Turqia i ka dhuruar Shqipërisë mbi 1 milion dokumente të periudhës osmane në formë digjitale

Turqia i ka dhuruar Shqipërisë mbi 1 milion dokumente të periudhës osmane në formë digjitale

Turqia i ka dhuruar Shqipërisë mbi 1 milion dokumente të periudhës osmane në formë digjitale, dokumente me të dhëna mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, raporton Anadolu Agency. Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë (DPA), Ardit Bido, në një deklaratë për mediat, tha se DPA është pasuruar me mbi 1 milion dokumente të përftuara në formën e një dhurimi të radhës prej Arkivit të Periudhës Osmane me qendër në Istanbul. “Ky dhurim vjen në vazhdën e përpjekjeve disavjeçare të arkivit shqiptar dhe të marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy institucioneve tona, për shkëmbimin e dokumenteve arkivore. Më herët, në vitet 2015 dhe 2020, Arkivi i Stambollit (Istanbul) ka dhuruar përkatësisht 5 mijë dhe 350 mijë fletë dokumente. Mes tyre gjendeshin urdhëresa, fermanë, të dhëna biografike të Ismail Qemalit, si edhe dokumentacion mbi Ali Pashën”, tha Bido.

Bido theksoi se tashmë i gjithë dokumentacioni i arkivit të periudhës osmane mbi Shqipërinë dhe shqiptarët është rikthyer.

Ndërkohë, dokumentet mbulojnë veprimtarinë politike dhe shoqërore të shqiptarëve përgjatë Shtetit Osman. Mes tyre gjenden vendime dhe dekorime të personaliteteve të ndryshme, evidenca mbi mësimin e shqipes në Vlorë dhe në Shkup, informacione mbi dinastitë e qyteteve shqiptare, si dhe dokumente mbi zhvillimet në jetën fetare në rajon.

Sipas DPA-së, kjo bazë e gjerë kërkimore do të shërbejë si një shtysë për kryerjen e hulumtimeve të mëtejshme, që hedhin dritë mbi veprimtarinë tërësore të Shqipërisë dhe të shqiptarëve gjatë periudhës osmane deri në shpalljen e Pavarësisë.

Kontrolloni gjithashtu

Pabarazia, injorimi i shqipes, mos përdorimi i simboleve kombëtare, kanë nxitur luftë të armatosur në Maqedoni, në vitin 2001

Pabarazia, injorimi i gjuhës shqipe, mos  përdorimi i simboleve kombëtare, mungesa e përfaqësimi  në Parlament dhe në …