leoni

Sadik Halitjaha

TV Dielli: Intervistë me Eprorin e lartë të UÇK-së, Sadik Halitjaha

Eprori i lartë i UÇK-së, gjatë luftës, Sadik Halitjaha, ka zgjedhur Televizionin Dielli, për ta publikuar lajmin se ka marrë ftesë nga Gjykata e Hagës, meqë TV-Dielli dhe Radio-Kosova e Lirë i vlerësojnë drejtë këto ngjarje. “Në asnjë mënyrë nuk kisha shkuar të Buzhala apo të Batoni e tu bej qejfin, sepse ne prapë do të jemi të gjallë,  por edhe pasi të vdesin këto vlera mbesin… 

TV Dielli: Kemi mësuar se keni marrë një ftesë nga Gjykata Speciale kur  e keni marrë atë dhe  kur duhet të paraqiteni në Hagë?

Sadik Halitjaha: Sikur shumë luftëtarë të tjerë të UÇK-së, ne kemi fatin e përbashkët, sidomos eprorët që nga kreu i SHP të UÇK-së   e deri në nivel të zonave kanë arritur t’ i thërrasin. Unë kam marrë ftesën me 17 dhjetor të vitit 2019 dhe duhet të paraqitem me 28 janar të këtij viti, por   ftesën nuk e kam bërë publike për dy arsye. E para sepse deri tani nuk desha t’ i kënaqja dashakëqijtë,   atyre që shprehen kundër luftës së UÇK-së, të cilët gëzohen aq shumë kur e marrin një lajm të tillë. Pastaj e ekzagjerojnë me ato termet e tyre të ndragëta, se Haga po e dridh Kosovën, se po vjen epoka e Speciales. Unë nuk e kuptoj se çfarë tërmeti i imagjinuar është ky në mendjet e tyre.  Nëse ne nuk na ka përkulë Serbia me tanke me gjithë ato forca dhe ne i kemi dalë luftës përballë, si mund të dridhemi në mbrojtje të së drejtës dhe së vërtetës. Kjo është një e keqe e domosdoshme, për shkaqe që dihen.

Ne kemi qenë të dënuar edhe nga regjimi Jugosllav para luftës, jemi përballur me gjykime deri te lufta, edhe në luftë ata kanë ndarë dënime në mungesë,  jam në listën e Interpolit, nga ana e serbo sllavëve, pastaj është marrë UNMIK-u, EULEX-i, por e keqja më e madhe dhe dhimbja më e madhe është se janë marrë edhe shqiptarët e ligë, pse kanë krijuar grupe për të mbledh të dhëna  të pavërteta dhe i kanë dorëzuar në UNMIK, e që më pastaj ata me ato të dhëna kanë dhënë elementin kryesor për të bërë dosje më pastaj.

Arsye tjetër është se organet tona qeveritë tona nuk patën aftësi për ta bërë shtetin ligjor, dhe për të funksionuar ligjet tona. Aq më keq, kjo është gjykatë që i ndjek dhe burgos vetëm ushtarët e UÇK-së, luftëtarët e lirisë, atdhetarët më të përkushtuar e më besnikë të vendit. Ata duan ti hynë në hatër Serbisë për shkak të granatimeve të bëra në luftë. Me idenë se këtu kishte konflikt që kishte dëme të dyanshme, viktima është zëvendësuar me agresorin. Pastaj kemi pasur pasojat me tërheqje të njohjeve, mandej mos regjistrimi në Interpol, UNESKO, e mekanizma tjerë ndërkombëtarë, andaj kjo gjykatë është e keqe që ne duhet përballur me të. Dëshmitarët priten me pompozitet, i ngritin më lartë se ne të akuzuarit, ata kanë deponuar të dhëna në UNMIK e EULEX, për dëmin tonë e jo për ta mbrojtur luftën. Por edhe pjesa tjetër që janë të mbrojtur kanë realizuar qëllimin e vet kanë marrë azil, kanë marrë para të majme për të shpifur. Nuk e kam hallin që do të pësojnë 20 apo 30 veta, edhe po të na varin Kosovës Lirinë nuk ia marrin. Kosova nëse e humb lirinë e humb nga keq qeverisja nga gabimet e veta që nuk është në gjendje ta ruaj integritetin territorial dhe shtetëror të Kosovës, andaj ajo nuk humbet pse humbin 100 njerëz. Ne kemi realizuar qëllimin tonë edhe po ta bëjmë luftën 100 herë serish njejtë do të veprojmë.

TV Dielli: Të ftuarit nga Prokuroria e Gjykatës Speciale në Hagë, të gjithë po priten me publicitet të madh, pa bërë dallime se kush është i akuzuar dhe kush është i ftuar si dëshmitar, çka mund të na thoni për këtë?

Sadik Halitjaha: Gjykata nuk specifikon ata me akuzë apo të dyshuar me ata që janë dëshmitarë, ose edhe vetë publikimi i dëshmitarëve se po më merr Haga, për me i dhënë alibi vetës se është dikush dhe për të fshehur realitetin nëse ai veç ka deponuar diçka negative e bënë publike, këtë e vërtetova me mos publikimin tim thash çka po dinë ata njerëz, kush është mbrapa që i dika thirrjet, e vërtetova se askush nuk e diti. Unë e zgjodha   këtë medium për ta publikuar lajmin se kam marrë ftesë nga Gjykata e Hagës, meqë TV-Dielli dhe Radio-Kosova e Lirë i vlerësojnë drejtë këto ngjarje, përndryshe nuk kisha shkuar te Berati e as te Batoni e tu bëj qefin, sepse ne do të jemi të gjallë apo të vdekur me këto vlera që kemi.

TV Dielli: Kur iu keni bashkuar  radhëve të UÇK-së dhe cili ka qenë funksioni juaj më i lartë ushtarak? Cilat përgjegjësi të tjera i keni ushtruar gjatë luftës?

Sadik Halitjaha: Në lëvizjet e fshehura atdhetare kam qenë i organizuar nga viti 1977 me Halil Krasniqin, Ibrahim Shalën etj, por konkretisht veprimi im në drejtim të luftës është dalja ime sekretar i përgjithshëm i OMLK-së, në Shqipëri pas tri burgosjeve radhazi, e të katërtën tentativë për të më arrestuar kam dalë në Shqipëri dhe kam punuar me bacin Ramiz, i cili atë kohë ka qenë kryetar shteti, me një komitet enkas i bërë për Kosovën dhe aty kemi bërë planet e luftës me harta e kode të luftës, dhe aty është menduar se çdo Brigade shqiptare ka me ju bashkangjitur nga një Batalion i Kosovës që lufta do të bëhej bashkë , kur do të bëj Jugosllavia luftë të brendshme.  Andaj në luftë kam hy në ditëlindjen time me 7 qershor të vitit 1998, posa kem kaluar kufirin që na ka ndarë padrejtësisht dhe një orë pas hyrjes në kufi jemi përballë me forcat armike, ku në atë luftim ka ndërruar jetë Haxhi Hoti komandant Lleshi, dhe na është plagosur një ushtarë dhe e kemi shpërthyer kufirin me luftë. Edhe nga ana e armikut ka pasur të vrarë, ata e kanë dhënë shifrën për tre të vrarë, dhe jemi futur me dhunë në Kosovë 68 ushtarë. Në Shqipëri më ishte dhënë një zarf nga Komandanti i Përgjithshëm Azem Syla në Vranisht të Krumës. Atë zarf ia dorëzova Komandant Pesqidëshit – Mensur Zymberaj, aty kishte qenë e shkruar se Sadik Halitjaha duhet të jetë përgjegjës i Zonës Operative të Pashtrikut. Unë këtë detaj nuk e kam ditur kurrë edhe ma thotë Mensur Zyberaj : mirë qe erdhe zëvendës por Ju keni qenë komandant i caktuar nga Azem Syla” ju përgjigja se ja edhe kështu ia arrita me luftën time. Pra nga ushtar krijova Batalionin e Parë   në Budakovë si njësi e parë ushtarake në Therandë. Në Budakovë pesë beteja i kemi realizuar me sukses, i kemi thyer pesë herë serbet, ku ata kishin 13 tanke, dy tre Praga 200 apo 300 ushtarë. Ne atë kohë kishim 583 ushtarë dhe i ka pasur të gjitha armët e mundshme për këmbësori, as sot këmbësoria e FSK –së, nuk i ka më të mira. Përballjet i kemi pasur të suksesshme kur në përballjen e parë kishim vetëm 23 ushtarë, na ka rënë një dëshmorë, por nga ana serbe ka pas më shumë të vrarë dhe i kemi zmbrapsur ata. Mandej jam ngritur në nivelin e zëvendës komandantit për moral dhe politikë. Mandej kur janë bërë zonat nga 17 marsi kam qenë zëvendës komandant ku komandant ka qenë Tahir Sinani. Pastaj në TMK kam qenë shef për marrëdhënie Civile, pastaj kryetar i Veteranëve të UCK -së.

TV Dielli: A mendoni se për luftën duhet të flitet vazhdimisht në kontekstin historik dhe të rrethanave kur është zhvilluar ajo.

Sadik Halitjaha: Unë i peshoj këto ngase edhe jam protagonist i organizatave të fshehura atdhetare. Pra gjithmonë duhet të kemi parasysh faktorin kohë. Në këtë drejtim është bërë pak. Dikush ka vjedhur lavdinë e luftës, dikush ia ka veshur   vetës të pavërtetat dhe ka përfituar nga ajo është ngritur në hierarkinë e pushtetit, dikush ka përfituar materialisht nga lufta. Ne kemi pasur fondin Vendlindja Thërret, fondin e 3 përqindëshit. ZOP, ka pasur shtatë Brigada, asnjë cent nuk e ka marrë nga asnjë fond, përkundrazi në ditët kur delegacioni ynë nisej për Rambuje, unë i kam dorëzuar 54 mijë marka që janë dërguar në Mushtisht në fshatin tim. Unë kam mundur ti mbajë për zona sepse kemi pasur shumë nevojë por ata ankoheshin, edhe pse i kishin pasur milionat.

TV Dielli: Dihet botërisht se gjatë kohës së luftës ka pasur vëzhgues ndërkombëtar të OSBE-së. Si mendoni, cilat kanë qenë vlerësimet e tyre për UÇK-në?

Sadik Halitjaha: Ne nuk e dinim vlerësimin, por na kanë vëzhguar vazhdimisht edhe nga satelitet e tyre. Lufta jonë ka qenë e kontrolluar nga ata. P.sh në një rast ata na treguan me detaje për betejat tona, mandej më thonë se na ke nënçmuar me në një rast kur ke thënë se edhe këta janë sikur serbet sepse s po bëjnë asgjë për Kosovën. Ata kanë të dhëna, andaj është e çuditshme kur krijohet gjykatë mbi gjykatë. Ata gabimet i kërkojnë në prapavija dhe pas lufte e jo ato nga vijat e zjarrit. Përballja ime me ta ka me qenë shumë në nivel dhe nuk ka me pasur pasoja sepse unë jam njeri i frontit.

TV Dielli: Ju personalisht jeni angazhuar në UÇK, nga një pozicion drejtues i veprimtarit politik të LPRK-së?

Sadik Halitjaha: Po, i përmenda organizimet e fshehura që të gjitha kanë pasur synim çlirimin e Kosovës. Dhe unë si udhëheqës nga viti 1985 me rënien e Xhabir Morinës, e Bashkim Mazrekut, ne ri fillojmë organizimin e OMLK-së, e me 10 apo 11 qershor 1986 ne e realizojmë krijimin e komitetit organizativ, e në vitin 1998 detyrimisht nga ndjekja detyrohem të dalim në Shqipëri, dhe atë e bëra veprim të veçantë sepse të tjerët që dilnin në perëndim nuk na ktheheshin. Pas disa muaj qëndrimi atje dhe realizimin e një sërë punësh në drejtim të luftës ata më kursyen nuk më lanë me u kthyer, ma bënë një pasaportë për perëndim. Atje kam qenë në këshillin drejtues të LPK-së, kështu që kam qenë bashkë me protagonistët që kanë themeluar UCK-në, si me Xhavit Halitin, Azem Sylën, Ali Ahmetin, Fehmi Lladrovcin, përmes rrugëve zyrtare kam ardhur në luftë.

TV Dielli: Ushtritë kryengritëse, popullore, çlirimtare a kanë me shumë rëndësi për të përfituar përkrahjen e popullatës? Si ishte çështja me UÇK-në, në këtë drejtim?

Sadik Halitjaha: Ne kemi pasur të vështirë sepse nuk kemi pasur në çka të thirremi përpos programit të Lidhjes së Prizrenit, ne nuk kishim ligjet tona që të thirreshim në to. Territorialisht na kishte gllabëruar Jugosllavia, cenim të territorit nuk mund të paraqiteshe para botës, ishim nën kushtetutën Jugosllave. Thirrja jonë dhe bërja e luftës ka vetëm një klauzolë të Konventës së Gjenevës ku thotë: “Popujt e robëruar kur u kanoset rreziku i shfarosjes ose dëbimit kanë të drejtë të rezistojnë e të bëjnë Luftë”. Ne në këtë të drejtë jemi thirrur dhe kemi bërë luftën e UCK-së, por edhe kemi respektuar Konventat e Gjenevës për të drejtat në luftë. Po të kishte parti politike të luftës, lufta do të ishte më e organizuar, më efikase dhe këto pasoja të pas luftës nuk do ti kishim. LPRK ka qenë organizatë shumë e vogël në ombrellën e saj, nuk ka pas fuqi ta mbikëqyrë dhe të organizoj, por ka pasur fuqi ta lind këtë. Lindja e UCK-së është nga LPK. Ka pasur parti kundër luftës, parti pacifiste që kanë qenë në dëm të luftës.

TV Dielli: Ushtritë çlirimtare a kanë objektiv kryesor fitimin e simpatisë dhe përkrahjes së faktorit ndërkombëtare, si ndodhi me UÇK-në?

Sadik Halitjaha: Lufta, lidhja me popullin ka qenë e jashtëzakonshme. Personalisht kam shkuar në çdo lagje jam takua me popullin dhe ju kam folur për rëndësinë dhe dëmet që ka lufta. Me ne apo pa ne Liria do të vijë. Duke punuar me popullin nuk kam pasur asnjë pengesë përkundrazi na ka dalë në ndihmë në të gjitha format. Të gjitha i kemi pasur të përbashkëta me popullin në të mirë e ne të keq. Kemi pasur 17 mijë të zhvendosur në Llanisht, rreth 40 mijë në Pagarushë, 70 mijë në Krojmir, Berishë e Divjakë, 12 mijë në Panorcë, 8 mijë në malet e Domanekut, 7 mijë në Kabash, për të gjithë është kujdesur UCK-ja. Karakteri i luftës sonë ka qenë popullor, jo luftë e kazermuar ashtu siç bëhen luftërat tjera. Këtu nuk mund të barazohemi me fajet që ka bërë shteti serb sepse UCK-ja, asnjë metër nuk ka dalë nga Merdarja, asnjë aksion nuk është zhvilluar jashtë kufijve administrativ. Ata erdhën nga Kraleva nga Valeva nga Beogradi të na vrasin, këtu është dallimi esencial i luftës sonë. Ne ishim të kolonializuar dhe u ngritëm ti mbrojmë trojet tona.

TV Dielli: A  mund të na thoni pse Kosova dhe UÇK-ja  fituan përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve demokratike dhe NATO-s?

Sadik Halitjaha: Ka qenë një sfidë e veçantë për UCK-në, sepse shteti Jugosllav ka bërë propagandë se shqiptarët janë terrorist, vrasës, kriminel etj. Deri sa u kuptua drejt lufta jonë për liri, se UCK-ja, është çlirimtare dhe respekton rregullat, kjo ndodhi ku Hollbruk u dërgua në Junik e u takua me ushtarët tanë, dhe e shef se UCK-ja, ka embleme, uniformë, armë, ka komandë, ka hierarki. Në këtë kuptim cilësohet edhe ushtri çlirimtare dhe hiqet epiteti grupe terroriste, siç na quanin edhe pacifistet nga frika se do të na përpijë Serbia për 24 orë, por doli e kundërta, dhe kur e kuptoi Holbruku që ne respektojmë normat ndërkombëtare jemi të organizuar, ai dha alarmin se këtu behet një luftë mes çlirimtarëve dhe okupatorëve. Nga ai moment UCK mori përkrahjen e SHBA-së, dhe disa shteteve perëndimore, dhe me intervenimin e NATO-s, u dëshmua ajo. Pra nuk u arrit lehtë fitorja. Ne kishim edhe përfaqësuesit tanë diplomatik si në Gjenevë z. Bardhyl Mahmuti, Jashar Salihu në nivel të Europës, Ramadan Avdiu, Sabri Kiçmari, ishin ata të na përfaqësonin ne atje ku nuk mund të mbërrinte pushka e jonë.

Këtu shteti shqiptar ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm. Në marrëveshje me Amerikën dhe Anglinë shteti shqiptar luajti rol të mrekullueshëm, ata e sollën Hollbrukun të takohej me Ne në Junik. Shteti shqiptar na mbështeti në të gjitha format, me diplomaci, me logjistikë me furnizim, janë të pazëvendësueshme. Pa shtetin shqiptarë nuk do të arrihej Liria. Hera e parë që NATO intervenoi, ajo realizoi programin e saj.  Liri pa gjak nuk ka. Serbia është humbësja, andaj ne nuk kemi nevojë të kemi frikë nga ta. Janë përpjekur ta quajnë konflikt, me tendencë që të dyja kanë pasur faje dhe duhet pajtuar. Mënyra e pajtimit ka shkuar mbrapsht, Serbia është dashur të kërkoj falje, faktori ndërkombëtar të përcaktoj fajtorin, të bëhet kompensimi i dëmeve, pastaj të vijë pajtimi. Andaj jo të gjithë ndërkombëtarët i kemi miq.

TV Dielli: Sa ka qenë dhe a ka qenë fare e drejtë të themelohet Gjykata Speciale pas  gjykatës së EULEX-it dhe gjykatave vendore që kanë shpallur fajtorë dhe kanë dënuar një numër të madh të luftëtarëve të lirisë, madje edhe komandantë të zonave e të Shtabit të Përgjithshëm?

Sadik Halitjaha: Ky është absurditet i veçantë, nuk ka qenë kjo arsye për tu themeluar. Element kanë gjetur pse nuk ka qenë funksion shteti ligjor. Parlamentarët e detyruan ta pranojnë një gjë të tillë por nuk e bënë si duhet, që gjykata të jetë në Kosovë, pastaj të dënoj të gjitha llojet e krimeve, por jo, na doli një gjykatë për ti gjykuar vetë ushtarët e UCK-së. Aq më keq, kjo është gjykatë që i ndjek dhe burgos vetëm ushtarët e UÇK-së, luftëtarët e lirisë, atdhetarët më të përkushtuar e më besnikë të vendit”. Një bashkëpunëtor inskenon gjëra të pavërteta. Qeveria jonë gaboi ngase duhej shtuar neni se kjo gjykatë dënon të gjithë ata që kanë bërë krime. Këtë gjë mund ta bëjnë edhe tani por nuk e bëjnë ashtu siç nuk po e bëjnë dot as qeverinë. Ata po shikojnë interesat e veta, karriget e veta pasojat i bartin të tjerët, mandej e bënë një zyrë për ndihmë, për të siguruar avokatë, për ti paguar shpenzimet e udhëtimit, atyre që do të akuzohen, por kjo nuk është normale nuk është e ndershme. Unë nuk pranoj ndihma të tilla, nuk pranoj të kem avokat që bashkëpunojnë me ta, u thonë atyre mbylle gojën se ne ju përfaqësojmë. Kujt po i shërbejnë këta avokat, kujt i shërben Kosova, kah po shkojmë? Ne shumica jemi të dënuar qe nga para e pas lufta, ne nuk dimë se kur përfundon kjo gjykatë, sa zgjatë kjo gjykatë, kur do lirohemi nga gjykime të tilla, kur do na heqin peshën e dyshimeve, cili është rezultati i gjykatës? Pavarësisht të gjithave ne nuk heqim dorë nga atdheu ynë nga Liria. Qofshim të gjallë apo të vdekur rinia jonë do ti qoj në vend amanetet tona. Po të ishe një kundërshtim masovik, do të isha unë ai që do ti udhëheq, por shpresoj se ne kemi miq, kishim një aleancë me miq. Në një rast unë kam thirr protestë kur Amerika i jep afat 72 orë afat Irakut në atë mes kohë është bërë protesta me 20-30 mijë njerëz në Prishtinë në përkrahje të Amerikës dhe kam thënë se nuk kemi raketa Tomahok, por kemi djema për luftë kemi sepse kemi qenë bashkë në luftën çlirimtare, dhe do të jemi prapë bashkë me juve. Edhe sot do të jemi bashkë me Amerikën. Nuk e dij si lejojnë aleatët tanë të plotësohen disa apetite të serbëve, rusëve e sllavëve e të kalojnë në kurriz tonin, plus në dëm të aleatëve s, sepse nëse gjykohet lufta jonë atëherë gjykohen edhe aleatët që na kanë përkrahur.

TV Dielli: A është drejtë shkuarja vullnetare para kësaj gjykate?

Sadik Halitjaha: Ne na obligon ligji, sepse këtë ligj e ka aprovuar parlamenti i Kosovës, çfarëdo qofshin ata parlamentarë që nesër historia do të shkruan për ta, ne detyrohemi ti përgjigjemi, pra një e keqe e detyrueshme.

Tv Dielli: I nderuar z, Halitjaha, Ju krahas ftesës nga gjykata speciale jeni edhe ne një proces gjyqësor për verifikimin e veteranëve, cila është lidhshmëria e këtyre dy proceseve gjyqësore ndaj Jush?

Sadik Halitjaha: Unë nuk kam menduar asnjëherë se gjykatën që e krijojmë ne në Kosovë duhet të përgjigjem para saj. Kurrë nuk e kam menduar. Absurdi më i madh dhe mospranimi më i madh shpirtëror dhe psikik i imi është, se pse duhet të përgjigjem unë para një gjykate që  unë kam derdhur gjak, shtatë plagë i kam, kam bërë luftën që Kosova të ketë një gjykatë të vetën e të jemi të pavarur, të përgjigjem për një absurditet që ka bazën e të politika , se janë bërë shumë apo pak, janë harxhuar kaq mjete, ne aty nuk kemi marrë vendime për buxhet, ne komisioni kemi qenë argat të qeverisë, sepse ajo ka mundur ta ndalojë kur të dojë, ta tjetërsojë kur të dojë, edhe ta ri kthen kur të dojë dhe ta përjashtojë kë të dojë. Ne i kemi dorëzuar raportet vazhdimisht në qeveri, raportet tona janë votuar në mënyrë aklamative, pa asnjë kundërshtim, më e keqja që ka ndodhur është kur dalin listat e para dhe fillon e hyn pagesa 170 euro. Po të mos hynte pagesa që ajo nuk ishte kërkesë e jona, e njerëzit nuk do të vraponin. Në verifikim janë përdorur dy e më shumë ligje. Njëri ligj është aprovuar pasi ka filluar puna e një ligj kah gjysma e punës, dhe nuk e hedh ligjin e parë, dhe tani punohet më të dyja njëkohësisht. Njëri ligj thotë L-04 Veterani i luftës është çdo qytetar i armatosur i mobilizuar me uniformë dhe i evidentuar, në nivel të Zonave apo të SHP në luftën e UCK-së, nga fillimi deri në fund. Në vend që ti thotë dezertor i thotë pjesëmarrës, në vend që ti thotë kontribut dhënës i thotë pjesëtarë, pra nuk janë bërë flet aplikacione të përshtatshme. Në flet aplikacion do të duhej të ishte termi rob lufte e jo i internuar, do të duhej të kishte flet aplikacion të veçantë për kontribut dhënie, por kjo i ka djegur edhe Isa Mustafës edhe Hashim Thaqit sepse Fondi Vendlindja Thërret dhe Fondi i 3 përqindëshit, në kontribut dhënie ishin palos milionat dhe tash ku me bë vendin, dhe janë lënë tre fletë aplikacione, e në ato të tre flet aplikacione kanë hyrë edhe pjesëmarrësit edhe kontribut dhënësit edhe të internuarit padrejtësisht. Pastaj ka qenë edhe një ligj tjetër që është aprovuar me 2004 kur ka qenë kryeministër Agim Qeku, që ka kaluar me 72 vota, ligj të cilin e kemi përgatitur ne veteranët, Peterseni nuk e ka nënshkruar edhe pse ka kaluar me vota të mjaftueshme në parlament. Në atë ligj ka qenë decidiv emërtimi Luftëtar i Lirisë, jo veteran, pastaj Luftëtarë i plagosur, jo invalid, dhe dezertor e jo pjesëmarrës, pastaj kontribut dhënës e jo pjesëtarë, e tani para se mu aprovuar edhe njëherë ligji i cili kishte kaluar nuk u mor për bazë nuk u nënshkrua nga Petërseni, as Agim Qeku nuk ka pasur q farë të bëjë. E në vitin 2012 e aprovuan një ligj shpejt e shpejt dhe e heqin nocionin Luftë. Vetë fakti kur të emërtosh diçka të gabuar gjithsesi se gabim do të shkoj, tani ligjet janë përzier, ata që aplikonin nuk e kuptonin pjesë marrësin me pjesëtarë dhe pyesnin cila më bien ma mirë mua. Në hartimin e ligjit kanë marrë pjesë tërë zinxhiri komandues nga Komandanti i Brigadës deri te ai skuadrës. Kjo është bërë më tendencë dhe ndikim politik, së pari ata e ngritën opinionin ata argatët që paguhen dhe u bënë 70 mijë veteran, por 70 mijë janë aplikues prej tyre 46 mijë veteranë. Asnjëherë nuk kemi arritur ti numërojmë të gjithë sepse nuk kemi pasur ushtri të rregullt. Deri tani në zonën time 380 i kanë marrë në pyetje e nga ta asnjë nuk është proceduar për gjykatë pra nuk doli asnjë veteran i rrejshëm. A ka më turp se ti thuhet njeriut që ka marrë pjesë në luftë ka dhënë kontribut për luftën kush më shumë e kush më pak, ti thuash veteran mashtrues. Këtu ka rënë dinjiteti në zero, kanë ndikuar mediet me këta analistë që për mua janë banalista se nuk e dijë argatin e kujt e bëjnë dhe marrin nëpërkëmbë të drejtën dhe vlerat e UCK-së. si gjykata në Kosovë në këtë rast me komisionin për veteranët sikur ajo e Hagës prapavijë e kanë politike dhe qëllimet janë politike, kështu e cilësoj unë.

 Tv Dielli: Z.Sadik, Ju faleminderit për bisedën dhe të gjitha këto të dhëna që i keni shpalosur gjete këtij emisioni, me shpresë se do të takohemi edhe radhëve të tjera

Sadik Halitjaha: Unë ju uroj për punën, ti ruani këto vlera siç po i ruani gjatë e pas lufte. Ju lumtë, ju uroj shëndet e suksese.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …