U bë zbulimi i pllakës në Xhaminë e Remnikut që u përdorë nga shoqata Nëna Terezë

Të hënën në fshatin Remnik të Vitisë, konkretisht në Xhaminë e fshatit, u bë shpalosja e pllakës në shenjë përkujtimi për aktivitetin e zhvilluar në vitet e 90-ta, ku një pjesë e këtij objekti fetar ishte lëshuar nga banorët si ambulantë në kuadër të Shoqatës Bamirëse Humanitare “Nëna Terezë”. Në ceremoninë e shpalosjes së kësaj pllake, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, theksoi se roli i Shoqatës “Nëna Terezë”, ka qenë i madh. “Ambulanta në Remnik, ishte simbol i rezistencës dhe sakrificës, meqë shërbeu për nevoja shëndetësore të banorëve të kësaj ane. Gjithashtu, edhe aktivitetet humanitare që janë zhvilluar atë kohë, kanë qenë shtytje e mbështetje për familjet në nevojë të këtij lokaliteti. Sot kur po përurojmë këtë pllakë në këtë vend ku ka shërbyer ambulanta e fshatit, s’mund të mos kujtojmë gjithë ata që kontribuuan e sot nuk janë në jetë, siç ishte doktor Fetih Hetemi e shumë të tjerë”, tha Haliti. Një fjalë rasti mbajti edhe drejtori ekzekutiv i SH.H.B “Nëna Terezë” Zef Shala, i cili mes tjerash tha se që nga themelimi i shoqatës në vitin 1990, janë zhvilluar aktivitete të shumta humanitare, për të vazhduar që nga viti 1992 edhe me asistencën mjekësore me hapjen e ambulanteve në të gjithë Kosovën e që në Viti u hapën në Binqë, Pozheran, Remnik etj. Fjalë rasti mbajtën edhe Halit Alidemaj koordinator i Shoqatës Nëna Terezë, Besim Rexhepi kryetar i Këshillit të fshatit Remnik, Basri Sylejmani ish kryetar i degës së shoqatës “Nëna Terezë”. Në shenjë respekti për kontributin e dhënë, u ndanë edhe mirënjohje për dr. Fetih Hetemin post mortum, dr.Gani Demollin, dr.Milaim Kosumin dhe shumë aktivistë të tjerë. Shpalosjen e pllakës e bënë kryetari i komunës Sokol Haliti, Zef Shala, Halit Alidemaj, Ramadan Musliu, Arianit Hetemi në emër të familjes së dr.Feti Hetemit dhe Besim Rexhepi.

Kontrolloni gjithashtu

Të shtunën në Rahovec shënohet Dita e Bibliotekës Komunale “Sulejman Krasniqi”

Në kuadër të shënimit të ditës së Bibliotekës Komunale Sulejman Krasniqi dhe 87 vjetorit të …