Dita e djeshme, në Tiranë ka shënuar një grup halabakësh falangistë të pëdëistëve të rinj, në varrezat e “Dëshmorëve të Kombit”, të cilët egërsisht, rrahën, gjakosën, gjuajtën me gurë dhe dhunuan disa veteranë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Sebepi i gjetur prej tyre ishte se ndonjë nga veteranët mbante në duar portretin e Enver Hoxhës dhe kjo i paska ”ndezur” demokratikasit e rinj, me në krye një ish deputet, që të ndërsehen kundër ish luftëtarëve apo të afërmve të dëshmorëve që janë në atë pllakë përkujtimore.
Dy drejtues të njohur të PD-së, aktuali, Basha dhe i supozuari i një force politike të re të së djathtës, Patozi, e mbështetën aktin gjakosës; i dyti, edhe pse në dukje më i moderuar, iu dha hakun “druvarëve” politikë dhe i zgjodhi ata si shenjë civilizimi.
Në të vërtetë, me cilët e kanë: me figurën e Enver Hoxhës, si është predikuar, apo me vetë Luftën antifashiste nacionalçlirimtare, të cilën e kanë urryer aq shumë, që nga dita e parë e themelimit të kësaj force politike?
Lëndimi i veteranëve, sidomos në një vend që pak ose aspak ka lidhje me pëdëistët, më shumë se gjithçka tjetër, ishte një akt i pritur, dhe, nëqoftëse nuk ishte i përgatitur, për deri sa ishte mes goditësve edhe një ish deputet si Babasi, u përgatit furishëm për të goditur jo një figurë të dikurshme politike, si Enver Hoxha, por luftën që përfaqëson ai vend.
Demokratët kanë që në krye të herës që nuk e njohin luftën nacionalçlirimtare, e quajnë atë si luftë civile, si fillimin e diktaturës komuniste, si sundimin e jugut mbi veriun; ata nuk i njohin as dëshmorët e heronjtë e kësaj lufte, as ata që u vranë në përleshje me forcat pushtuese dhe pararendësit e falangës pëdëiste, e as ata që më pas arritën të nxjerrin vendin nga terri ku e kishin lënë gjyshërit e tyre, kaosi dhe jeta e nxirë, analfabetizmi dhe mjerimi.
Atëherë, kur nuk i njohin dhe i mallkojnë, kur njerëzit e tyre , të parët e tyre, dikur, krahas forcave pushtuese, i kanë vrarë këto djem e vajza të reja, ndaj të cilëve duan të përulen një grusht veteranësh, atëherë çfarë duan aty; përse tinzisht shkojnë të nëpërkëmbin vlerat antifashiste të një populli që bëri të vetmen zgjidhje të drejtë në periudhën e errët naziste?
Falanga e re pëdëiste nuk e ka me Enver Hoxhën. Në fakt, nuk e kanë pasur kurrë me të. Veset më të rënda të pushtetit të shkuar kanë përfunduar tek ata; pikërisht tek ata që u japin zemër falangistëve, edhe kur duken të moderuar; që pikëllohen se nuk mund të rivrasin edhe një herë; që lumturohen kur një pakicë veteranësh, të lënë në harresën e tyre duan të ndjehen se kanë qenë të devotshëm në bindjet e tyre.
Asnjëri prej tyre nuk e ka me Enver Hoxhën. Enver Hoxha nuk u prish punë atyre. Po t’i ndihmonte për të ardhur në pushtet do e kishin vendosur nëpër zyra, do i këndonin këngë. Me 3 mijë votat e komunistëve , kreu i tyre, Basha, arriti të bëhej kryetari më dembel i Bashkisë së Tiranës. Nëse do të kishin 10 mijë vota përsëri do i thërriste.
Atyre u duhet fashizmi për të luftuar edhe një herë antifashistët. Ata mendojnë se të jesh antikomunist do të thotë të jesh domosdo demokrat.
Ndoshta për to, si kurrë ndonjëherë, do të duhej të bëhej një varrezë e posaçme, në të cilën do të ishin, të paktën emrat, e gjithë atyre që u vranë në këtë kohë demodiktature, në të cilën, ata që nuk janë më , e kanë kaluar me disa herë të rënët në luftën e dikurshme.
Dhuna e shfaqur dhe gëzimi pas saj, sikur kishin përmbytur një botë, është dëshira për të rikthyer edhe një herë një kohë tjetër, që e mbështjellë me përgjakjen, do të mund të ndryshonte edhe historinë.
Nuk do të mund të ndryshohet.
Në varrezat e “Dëshmorëve të Kombit”, edhe sikur të duan të përmbysin historinë, mbetin ata që ju gjenden vendit të tyre kur ishte koha e duhur për të bërë një histori fitimtarësh.
Mund të godasësh, dhunosh, përgjakësh dhe pastaj të mbrosh fillesën e një krimi, por e pamundur të bësh një histori ndryshe. Në fund të fundit, edhe një herë, ata dëshmojnë se çfarë do të ndodhte me antifashistët dhe njerëzit që mendonin ndryshe, nëse kjo furi falangistësh dhe mbështetësit e tyre, do të kishin qenë në pushtet. (Dita)