Tri vjet më parë, më 11 nëntor të vitit 2016, pas shumë pengesave e vështirësive ka filluar transmetimin e programit, Televizioni “Dielli”, projekt i Simbolit të Rezistencës Kombëtare, Adem Demaçi. Ideja e projektit është përkrahur nga disa ish të burgosur politikë, të cilët kishin grumbulluar të hollat e zhdëmtimit për vitet e burgut dhe me to kishin filluar realizimin e projektit. Pasi ndërkohë, Demaçi ishte sëmurë, punën e kishin vazhduar tre ish të burgosur politikë, përkrahës të projektit, me qëllim që ideja e Demaçit për një televizion ndryshe, me përmbajtje kombëtare, arsimore, edukative e kulturore të marrë rrugë dhe të mos ndalojë. Pavarësisht mungesës së përkrahjes dhe pranimit me rezervë të kësaj platforme të veçantë programore, TV-Dielli po mbijeton falë një pjese të stafit të Radios-Kosova e Lirë, i cili punon gratis, me qëllim që ky televizion ta vazhdojë transmetimin, me një platformë të veçantë, në kushte dhe rrethana, po kështu të veçanta.
Duke folur lidhur me TV-Dielli, kryeredaktori, Ahmet Qeriqi, thotë se Programi i TV-Diellit ka shumë specifika dhe veçanti të cilat nuk janë shumë të pranishme në televizionet e tjera. Tërësia e këtij programi është me përmbajtje kombëtare, dhe para së gjithash ka karakter informativ, arsimor, shoqëror e kulturor. E veçanta e këtij mediumi ka qenë dhe po mbetet përpjekja për të paraqitur para shikuesve shqiptarë një alternativë ndryshe në qasjen e problematikës së përgjithshme shoqërore, mbarëkombëtare, një program kryesisht arsimor, edukativ, kombëtar me qëllim të unifikimit të tërë trashëgimisë sonë historike dhe gjeografike të sinkronisë dhe diakronisë shqiptare.
Ndër të veçantat e programit janë:
Emisioni ditor me filma dokumentar për dëshmorët e kombit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇPMB-së dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
Emisioni dokumentar ditor për jetën dhe veprën e personaliteteve kombëtare, – histori, kulturë, arsim, shkencë, etj.
Kalendari kombëtar, emision ditor me të dhëna shkencore lidhur me ngjarjet kryesore të historisë kombëtare nga antikiteti deri në ditët tona.
Spote ditore-qytetet shqiptare…
T’ i njohim popujt e botës, emision javor, i vetmi i kësaj natyre nga të gjitha mediet, ku shikuesit i ofrohet një program arsimor i përgatitur me të dhëna nga gjeografia, historia, kultura, muzika e popujve të caktuar. Deri tani kemi realizuar rreth 50 emisione, me një orë program komplet.
Filmi artistik shqiptar. Filmat e Kino-studios Shqipëria e Re”, të cilët i kemi blerë nga arkivi dhe i transmetojmë me leje valide.
Dy programe informative me lajmet kryesore të ditës. Në gjendjen të cilën ndodhet TV-Dielli, aktualisht nuk i ka mundësitë financiare për ta kompletuar stafin e informimit.
Programi ditor i muzikës folklorike dhe popullore.
Intervista javore me drejtues institucionesh…
Bisedë në studio. Emision javor me personalitete, të burgosur politikë, veteranë e invalidë të luftës, familjarë dëshmorësh, veteranë të arsimit, kulturës etj.
Programe të veçanta muzikore, me këngëtarë të njohur, nergut për TV-Diellin.
Muzikë e zgjedhur e trevave shqiptare, veçmas të muzikës arvanitase dhe arbëreshe.
Tri vite të transmetimit të programit të TV-diellit, pranimi mjaft i mirë i shikuesve, të të gjitha moshave, bën që t’i vazhdojmë përpjekjet tona tani për tani modeste, që me kohë t’i pasurojmë përmbajtjet, t i thellojmë ato dhe të japim një kontribut sa më të madh në bashkimin e kombit e të atdheut. Stafi i TV-Diellit do të bëjë përpjekje të realizojë synimet e veta në drejtim të integrimit kombëtar.