Turne memorial në nderim të dëshmorëve nga Mitrovica të rënë në Betejën e Koshares

Në nderim dhe përkujtim të gjashtë dëshmorëve nga komuna e Mitrovicës, të rënë në Betejën e Koshares gjatë luftës së UÇK-së, organizuar nga Qendra Sportive “Lushta”, në Shipol të Mitrovicës është mbajtur Turneu Memorial në Futboll të Vogël,  ku morën pjesë  pesë ekipe: Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, QTA, Shipoli, Lushta dhe ekipi Ujqit.

Për të nderuar dëshmorët Harun Beka, Sylejman Shala, Besim Nuka, Ali Fejzullahu, Tafil Osmani dhe Hamdi Sheremit, që kishin rënë heroikisht në betejën e lavdishme të UÇK-së, përveç sportistëve kishin ardhur edhe nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Safet Kamberi, familjarë të dëshmorëve të rënë, komandantë dhe bashkëluftëtarë të dëshmorëve të rënë në Koshare, komandant dhe luftëtarë të UÇK-së nga vise të ndryshme të vendit dhe shumë qytetarë të tjerë.

Në një fjalë të shkurtër rasti, para fillimit të turneut, Hysni Syla tha se në Kosharen  legjendare, në betejën më të përgjakshme dhe më të suksesshme të UÇK-së për çlirimin e vendit nga okupatori serb, morën pjesë edhe një numër i madh i luftëtarëve nga komuna e Mitrovicës, të cilët dhanë kontribut të jashtëzakonshëm për mposhtjen e armikut me armatim të sofistikuar.

Nënkryetari i komunës, Safet Kamberi tha së kujtimi me aktivitete të këtilla sportive i bashkëqytetarëve tanë që ranë dëshmorë në Betejën e Koshares, është tepër i rëndësishëm dhe domethënës.

“Unë dua t’i falënderoj shumë organizatorët, përkatësisht nismëtarët e turneut tashmë tradicional, për kujdesin që po tregojnë për bashkëluftëtarët e tyre të rënë dëshmorë. Me këtë ata po e nderojnë vetveten dhe po e shtojnë krenarinë për këta luftëtarë trima e të guximshëm të luftës për liri dhe për veten e tyre. Ne si institucione komunale gjithmonë do të jemi pranë luftëtarëve të lirisë dhe do të bëjmë çmos që amanetin e dëshmorëve ta qojmë në vend”, tha ai.

Ndërkaq, duke folur në emër të luftëtarëve të Betejës së Koshares, njëri nga komandantët, Pren Marashi, tha se Mitrovica duhet të krenohet me dëshmorët që ranë në këtë betejë.

“Me krenari të lartë mund të ju them se në Betejën e Koshares morën pjesë shumë luftëtarë nga komuna e Mitrovicës. Ata ishin më të guximshmit dhe më trima dhe për këtë ndodheshin në krye të të gjitha aksioneve që UÇK-ja i mori në këtë betejë. Këtë e dëshmon edhe rënia dëshmorë në luftë të drejtpërdrejtë me armikun e  gjashtë  mitrovicasve, të cilët sot po i kujtojmë me aktivitete sportive”, tha ndër të tjera Marashi.

Në emër të familjarëve të dëshmorëve foli babai i dëshmorit Sylejman Shala. Ai tha se dhembjen për më të dashurit e tyre po ua zbusin shokët e luftës, të cilët asnjëherë nuk po i harrojnë dëshmorët tanë.

“Po ndjehemi krenarë, jo vetëm për bijtë tanë që ranë, por edhe për komandantët dhe shokët e tyre të luftës, që po na gjenden gjithmonë pranë dhe nuk po na lejojnë që mërzia të na shtohet”, tha ai.

Fitues i turneut u shpall ekipi i luftës që në finale mposhti ekipin e Ujqve.

Kontrolloni gjithashtu

Arnitë Kastrati, fituese e “Çmimit të Orkestrës” në edicionin e dytë të Festivalit të Këngës të RTK-së

Kryetari i Komunës së Malishevës Ekrem Kastrati bashkë me Drejtoreshën komunale të Arsimit, znj. Arbëreshë …