leoni

Tri vjet me arrogancë, mujshari politike, keqqeverisje, korrupsion, shpërfillje e aleatëve, thellim të ndasive e përçarjeve…

Kanë kaluar tashmë tri vjet të qeverisjes së Kosovës nga koalicioni: Vetëvendosje ne krye me Albin  Kurtin, kryeministër, si  dhe Listën Guxo, të Vjosa Raif Osmanit, kryetare. Iluzionistët, futuristët, urrejtësit e luftës së UÇK-së, ikanakët e kohës së luftës, pacifistët e ngjyrave të përziera, pro jugosllavët e përbetuar, mbetje të bashkim vëllazërimit, ish të burgosur politikë të ricikluar dhe të rikonvertuar nga një parti në tjetrën, pjesëtarë të caktuar të mërgatës së qyqeve, u bënë  bashkë në maratonën e tyre për ta marrë pushtetin, 22 vjet pas çlirimit të vendit nga robëria serbe, falë luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe  ndihmës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës e vendeve anëtare të NATO-së, e cila për 78 ditë rresht kishte bombarduar makinerinë barbare të Serbisë së Millosheviqit…

Tani pas tri vitesh vetvetiu shtrohen pyetje të shumta që kërkojnë përgjigje realiste, të faktuara e të dokumentuara, me qëllim  për të bërë një bilanc në rrugën tonë ende me shumë leqe e brigje, në një Shtet të ri në Evropë, të pranuar e të papranuar si duhet dhe sa duhet nga bashkësia  ndërkombëtare, një pjesë me fajin e politikave të caktuara dhe pjesa tjetër nga faktori gjithnjë heterogjen ndërkombëtar, për të mos thënë edhe antishqiptar, në një dozë në rënie, sidomos në disa shtete…

Vetëvendosja me Albin Kurtin në krye erdhi në pushtet me shumë premtime, që dolën mashtrime, me kauza të ndërshtëna  e të ujdisura politike. Ai  erdhi në pushtet me një kapacitet dhe trashëgimi politike të ndërtuar me aksione, protesta gjithnjë të dhunshme,  kacafytje dhe sulme mbi policinë e Kosovës, por edhe mbi policinë e UNMIK-ut dhe EULEX-it, vënien e zjarrit institucioneve, madje edhe sulme fizike me mollotov kundër ndërtesave qeveritare, me dhunën e shfrenuar të ushtruar brenda sallës së Kuvendit, me kacafytje fizike, me gaz lotsjellës, gjuhë e veprime arrogante, të papërgjegjshme shumë shpesh edhe të panjerëzishme. Të gjitha këto veprime,  sidomos për dy kauza: kundërshtimi i krijimit të Asociacionit të Komunave të Kosovës me shumicë serbe dhe kundër dhënies Malit të Zi 8 mijë e 200 hektarë male e pyje të Kosovës.

Albin Kurti kishte premtuar se kurrë nuk do ta pranonte Pakon e Ahtisaarit, nuk do ta pranonte, Flamurin e Shtetit të Kosovës, as himnin, nuk do të pranonte Asociacionin e komunave me shumicë serbe, nuk do të pranonte me asnjë kusht dhe asnjë  çmim të bisedonte me kryetarin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, nuk do të pranonte t’i jepte Manastirit të Deçanit 24 hektarë tokë. Kishte premtuar luftë pa kompromis kundër korrupsionit, bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Kishte premtuar zhvillimin ekonomik të Kosovës, hapjen e vendeve të reja të punës, ndaljen e ikjes së popullatës nga Kosova, ndërtimin e rrugëve, ngritjen e cilësisë së arsimit, ndërtimin e çerdheve, zbardhjen e fatit të të zhdukurve  dhe sa e sa premtime të tjera, “bianco”.

Cilat nga këto qëndrime e premtime i ka realizuar apo nuk i ka shkelur Albin Kurti?

Nuk duhet kurrfarë komenti i veçantë shpjegues, sepse këto i dinë të gjithë, sepse janë ngjyrat e kameleonit që e shpërfaqin realitetin…

Për më keq, për herë të parë në historinë e pas luftës së Kosovë, në kohën e qeverisjes së Kurtit ndodhi edhe një e papritur nga askush, ndodhi jo rastësisht,  prishja e marrëdhënieve me aleatët, me ata që kanë dhënë kontribut të paçmuar, në çlirimin e vendit, në njohjen e pavarësisë, në mbështetjen e fuqishme ekonomike e mbi të gjitha në ruajtjen e tërësisë territoriale të Kosovës me trupa ushtarake, që nga qershori i vitit 1999 e deri tani në vitin 2024 dhe në vazhdim…

 

Edhe për më keq, për herë të parë, si pasojë e qëndrimeve kryeneçe, të pamatura dhe të papërgjegjshme, naive dhe arrogante të Qeverisë-Kurti, Kosovës iu vunë sanksione ekonomike e politike nga Bashkimi Evropian dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por ja që rrjedhat ndryshuan, madje shumë shpejt, sepse Kurti më në fund u bind se ndodhet në pozitë,  kur nuk e shtyn më tej inatin e zi  më cinizëm naiv dhe krekosje  si  “Amelika Amelika”, nuk ka më karshillëk, nuk ka më krekosje se po matet me amerikanët, nuk ka më naivitet politik, pasi qenka një,   Gabriel Escobar i cili vetëm me praninë e tij bën që rrjedhat të marrin kahen e vet, partneritetin e duhur dhe shumë të nevojshëm, sipas kutit amerikan, jo sipas qesëndisjes së papërgjegjshme, me grimasa fyese, Amelika, Amelika.

Ende pa u takuar me Eskobarin, Alnin Kurti  në postin e kryeministrit, urdhëroi të zbatohet vendimi për t’i dhënë 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit, po ashtu pranoi të bisedohet edhe për dinarin serb, madje edhe në Bruksel ku zëvendësi i tij, Besnik Bislimi, kishte injoruar bisedimet e tilla dhe kishte thënë se nuk do të shkonte atje për të dialoguar për dinarin pasi nuk është pjesë e dialogut. Tash për tash vetëm Konjufca nuk e ka ndërruar mendimin e tij, pasi nuk pritet të takohet me Eskobarin, për t’ i treguar atij se  Bashkimi Evropian nuk ka kompetencë t’i propozojë Kosovës draft për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Nuk mendoj që Kosova duhet të qëndrojë gatitu dhe veç ta dërgojë draftin që BE-ja e propozon, ka thënë ai, por ja që qysh nesër, mund të thotë, “dallëndyshe, ktheja ndryshe”, sipas avazit të kryetarit.

Kryeministri, Albin Kurti, dashur pa dashur, me hir apo me pahir, do të zbatojë çdo vendim, me të cilin e ka obliguar veten, dhe me siguri do të ketë shumë kujdes në raport me diplomacinë amerikane dhe atë të Bashkimit Evropian.

Ai tashmë është bindur përfundimisht se  Anglia e Gjermania, nuk janë faktorë vendimtarë, për fatin e Kosovës, por janë mbështetës  qind për qind të Amerikës dhe BE-së. Iluzionet dhe imagjinata e tij se këto dy shtete do ta përkrahin, madje edhe kur deklarohet se nuk pajtohet gjithnjë me Amerikën, morën fund përgjithmonë, pasi këtë që e arriti emisari amerikan, Gabriel Ekcobar, pa një presion  veçantë, nuk do ta kishin arritur kurrë emisarët gjermanë e anglezë.

Me këto dhe lëshimet që do të pasojnë, një nga një, Kurti nuk do të ballafaqohet me mospëlqime nga elektorati i Vetëvendosjes, i cili i ka besuar dhe i beson verbërisht, por do ta bind më asnjë njeri që rezonon me kokën e vet, se krejt kauza e tij  nuk ka qenë  asgjë tjetër,  por vetëm mashtrim për ta marrë qeverisjen,  për ta gëzuar atë, për të përfituar të gjitha favoret që i sjellë pushteti, për vetën e tij, për militantët, për bosët e krimit ekonomik  dhe korrupsionit, për mijëra tenderë njëburimor të cilët ua ka ndarë bashkë-partiakëve, duke i pasuruar me qëllim që ta votojnë sërish, me favorizim financiar nga buxheti i Kosovës, për katër komunat ku Vetëvendosja mezi i ka fituar zgjedhjet e fundit vendore.

Tri vjet me arrogancë,  mujshari politike, keqqeverisje, korrupsion, shpërfillje e aleatëve, thellim të ndasive e përçarjeve, nga Albin Kurti dhe pjesa militante e Vetëvendosjes nuk do të shlyhen kurrë, pasi ata vazhdojnë të reflektojnë në mendjet e njerëzve tanë dhe me siguri edhe në vetëdijesimin e tyre, sepse nuk thuhet kot se jepja pushtetin njeriut për ta provuar se kush është.

Ahmet Qeriqi

  1. 3.2024

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …