Turneun memorial në futboll ‘’Ilaz Kodra”e fiton KF Trepça

Organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport është mbajtur në Skenderaj turneu tradicional memorial në futboll për junior “Ilaz Kodra”. Organizatorët e turneut këtë vit bashkë me pjesëmarrësit dhe familjarët kanë bërë homazhe pranë shtatores së Komandantit Legjendar Adem Jashari në Skenderaj, më pas për të nderuar veprën e heroit dhe komandantit Ilaz Kodra kanë vendosur lule pranë varrit të tij në Polac si dhe kanë vizituar kullën muze të Ilaz Kodrës në Prekaz. Në hapje të këtij turneu drejtori i DKRS-së në Skenderaj Hajriz Koci ju ka dëshiruar mirëseardhje ekipeve pjesëmarrëse, ndërsa më pas ka folur për rëndësinë që ka përkujtimi i dëshmorëve dhe heronjve me aktivitetet sportive. Ai ka lavdëruar veprimtarinë patriotike të heroit Ilaz Kodra, me theks të veçantë kontributin e tij si njëri ndër themeluesit e UÇK-së dhe si bashkëpunëtor i Komandantit Legjendar Adem Jashari. Këtë vit turneu Ilaz Kodra është organizuar si garë në mes të juniorëve të klubeve pjesëmarrëse, ndërsa trofeun e më të mirit e fituan juniorët e KF Trepça nga Mitrovica. Fituesve organizatorët dhe familjarët e Familjes Kodra ju ndan kupa dhe medalje. Turneu tradicional memorial “Ilaz Kodra” u organizua me rastin e shënimit të 18-vjetorit të rënies së komandantit Ilaz Kodra. Në edicionin e këtij viti në turne kanë marrë pjesë: KF Ramiz Sadiku nga Prishtina, KF Drenica (juniorët), KF Trepça nga Mitrovica dhe KF Drenica (kadetët).

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …