U gjet shëndosh e mirë dyvjeçari Tian Krasniqi. Falënderohen të gjithë ata që u angazhuan në gjetjen e tij

Sot para mesditës, pas një operacioni të gjerë të kërkimit, është gjetur shëndosh e mirë, Tian Krasniqi, dy vjeç, nga Tërpeza, i cili dje në orët e vona të pasdites ishte larguar nga shtëpia. Tiani është gjetur jo larg shtëpisë, në gjendje të mirë shëndetësore. Gjendja e mirë shëndetësore është konfirmuar pas kontrollit mjekësor të kryer në urgjencën e QKMF-së në Malishevë. Në kërkim për gjetjen e vogëlushit, dje mbrëma dhe sot nga orët e para të mëngjesit, ishin angazhuar banorët e fshatit Tërpezë, njësitë e kërkim shpëtimit të Ushtrisë së Kosovës, Policisë, njësia e zjarrfikësve dhe shpëtimit në Malishevë, ekipet emergjente komunale dhe vullnetarë të shumtë. Pas gjetjes së fëmijës, në emër të Komunës së Malishevës, nënkryetari i komunës, Hajdin Berisha, i ka falënderuar të gjithë ata që kanë qenë të angazhuar në kërkim dhe e kanë gjetur Tianin. “Në emër të Komunës së Malishevës, i falënderoj të gjitha njësitë e kërkim shpëtimit, vullnetarët e shumtë dhe banorët e Tërpezës, për angazhimin e pashoq të treguar në gjetjen fëmijës”, ka thënë nënkryetari Berisha, duke i falënderuar të gjithë për gjetjen e dyvjeçarit. Po ashtu edhe familja Krasniqi edhe fshati Tërpezë, përmes deklarimeve të ndryshme, i kanë falënderuar të gjithë për angazhimin e tyre në gjetjen e djalit.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …