U hap sot Ekspozita e Trashëgimisë Kulturore në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” dhe u ndanë mirenjohje për artistët pjesmarrës

Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” u zhvillua një ekspozitë e veçantë, e organizuar nga profesori Ilir Muharremi dhe studentët e Fakultetit të Edukimit dhe Artit. Kjo ngjarje kishte për qëllim promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare dhe ndërkulturore, duke përfshirë punime që trajtonin tema si traditat, etnografia, kostumet popullore, veglat muzikore tradicionale dhe figurat historike ilire.
Ekspozita përqendrohej në tematika që reflektojnë pasurinë dhe diversitetin kulturor të rajonit: traditat dhe zakonet, që pasqyronin mënyrën e jetesës dhe ritet tradicionale të trashëguara nga brezat e kaluar; etnografia dhe kostumet popullore, që tregonin detaje të punës artizanale dhe simbolikën e kostumeve nga rajone të ndryshme; veglat muzikore tradicionale, përfaqësime artistike të instrumenteve si çiftelia, lahuta dhe fyelli; dhe figurat historike ilire, që nderonin personalitetet historike dhe trashëgiminë e kulturës ilire.
Kjo ekspozitë u shqua për përfshirjen e një grupi të larmishëm artistësh të rinj dhe të talentuar, të cilët prezantuan punimet e tyre me përkushtim dhe pasion. Ndër emrat pjesëmarrës ishin: Ernesa Dervishaj, Diellza Vokshi, Engji Gjonbalaj, Aurela Idrizaj, Gentonis Kelmendi, Lena Januzi, Leon Gashi, Anesa Tocani, Erjona Gashi, Elmedina Bekolli, Laureta Maloku, Rrezarta Ahmeti, Elma Zeka, Alberta Berisha, Esma Fazliu, Edmonde Krasniqi, Dora Rraci, Rana Damka, Eylem Cafçe, Ada Keçi dhe Semea Gaş. Punimet e këtyre artistëve shfaqën një larmi interpretimesh dhe stilesh, duke kontribuar në pasurimin e ekspozitës me perspektiva të ndryshme kulturore dhe artistike.
Ekspozita ishte më shumë se një prezantim artistik – ajo shërbeu si një platformë për të ndërgjegjësuar të rinjtë dhe komunitetet mbi rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore. Përfshirja e nxënësve nga shkolla “Elena Gjika” të profesoreshës Aylin H. Birvenik artistëve nga komuniteti turk si Rana Damka, Eylem Cafçe, Ada Keçi dhe Semea Gaş tregoi përkushtimin për bashkëpunimin ndërkulturor dhe për krijimin e urave midis kulturave të ndryshme që bashkëjetojnë në Kosovë.

Ekspozita në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” jo vetëm që nderoi trashëgiminë kulturore dhe historinë, por gjithashtu i dha zë një brezi të ri artistësh dhe krijuesish. Ngjarja ishte një dëshmi e fuqisë së artit në ruajtjen e vlerave të përbashkëta dhe në ndërtimin e një të ardhmeje të bazuar në respektin për diversitetin dhe trashëgiminë.

Kontrolloni gjithashtu

Latifi: Një akt humanizmi dhe profesionalizmi meriton vlerësimin më të lartë!

Kryetari i Komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi ka mirëpritur në takim Drejtorin e Policisë …