U mbajt akademi përkujtimore me rastin shënimit të 78 vjetorit të rënies së luftëtarëve të “Besëlidhjes Shqiptare”

Në Malishevë, me rastin e përkujtimit të betejës së Grapit të Llapçevës dhe rënies së luftëtarëve të “Besëlidhjes Shqiptare”, të Partisë Nacional Demokratike Shqiptare (PNDSH), nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, u mbajt një Akademi Përkujtimore dhe më pas u bënë edhe homazhe e nderime pranë përmendores për këta luftëtarë.

Në fjalën e rastit, i pari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, tha se “populli ynë u nëpërkëmb në të gjitha etapat e historisë, por përpjekjet titanike bën që të ruajmë identitetin kombëtar dhe të mbijetojmë në të gjitha këto sfida”. Më pas, kryetari Kastrati foli për rëndësinë e kësaj beteje të zhvilluar në mars të vitit 1946 dhe përpjekjet kombëtare për liri dhe bashkim të trojeve shqiptare, dhe se kjo betejë i dëshmon më së miri këto përpjekje. “Të gjitha përpjekjet në të gjithë historinë tonë, u finalizuan me luftën e lavdishme të UÇK-së”, tha kryetari Kastrati, i cili shprehi mirënjohjen dhe respektin për të gjithë të rënët.

Më pas, një kumtesë për ngjarjen e paraqiti historiani Asllan Krasniqi, i cili në mënyrë kronologjike e përshkroi atë pjesë të historisë, të marsit të vitit 1946, e deri në vitin 1947, sa kishin zgjatur këto lëvizje, luftën e patriotëve dhe atdhetarëve shqiptar të asaj kohe, formimin e “Besëlidhjes Shqiptare” që ishte bërë në fshatin Llapçevë të Komunës së Malishevës, si dhe luftimet në fshatrat e komunave Malishevë, Klinë e Rahovec.

Në këtë akademi, me motivacionin për “Kontributin e dhënë për çlirim dhe bashkim të trojeve shqiptare”, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka ndarë mirënjohje për familjet e luftëtarëve të rënë në betejën e Grapit të Llapçevës, Mustafë Ibishi, Feriz Gashi, Malë Bashota, Xajë Pataçani, Jahë Kabashi dhe Halil Imer Shala.

Në fund, janë bërë homazhe dhe nderime te përmendorja e ngritur për të rënët e kësaj beteje, në fshatin Dush ish Sferkë.

Kontrolloni gjithashtu

39 pemëtar ferizajas përfitues të spërkatsëve profesionale

Mbështetja për bujqit dhe fermerët ferizajas po vazhdon. Në kuadër të skemës mbështetëse për bujqit …