Nezir Myrtaj, i burgosur në vitin 1981 dhe i dënuar 12 vjet burg nga regjimi titist jugosllav, për shkak të aktivitetit të organizuar kundër regjimit të RSFJ-së, profesor i fizikës, analist i gazetave: “Bashkimi” dhe “Zëri i Kosovës” në vitet 90-të të shekullit të kaluar, pjesëtar i Lëvizjes dhe pjesëmarrës i luftës së UÇK-së, analisti i Radios-Kosova e lirë gjatë dhe pas luftës, është emri ndër më të njohurit të kritikës autentike, realiste, në letrat shqipe.
Janë të rrallë analistët shqiptarë, si Nezir Myrtaj, të cilët do të kenë mbajtur kurdoherë të gjallë vigjilencën, thellësinë e mendimit filozofik e mbi të gjitha mprehtësinë realiste në trajtimin e ngjarjeve të ndryshme lidhur me zhvillimet politike veçmas në Kosovë, në dy deceniet e fundit. Janë mjaft deficitarë analistët tanë në parashikimin e zhvillimit të ngjarjeve, si z. Myrtaj, shkrimet e të cilit kurdoherë rrezatojnë begatinë e tejshquar të perceptimit realist, thellësinë e gjykimit dhe filozofinë autentike të trajtimit e shtjellimit të temave, të cilat i ka shqyrtuar dhe i shqyrton me një vëmendje të jashtëzakonshme.
Duke qenë njohës i shkëlqyer i realitetit dhe antagonizmave shoqërore e klasore, teorik i thellë i vlerësimit të situatave të caktuara historike e politike, parashikues i ngjarjeve, të cilat rrjedhin si shkak pasojë në kalkulimet e ndryshme politike e strategjike, e mbi të gjitha krijues me kredo, qëndrim dhe dinjitet sokratjan, Nezir Myrtaj në analizat, esetë, vështrimet e kritikat e tij ka bërë emër si krijues origjinal, e mbi të gjitha si vrojtues shumë i thellë i rrethanave politike e shoqërore, jo vetëm në Kosovë.
Pena e tij godet pamëshirshëm, por godet me vend, duke identifikuar faktorët e vërtetë të gjendjes së rëndë politike, ekonomike e sociale, e cila ka mbretëruar dhe ende po mbretëron në Kosovë dhe kudo në trojet shqiptare. Duke i mbetur besnik realitetit dhe mbi të gjitha besnik shembullor i mbrojtjes së interesit kombëtar, z. Myrtaj, nuk ka lëshuar asnjëherë pe, dhe nuk ka reshtur duke e ngritur zërin kundër të gjithë atyre, që kanë abuzuar me votën e popullit, dhe kundër të gjithë atyre, që kanë shkelur aspiratat e lirisë dhe bashkimit kombëtar, kundër përfituesve të luftës e të pasluftës dhe kundër durimtarëve të pandreqshëm.
Është analisti i parë në Kosovë i cili paralajmëroi se Ekipi i Unitetit kishte shkelur aspiratat e popullit dhe kishte tradhtuar interesat jetike kombëtare të shqiptarëve. Disa muaj më vonë, doli sheshit se anëtarët e ekipit të Unitetit kishin pranuar unanimisht “pakon” e Ahtisarit me të gjitha lëshimet, që kjo pako iu bën serbëve vendorë dhe politikës agresive të Beogradit. Qysh prej shkrimeve të para të botuara në gazetën “Liria” pastaj në gazetën “Bashkimi” pas daljes nga burgu në vitin 1991, në gazetën “Zëri i Kosovës”, ai nuk ndaloi hapin e tij kurdoherë të matur dhe të sigurt në vrojtimin dhe trajtimin me korrektësi e mprehtësi shkencore të zhvillimeve politike e shoqërore në vend.
Në vazhdën e aktivitet analitik, Nezir Myrtaj ka botuar përmbledhjen me komente “Jehonë lufte”, – 2002, pastaj përmbledhjen tjetër me analiza, kritika e vështrime publicistike, “Rrugë e papërfunduar”, – 2004, dhe librin publicistik “17 dhe 18 marsi 2004”, botuar dy muaj pas revoltës popullore të marsit të atij viti. Nezir Myrtaj është kryeredaktor i monografisë, “Feniksët e lirisë”.
“Jehonë lufte”
Vlerësimet realiste mbi zhvillimin e ngjarjeve të kohës së luftës, njohja mjaft e thellë e politikave vendore e ndërkombëtare, analiza e bazuar në një përvojë shumëvjeçare për zhvillimet politike në Kosovë e më gjerë, bëri që komentet e Nezir Myrtajt të lënë gjurmë të thellë në pasqyrimin shumë korrekt dhe objektiv të shumë gjitha zhvillimeve, para, gjatë dhe pas luftës. Vrojtimi analitik, në kushte dhe rrethana të caktuara, që ai u ka bërë ngjarjeve të njohura politike, shquhet për thellësinë e mendimit kritik, për depërtimin në esencën e të gjitha manovrimeve politike të kohës nga qarqe të caktuara, për trajtimin realist dhe tejet serioz të shumë ngjarjeve në vend dhe në botë. Analizat politike, të cilat gjatë kohës së luftës i ka komentuar analisti, sajuesi i informatave dhe redaktori i Radios-Kosova e lirë, Nezir Myrtaj, shquhen për një mori specifikash krijuese.
Në unin e tij vlerësues-krijues, shquhet për origjinalitet të mendimeve dhe ideve, shquhet për depërtimin në thellësi të kontradiktave e të problemeve të ndryshme, shquhet për parashikime të sakta të ngjarjeve të caktuara. Komentet e tij, të shkruara nën breshërinë e granatave dhe të raketave të armikut gjatë kohës së luftës, e ruajnë ritmikën tipike të hapërimit me kohën, të përkujtojnë ndeshjen e ashpër dhe fyt për fyt të luftëtarëve të lirisë kundër forcave okupatore serbe.
Komunikimi i tij me opinionin tonë, sidomos gjatë luftës, përmes shënimeve, vështrimeve e komenteve të emetuara nga Radio-Kosova e lirë dhe nga Agjencia e lajmeve Kosovapress, ka qenë komunikimi më objektiv dhe më i pasur me qasje dhe ide, lidhur me të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur në Kosovë dhe rreth saj. Analiza që ai iu ka bërë zhvillimeve në terren, analiza që u ka bërë hapave të diplomacisë botërore e në veçanti asaj perëndimore, e cila mori përsipër ndërhyrjen ushtarake kundër federatës jugosllave, shquhen për trajtim realist dhe tejet të qartë të ngjarjeve me rëndësi vendore dhe ndërkombëtare.
Duke përcjellë më shumë vëmendje dhe me gjykim kritik rrjedhën e ngjarjeve, më 9 janar të vitit 1999, analisti Myrtaj, në shënimin e titulluar: “Paraloja e një aventure të re serbe në Kosovë”, pasi u bën një analizë të thellë zhvillimeve, parashikon fillimin e një çmendurie tjetër të bandave serbe kundër civilëve shqiptarë. Vetëm pesë ditë më vonë, sodomistët serbë kryen masakrën e çmeritur në Reçak, ku në mënyrë barbare vranë e masakruan 43 shqiptarë të gjinive e të moshave të ndryshme. Masakrën e Reçakut, më 20 janar të po atij viti, Nezir Myrtaj do ta definojë si akt të komprometimit të NATO-s, duke i përkujtuar opinionit se “në qoftë se nuk dëshirohet përsëritja e masakrave të reja edhe më të tmerrshme mbi shqiptarë, intervenimi ushtarak kundër satrapit të Ballkanit duhet të jetë mjeti i parë dhe jo i fundit kundër tij”. Ky konstatim kuptimplotë mbërthen në vete realitetin e hidhur të hezitimit të perëndimorëve, të cilët NATO-n, asokohe e improvizonin si gogol për ta frikësuar gjakatarin Millosheviq. Pasojnë pastaj shumë komente lidhur me luftimet, ndërrimin e ushtarëve në mes të SHP të UÇK-së dhe armatës okupatore serbe, të cilin Myrtaj e komenton si akt të legjitimimit të UÇK-së, si palë ndërluftuese.
Janë me interes të veçantë komentet e shënimet lidhur me Konferencën e Rambujesë, e ndër to do të veçoja në këtë rast konstatimin realist kuptimplotë se pala serbe do të nënshkruajë në Rambujetë e tjera, pasi të bindet se NATO-ja nuk kërcënon, por vepron.
Nëse duhet vdekur dikush, më mirë unë sesa Kosova ime, kishte thënë komandanti! – Nëse duhet vdekur dikush, më mirë të gjithë ne sesa Atdheu, kishin thënë të gjithë Jasharët në Kështjellë. Me këto dy fjali, më 5 mars të vitit 1999, Nezir Myrtaj e kishte sintetizuar në mënyrën më kuptimplote qëndresën heroike të Jasharëve, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, me rastin e përvjetorit të parë të qëndresës, në Prekazin e heroizmit shqiptar.
Në mesin e analizave të shumta që komentuesi dhe redaktori i informimit i radios “Kosova e lirë”, u ka bërë zhvillimeve në Kosovë e më gjerë, vend të rëndësishëm zënë edhe komentet ku stigmatizohet politika pacifiste e Ibrahim Rugovës dhe e pasuesve të tij, sidomos gjatë luftës. Duke demaskuar politikën e pritjes dhe retorikën boshë të liderit pacifist, ai ua çjerr maskën prapaskenave të rrezikshme, në të cila notonte Rugova, jo si peng i Millosheviqit, por si peng i paragjykimeve dhe i qyqarisë së tij për të marrë qëndrim kundër kryekriminelit, Millosheviq. Në veprimet tejet kontraverse të Rugovës, Myrtaj zbulon njeriun, i cili nuk ishte i burgosuri i Millosheviqit, por një krijesë kukull, vegël në shërbim të politikës dhe të koniukturave antikombëtare, aminxhi dhe përderecak i papërgjegjshëm. Janë antologjike komentet: “Për Rugovën nuk ka më nëse’…; “Çarmatosjen e kujt, në fakt, e dëshiron Rugova”; “Kori i apologjetëve të Rugovës”, e komente të tjera, ku analisti Nezir Myrtaj fshikullon prapaskenat dhe mungesën e moralit të njeriut, i cili “qesh kur duhet qarë dhe qan kur duhet qeshur”.
Tematikë e komenteve dhe e vështrimeve të profesor Myrtajt, gjatë kohës së luftës ka qenë edhe politika ndërkombëtare dhe zbërthimi i vëmendshëm i të gjitha segmenteve të asaj politike, karshi çështjes shqiptare në përgjithësi, e në veçanti karshi çështjes së Kosovës. Mirëpo, në të gjitha komentet e tij ka dominuar kritika luftarake kundër makinerisë okupatore serbe dhe kundër krerëve të asaj politike.
Në kohën e bombardimeve të NATO-s, komentuesi shfaq besimin e tij të paluhatshëm se “Makinës vrastare po i afrohej fundi i turpshëm”, se “Nuk do të spastrohet Kosova, por truri shovinist serb”, se” Serbisë po i a nxjerrin sytë duke ia kruar vetullat”, “se Serbisë po i kthehej haku me kamatë”,” Serbia, sinonim i territ”, “ Serbia do t’i ndijë pasojat e Millosheviqit edhe pas tij”; se “Krimineli Millosheviq është i pandreqshëm dhe i papenduar…”, dhe shumë komente të tjera, në të cilat parashihej fundi i turpshëm i okupatorëve serbë, meqë më në fund: “Shqiptarët po kthehen, serbët po shkojnë” dhe “Nga Kosova u largua antihistoria”. Gjuha luftarake e këtyre komenteve i ka mobilizuar kudo dhe në çdo kohë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët edhe nëpër istikame të luftës e dëgjonin “Radion Kosova e lirë”, zëdhënësen e jehonës së pushkëve të trimave e të trimëreshave të Adem Jasharit.
Përmbledhja me komente e vështrime e Nezir Myrtajt, “Jehonë lufte” është një perlë e vërtetë e mendimit dhe e filozofisë së rezistencës shqiptare. Nuk kemi të bëjmë këtu me komente të thjeshta ditore, mbi ngjarjet e caktuara politike, as me vlerësime dosido, sikur jemi mësuar të lexojmë kudo në shtypin shqiptar.
Në asnjë rresht të këtyre komenteve nuk vërejmë dilemë apo tërheqje nga pozicioni i luftës dhe besimi në fitore, nuk vërejmë pasiguri a ndrojtje nga e nesërmja, por të gjitha komentet përshkohen me realizëm magjeps, me zë burrëror në mbrojtje të së drejtës universale njerëzore, pa patetikë, pa retorikë boshe dhe pa asnjë luhatje nga pozita e qartë e domosdoshmërisë së ngadhënjimit të së mirës mbi të ligën. Gjuha, stili, figuracioni artistik, qartësia e mendimit, formulimi konciz, fjalori tejet i pasur, janë vetëm disa nga tiparet dalluese të këtyre margaritarëve të mendimit politik të epokës së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Komentet e Nezir Myrtajt, shkruar gjatë luftës, nuk janë vetëm analiza mbi ngjarjet e caktuara, ato mbi të gjitha janë dokumente të një epoke, janë perla fascinuese krijuese, janë dëshmi e qëndresës dhe e vitalitetit të gjeneratës më të përkushtuar të çlirimit të trojeve të robëruara të Shqipërisë. Ato janë krijime të veçanta të një epoke të veçantë heroike.
Është edhe një fakt tjetër, i panjohur për lexuesin, për mënyrën si janë hartuar këto komente.
Gjatë kohës së luftës, sidomos pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër Jugosllavisë, stafi i Radios tashmë ishte vendosur në tendë, në “Rrezen e Baliqit”, në Berishë, ku ishte hapur edhe bunkeri. Neziri, zakonisht shkruante në malet dhe shkrepat e Pallanikut, atje ku transmetohej programi i Radios. Gjatë kohës së hartimit të komenteve vazhdimisht goditej edhe vendi ku ai i hartonte komentet dhe analizat e tij. Pavarësisht nga rrethanat, i strukur në një vend, ku në dukje ndihej më i sigurt, po ku shpeshherë dridhej tërë vendi nga fuqia e shpërthimit të predhave armike, ai do të shkruante faqet më të ndritshme të heroizmit të luftëtarëve të lirisë, do të komentonte ngjarjet më të rëndësishme të ditës, duke mos shfaqur asnjë pikë dyshimi në domosdoshmërinë e fitores. Dhe jo vetëm kaq.
Ka ndodhur që gjatë tërë ditës të ketë ecur këmbë, nga një mal në tjetrin, gjithnjë nën breshërinë e predhave të armës armike, shpeshherë edhe i uritur, por gjithnjë i gatshëm për ta shqiptuar, si për grykë të topit, fjalën e drejtë dhe të vërtetë, përmes valëve të Radios-Kosova e lirë, e cila asokohe ishte mediumi i vetëm elektronik, që transmetonte në tërë hapësirën e Kosovës. Në të tilla kushte, kur analistët pacifistë hartonin komentet e tyre profane nga zyret e tyre me klimë në Prishtinë apo në Tiranë, Nezir Myrtaj fjalën e tij çlirimtare e përhapte brenda Kosovës, nga zonat e pashkelura, që mbronte me gjak dhe i mbante nën kontroll UÇK-ja.
Komentet, analizat dhe shënimet e librit “Jehonë lufte” janë faqja më e ndritur e gazetarisë shqiptare gjatë kohës së luftës në Kosovë, janë dokumentet më autentike të kësaj lufte, janë rrëfimet më autentike të historisë sonë më të re, të kohës së UÇK-së së lavdishme dhe fitimtare.
“Rrugë e papërfunduar”
Libri publicistik “Rrugë e papërfunduar”, i analistit Nezir Myrtaj, është sajuar nga komente të caktuara, “kryesisht të karakterit politik” që kanë të bëjnë me periudhën e pas mbarimit të luftës në Kosovë, në qershor të vitit 1999 e deri në shkurt të vitit 2003. Në këtë libër janë trajtuar tema të ndryshme si: disfata e turpshme e forcave kolonialiste serbe në Kosovë, kthimi dhe marshimi i çlirimtarëve dhe i ushtarëve të NATO-s në vendin tonë, transformimi i UÇK-së në TMK, pastaj shkrime me përmbajtje sociale, komente për robërit e luftës, për të zhdukurit, për pasojat e luftës, për qytetin e ndarë të Mitrovicës, për zgjedhjet e lira, për opstrukcionet e Serbisë, për dërgimin e Milosheviqit në Hagë dhe tema të tjera, ku me shumë sukses është trajtuar sidomos skena e mjerë dhe e varfër politike e Kosovës, lëshimet dhe profanitë e papërgjegjshme të grupeve e klaneve të caktuara politike.
Duke mbetur parashikues realist, pse jo edhe vegimtar tejet i thellë i proceseve politike, nëpër të cilat ka kaluar dhe po kalon Kosova, analisti Myrtaj, në “parathënien” e këtij libri me kohë ka shfaqur brenga e shqetësime lidhur me këtë proces, duke vërejtur me vëmendje se “për të arritur deri te çlirimi dhe liria e ëndërruar nga brezat, duhet bërë edhe shumë rrugë. Mospërfillja e këtij fakti, mund të bëhet njëri prej faktorëve, që do të ndikonte në zgjatjen e kësaj rruge, prandaj kam bërë përpjekje që shqetësimin tim individual ta ngreh në atë kolektiv, për shkak të çorientimit dhe devijimeve të ndryshme brenda shoqërisë sonë të pasluftës”.
Nuk ka si të shprehet ndryshe një shqetësim i tillë tejet i ndërgjegjësuar, individual edhe kolektiv, për të parë dhe për t’ u bindur më në fund, se pikërisht nga devijimet e tilla, që i bëri kreu politik i Kosovës, kemi mbetur këtu ku jemi.
Asnjë analist tjetër në Kosovë, nuk ka bërë parashikime të tilla kaq vegimtare. Vetëm analisti, Partik Mur, kohë pas kohe ka bërë parashikime të tilla, por për mendimin tim, parashikimet e z. Myrtaj janë shumë më të thella, më objektive, sepse ato burojnë nga një përvojë e gjatë e perceptimit autentik të realitetit të së kaluarës dhe së tanishmes. Ato kanë mbështetje pozicionin realist politik, shoqëror, kombëtar e filozofik. Ky pozicion ka qenë dhe ka mbetur alfa dhe omega e preokupimeve të autorit, jo vetëm si analist, por në radhë të parë si personalitet me ego dhe dinjitet, me një të kaluar, e cila shkëlqen në drejtim të aktivitetit të gjithanshëm, në rrugën tejet të rrezikshme dhe të vështirë të realizimit të aspiratave tona kombëtare. Nga kjo përvojë dhe nga ky qëndrim, gjithmonë i pathyeshëm dhe i palëkundshëm, mbështetur kurdoherë në të drejtën dhe në të vërtetën, Nezir Myrtaj, tashmë ka krijuar filozofinë autentike të vrojtimit të proceseve politike e shoqërore, të cilat në veçanti kanë të bëjnë me problemet tona kapitale kombëtare, “në rrugë të papërfunduar”, ende në një rrugë “eksperimentale”, në të cilën tashmë janë implikuar faktorët kryesorë vendimmarrës ndërkombëtarë.
Të marrësh në shqyrtim, analizat, komentet dhe vështrimet e tij ose të bësh përpjekje për të definuar konceptet e tij filozofike, të bësh përpjekje për të dhënë gjykime të prera lidhur me problemet, që ai ka trajtuar dhe trajton aktualisht, është një punë tejet e vështirë, sepse Neziri ka qenë dhe vazhdon të mbetet një sfidues i llojit të vet, një sfidues që të përkujton dialogun sarkastik të Sokratit, maturinë dhe thellësinë meditative të Aristotelit, zërin burrëror të Platonit, ashpërsinë e shpatës së Skënderbeut, e cila godet nga të gjitha anët dhe jehonën e krismave të luftëtarëve të lirisë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pikërisht për këtë, analizat e tij politike janë krijime të veçanta, jo vetëm publicistike e artistike. Nuk janë këto krahasime pa mbulesë, sikur mund të mendojë ndokush, i cili ende nuk i ka lexuar komentet dhe analizat e z. Myrtaj, por janë dëshmi, që flasin për një penë, jo vetëm të talentuar, një penë, jo vetëm të latuar me kujdes e korrektësi, me të cilën ai ka shënuar gjykimet më realiste dhe më të thella në publicistikën tonë në përgjithësi. Përderisa marr të drejtën të bëj gjykime dhe krahasime të tilla, këto do të mundohem ta vërtetoj përmes analizave dhe dromcave filozofike të z. Myrtaj, i cili shkrimet e tij i ka kualifikuar si shkrime publicistike, por ato në esencë janë shumë më tepër se një publicistikë, cilado qoftë ajo. Në fillim të kapitullit të parë të përmbledhjes “Rrugë e papërfunduar” në komentin “Prerja e nyjës gordiane” ai ka konstatuar:
“Më 24 mars të vitit 1999, në raportet midis Kosovës dhe Serbisë, u bë prerja e nyjës gordiane dhe njëkohësisht kthesa e madhe historike… Ajo ditë vulosi synimin e përhershëm të shqiptarëve për t i dhënë fund kolonializmit serb mbi Kosovën dhe hapi faqen e re të historisë së saj: faqen e jetësimit të lirisë dhe pavarësisë së synuar… Përderisa pas 24 marsit Kosova është dhe do të jetë ndryshe, Serbia po vazhdon drejt perspektivës që ia ka trasuar Milosheviqi.
Ky parashikim shumë i qartë, po mbetet edhe sot e kësaj dite një konstatim shumë aktual për mendësinë kolonizatore serbe, që shprehet me votëbesimin, që ky popull i ka dhënë radikalëve të Sheshelit e socialistëve të Milosheviqit.
Në shënimin e shkurtër “Kush i pari?”, Myrtaj i ka dhënë një përgjigje meritore dilemës se kush hyri i pari në Kosovë më 11 e 12 qershor të vitit 1999. Ai, me vëmendjen e analistit të ditur dhe të përgjegjshëm ka konstatuar se “në njëvjetorin e triumfit shqiptaro-ndërkombëtar mbi Serbinë kolonialiste, gjatë vlerësimit të rolit të faktorëve triumfues, na ka rënë të dëgjojmë edhe spekulime se “kush hyri i pari në Kosovë, KFOR-i apo UÇK-ja? Një pyetje e tillë nuk ka kuptim të shtrohet, për faktin e lidhmëria e këtyre dy faktorëve çlirimtarë ishte e pashkëputshme. Çdo përpjekje për t’ i trajtuar shkëputurazi këto merita nënkupton fyerjen e UÇK-së, por edhe mohimin e kontributit të NATO-s për vendosjen e paqes”. Edhe këtu kemi gjykimin e drejtë të një vizionari, një njohësi të shkëlqyeshëm të rrethanave relevante historike dhe jo vetëm kaq.
Duke komentuar ikjen e serbëve nga Kosova, në qershor të vitit 1999, vlerëson se “ikja e serbëve nga Kosova, nuk mund të trajtohet si pasojë e veprimeve të shqiptarëve, meqë ikja e tyre është rezultat i politikës kolonialiste të shteti të tyre dhe i dështimit të synimeve antishqiptare serbe, të kthyera në bumerang fatal”, për të konstatuar se serbët e pafajshëm nuk janë larguar nga Kosova, ndërsa serbët e fajshëm paraqesin palën e ndëshkuar ndërkombëtarisht.
Me rastin e bisedimeve, lidhur me kthimin e serbëve nga kreu politik i Kosovës, nuk janë marrë në konsideratë këto gjykime realiste dhe as është biseduar fare lidhur me ndërtimin e një strategjie mbarëkombëtare mbi këtë pozicion.
Në mesin e analizave gjithnjë largpamëse, do të veçoj me këtë rast një konstatim shumë domethënës nga shënimi “Heshtja që do të flasë më vonë”. Nga analiza që i ka bërë situatës në Kosovë dhjetë muaj pas çlirimit të vendit nga okupimi serb, Myrtaj ka identifikuar përçarjen e faktorit ndërkombëtar, në bazë të interesave, dobësimin e faktorit evropian për të përfunduar se “Realiteti i sotëm është dëshmues se problemet në Kosovë kanë arritur deri në shkallën, përtej së cilës nuk mund të shkohet, pa rrezikuar krejt atë që është investuar për të krijuar një realitet të ri. Trendet shqetësuese të zhvillimeve në Kosovë dhe tendencat e shpërthimeve në trojet shqiptare jashtë saj, paraqesin dëshmi komprometuese për faktorin evropian dhe njëkohësisht imponojnë aktivizimin e atij amerikan”. Këto konstatime kanë qenë dhe do të mbesin jo vetëm konstatime që ende e ruajnë aktualitetin, por mbi të gjitha janë gjykime të shëndosha, lidhur me ndikimin e domosdoshëm amerikan deri në përfundim të përcaktimit të statusit të Kosovës.
Duke komentuar arrestimin dhe dërgimin në Hagë të kryekriminelit serb Milosheviq, analisti, Myrtaj me gjuhën dhe stilin e tij shumë të pasur me figuracione artistike, me gjuhën e fitimtarit flet për “Shitjen e kokës së perandorit”. Ai, (Milosheviqi) nuk ndodhet më në Burgun Qendror të Beogradit dhe as në tokën e Serbisë së tij, të cilën kishte ëndërruar ta bënte të madhe. Brenda kësaj Serbie ai ka lënë gjurmët e këmbëve të tij, përkrahësit e vet dhe turpin e Serbisë… Mirëpo është e padiskutueshme se kryekriminelit të Beogradit dhe përkrahësve të tij, tashmë edhe Serbia e vogël do t’u duket tepër e madhe”.
Në pjesën e dhjetë të librit “Rrugë e papërfunduar”, në kapitullin “Parafrazim dilemash” autori, ka sintetizuar në mënyrë kronologjike segmentet kryesore të “çështjes shqiptare” në përgjithësi, e në veçanti të “çështjes së Kosovës” dhe të trevave shqiptare, të ndara e të shkapërderdhura në shtetet e Ballkanit, duke konstatuar se “shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë së sotme politike vazhdojnë të jenë të pjesëzuar e të ndarë me kufij të dhunshëm. Luftërat e fundit çlirimtare që bënë ata, ishin përpjekje dhe gjasë kolosale për të arritur realizimin e aspiratës për çlirim kombëtar. Një gjasë e veçantë historike, për t’ u çliruar e pavarësuar, duke bërë më të afërt e më të lehtë zhvillimin e mëtejshëm të procesit të natyrshëm të bashkimit kombëtar. Mirëpo kjo gjasë, sot vazhdon të jetë pezull, ashtu siç është edhe statusi politik i Kosovës”…
Në vazhdim të parafrazimit të dilemave, Myrtaj ka diagnostifikuar të gjitha rrethanat shoqërore, politike, ekonomike dhe të gjitha zhvillimet, që e degjeneruan procesin në përgjithësi dhe që ndikuan në restaurimin e status-quosë së rrezikshme, e cila do të shpërthejë me revoltën e 17 dhe 18 marsit të vitit 2004.
Në mesin e shumë faktorëve që ndikuan në stërkeqen e procesit afirmativ, në rrugë drejt pavarësisë, ai ka stigmatizuar feudo-mentalitetet e së kaluarës dhe një mori faktorësh të tjerë, të cilët ndikuan në frenimin e rrugës drejt zgjidhjes së shpejtë të statusit të Kosovës.
Me shumë të drejtë ka konstatuar se “ pas fitores së luftës, në Kosovë, në vend të një mentaliteti, të një logjike e të një kulture të re fitimtare, u restaurua shprehia e vjetër publike. Si rezultat i dominimit të logjikës së rikthimit, në çdo sferë të jetës, e reja u sfidua nga e vjetra. Në përputhje me këtë logjikë pozitën e tyre të mëparshme e aspiruan të gjithë ish-nëpunësit, ish-policët, ish-shefat, ish-drejtorët, ish rojet e pyllit, ish-kasapët dhe ish bashkëpunëtorët e pushtetit serb, Për fat të keq, kjo pozitë jo vetëm u aspirua, por në shumë raste edhe u rikthye, sepse shoqëria kosovare, pas luftës, nuk arriti t’i ndërpresë fijet e lidhjeve midis matrapazëve, tregtarëve e bashkëpunëtorëve shqiptarë dhe padronëve të tyre të deridjeshëm serbë.
Në pasqyrimin e realitetit, i cili u imponua pas luftës sonë çlirimtare dhe fitimtare, ai, shkaktarët e vërtetë të degradimit të vlerave të luftës nuk i ka kërkuar vetëm te qarqet e huaja apo te administrata ndërkombëtare, por i ka identifikuar përbrenda vetë faktorit shqiptar, përbrenda klasës durimtare e servile, e cila në kushte dhe rrethana të caktuara, me servilizmin e njohur e mirë të mësuar ndaj padronit, cilido qoftë ai, u vu në shërbim të qarqeve të caktuara, të cilat ndikuan në zvarritjen dhe stërkeqen e procesit politik që po zhvillohej në Kosovën e pas luftës. Me keqardhje ka konstatuar se “në vitet e pas luftës, mijëra shqiptarë deklaruan shtetësinë jugosllave përmes dokumenteve të ndryshme civile e shtetërore. Me qëllim për të përmbushur nevojat e tyre personale ata bashkëpunuan me mafian serbe duke u mundësuar atyre për t’ i mbrojtur interesat pronësore në Kosovë”….
Pas një analize të gjerë dhe të gjithanshme që i bën realitetit mbizotërues në Kosovë, në vitet e para të pas luftës, analisti largpamës, Nezir Myrtaj, ka shkoqitur edhe një segment shumë domethënës që degradoi në restaurimin e mentalitetit të vjetër, të mentalitetit të robit, i cili mbase është rrjedhë e sundimit të huaj shumëshekullor. Pasi ka vënë në spikamë të gjithë faktorët që quan në këtë, “rrugë të papërfunduar”, në këtë rrugë e cila zgjati më shumë se tetë vjet, ka veçuar edhe një segment tjetër realist, i cili po ashtu është shumë sinjifikativ. Duke komentuar rezultatin e zgjedhjeve të para dhe të dyta pas dëbimit të forcave okupatore serbe nga Kosova, ka nënvizuar se “Testimi më i qartë i ndjenjave dhe i ndërgjegjes së shoqërisë kosovare u bë me rastin e zgjedhjeve vendore dhe atyre qendrore. Në këto zgjedhje shumica e elektoratit shqiptar, dëshmoi përcaktimin e tij, në favor të forcave të dyshimta politike, madje edhe të personave, të cilët e kishin penguar luftën dhe jo në favor të forcave të reja politike. Rasti i Kosovës, në këtë kontest bëri përjashtim nga të gjitha vendet e tjera të rajonit të dala nga lufta, me përjashtim të Serbisë”.
Krijimtaria e z. Myrtaj shkëlqen ashtu sikur shkëlqen margaritari, të cilit kurrë nuk i humbet vlera. Ajo, është e tillë, sepse është shkruar me përkushtim, e mbështetur në një pozicion të fortë kombëtar, është shkruar me ndërgjegje dhe përgjegjësi të thellë kombëtare e politike. Shkrimet e tij mbi të gjitha shquhen për gjuhë dhe stil shumë të pasur, brendi e përmbajtje të begatshme, koncizitet e korrektësi në paraqitjen dhe trajtimin e problemeve, realizëm, gjykim autentik dhe shumë veçori të tjera.
***
Edhe pse tri veprat e intelektualit, publicistit dhe të burgosurit politik, Nezir Myrtaj janë botuar në vitet 2000-2004, zhvillimet e fundit në relacionin: Bruksel-Beograd-Prishtinë tregojnë sheshit se mendja esëll e këtij analisti të shkëlqyer, me kohë kishte paraparë se si po degradonte pjesa dërrmuese e politikës poltrone e servile e Kosovës. Pranimi pa kusht i bisedimeve me Serbinë, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe pasi Gjykata Ndërkombëtare të Drejtësisë e kishte legjitimuar atë, tregoi jo vetëm mungesë serioziteti të këtij stafi politik, por edhe servilizëm dhe nënshtrim pa kusht, me pasoja shumë të rënda për të ardhmen e vendit. Marrëveshjet e arritura në Bruksel mes Kosovës e Serbisë me ndërmjetësimin e komisares së BE-së, janë marrëveshje, që e kanë vulën ndërkombëtare dhe është tepër e vështirë që përmes bisedimeve të tjera, të rikthehet pozita paraprake e Kosovës me rastin e shpalljes së pavarësisë.
Duke mbetur parashikues realist, pse jo edhe vegimtar tejet i thellë i proceseve politike, nëpër të cilat ka kaluar dhe po kalon Kosova, analisti, Nezir Myrtaj, në “parathënien” e librit, “Rrugë e papërfunduar” kishte shfaqur brenga e shqetësime lidhur me këtë proces, duke vërejtur me vëmendje se “për të arritur deri te çlirimi dhe liria e ëndërruar nga brezat, duhet bërë edhe shumë rrugë. Mospërfillja e këtij fakti, mund të bëhet njëri prej faktorëve, që do të ndikonte në zgjatjen e kësaj rruge, prandaj kam bërë përpjekje që shqetësimin tim individual ta ngreh në atë kolektiv, për shkak të çorientimit dhe devijimeve të ndryshme brenda shoqërisë sonë të pasluftës”.
Nezir Myrtaj me shumë të drejtë kishte konstatuar se “pas fitores së luftës, në Kosovë, në vend të një mentaliteti, të një logjike e të një kulture të re fitimtare, u restaurua shprehia e vjetër publike. Si rezultat i dominimit të logjikës së rikthimit, në çdo sferë të jetës, e reja u sfidua nga e vjetra. Në përputhje me këtë logjikë pozitën e tyre të mëparshme e aspiruan të gjithë ish-nëpunësit, ish-policët, ish-shefat, ish-drejtorët, ish rojet e pyllit, ish-kasapët dhe ish bashkëpunëtorët e pushtetit serb, Për fat të keq, kjo pozitë jo vetëm u aspirua, por në shumë raste edhe u rikthye, sepse shoqëria kosovare, pas luftës, nuk arriti t’i ndërpresë fijet e lidhjeve midis matrapazëve, tregtarëve e bashkëpunëtorëve shqiptarë dhe padronëve të tyre të deridjeshëm serbë”. “Shprehia e vjetër publike”, komoditeti që prodhonte dhe prodhon ajo, veshja me pushtet dhe përfitimet përrallore që po u sjell shumicës së pushtetarëve, bënë që Serbia, përmes bisedimeve me kreun politik dhe institucional të Kosovës ta restaurojë sa për fillim një segment të pushtetit kolonialist dhe hegjemonist në Kosovë, fillimisht duke u fokusuar në veri.
Ahmet Qeriqi