Trupi gjykues i Gjykatës Speciale në Hagë i ka shpallur fajtorë dhe i ka dënuar me nga katër vjet e gjysmë burg dhe Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn, dy krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Atyre do t’ju llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Në aktakuzën kundër tyre thuhet se midis më së paku 7 dhe 25 shtatorit 2020, në tri konferenca për shtyp dhe transmetime të tjera televizive, si dhe përmes shpërndarjes së mëtejshme, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj zbuluan, pa autorizim, informacion të mbrojtur nga Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, përfshirë të dhëna personale të disa dëshmitarëve të mundshëm. Gjithashtu, të akuzuarit bënë komente nënçmuese dhe akuzime kundër dëshmitarëve dhe në mënyrë të përsëritur shprehën synimin e tyre për të dëmtuar Dhomat e Specializuara. Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan nga Policia e EULEX-it më 25 shtator 2020 në Prishtinë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Gjykatës Speciale, në Hagë.
Kontrolloni gjithashtu
Kuvendi i Kosovës diskuton në Seancë Plenare për Buxhetin e Vitit 2025
Sot deputetët e Kuvendit të Kosovës mblidhen në seancë plenare për shqyrtimin e dytë të …