenti i tyre në atë shesh i kishte hije dhe i bënte nder qytetit të Shkodrës, në radhë të parë, si dhe gjithë Shqipërisë. Heqja e këtij monumenti nga vendi i tij, pavarësisht se ku do të vendoset, është një përdhosje e këtyre heronjve dhe e gjithë simbolikës së dëshmorëve të LANÇ-it. Ky veprim indinjon familjarët e dëshmorëve në të gjithë Shqipërinë, veteranët, invalidët, njerëzit e ndershëm atdhetarë kudo që ndodhen. Para së gjithash indinjon qytetarët e Shkodrës, të cilët gjatë këtyre 18 vjetëve të demokracisë, nuk e kanë prekur këtë monument, por e kanë ruajtur si një simbol të shenjtë atdhetarie, si një simbol heroizmi dhe gjaku të derdhur për liri.
Nga pikëpamja ligjore heqja e këtij monumenti bije në kundërshtim me ligjin Nr. 8607, datë 27.04.2000 , të statusit të Dëshmorit të Atdheut. Ky ligj, në nenin 12, përcakton: “Zhvendosja e përmendoreve, lapidarëve, pllakave përkujtimore, si dhe objekteve të tjera, që kanë lidhje me dëshmorët e Atdheut, bëhet vetëm në raste të veçanta, kur këtë e kërkojnë interesat e larta shtetërore. Zhvendosja bëhet me vendim të këshillit të qarkut, ku ndodhet objekti”.
Siç shihet ky ligj përcakton në mënyrë të qartë e pa ekuivoke se vendimi merret jo nga Këshilli bashkiak, por nga Këshilli i Qarkut dhe vetëm në raste të veçantë kur e “kërkojnë interesat e larta shtetërore”. Shtrojmë pyetjen: çfarë interesa të larta shtetërore e diktojnë heqjen e monumentit të heronjve legjendarë dhe ngritjen në vend të tyre të një shatërvani?! A më vlerë kombëtare e shtetërore ka një monument i tillë, që është edhe vepër arti, apo një shatërvan, që do të hedh ujë përpjetë?!
Duket qartë se kemi të bëjmë me një vendim politik antiligjor dhe cinik.
Në një kontekst më të gjerë, ky vendim nuk është i rastit, as i vetmi, por si një vazhdim i shkatërrimit të vlerave të LANÇ, simboleve të saj, varrezave të dëshmoreve, ndërrimit të emrave të shkollave e mjediseve publike, dëmtimit të pllakave përkujtimore, lapidarëve e monumenteve, si dhe muzeve, që po vazhdon gjatë 18 vjetëve. Në Shkodër prej kohësh varrezat e dëshmorëve i kanë bllokuar e mbuluar me plehrat e qytetit. Në disa rrethe ato janë dëmtuar rëndë nga grupe të caktuara vandale. Këto ditë Këshilli i Komunës Hudënisht, në kundërshtim të plotë me ligjin, ka vendosur të shkatërrojë Monumentin e Heronjve të Pojskës në rrethin e Pogradecit. Nuk është i rastit as vendimi i rektoratit të Universitetit “Ismail Qemali”, në Vlorë për heqjen e emrit të këtij heroi, që shpalli pavarësinë dhe hodhi themelet e shtetit të sotëm shqiptar.
E gjithë kjo ndërmarrje e gjerë bën pjesë në strategjinë e zhvlerësimit e të shkatërrimit të vlerave kombëtare, në radhë të parë të vlerave të LANÇ. Kjo është vepër e bashkëpunëtorëve të djeshëm të fashizmit dhe pinjollëve të tyre, të cilët sot janë të veshur me pushtet. Prandaj, ne i kërkojmë Presidentit të Republikës, Kryeministrit dhe institucioneve të shtetit, t´u ndalojnë dorën organizmave të pushtetit që marrin vendime të kundërligjshme dhe shkatërrojnë këto vlera. Ne u bëjmë me dije përfaqësive diplomatike të akredituara në vendin tonë, përfaqësuesve të vendeve aleate të Luftës së Dytë Botërore dhe të institucioneve evropiane që monitorojnë Shqipërinë, për rrezikun e madh që paraqesin sot bashkëpunëtorët e djeshëm të fashizmit, ata që u radhitën përkrah Boshtit në Luftën e Dytë Botërore, kundër Koalicionit Antifashist.
Ne, si organizata shoqërore, mbrojtëse të vlerave të luftës dhe të Koalicionit Antifashist, kërkojmë ndërhyrjen pranë institucioneve të shtetit shqiptar për t´u ndalur dorën forcave, që synojnë të restaurojnë fashizmin në Shqipëri.
Organizata Kombëtare për Dëshmorët e Atdheut
Kryetari
Kadri Shametaj

Komiteti Kombëtar i Veteranëve të LANÇ
Kryetari
Adnan Qatipi
Shoqata e Invalidëve të LANÇ
Kryetari
Esat Molla

Tiranë, më 29.09.2008

Kontrolloni gjithashtu

Ministrja, Hykmete Bajrami

Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …