Cikli i dëgjimeve buxhetore në territorin e komunës së Rahovecit, vazhdoi me qumështarët, në objektin e grumbullimit të qumështit në Ratkoc, për t’i mbledhur kërkesat dhe nevojat mbi buxhetin e vitit 2025. Kryetari Komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi, paraqiti informacionet kyçe lidhur me planifikimin dhe menaxhimin e buxhetit të komunës, si dhe drejtori i financave, z.Afrim Limani shpalosi në mënyrë më të detajuar buxhetin e Komunës së Rahovecit për vitin 2025. Buxheti i Komunës së Rahovecit për vitin 2025 do të jetë në vlerë: 20.982.000€.
Kërkesat që u parashtruan ishin:
– Fermerët e komunave tjera a mund të përfitojnë nga subvencionimi i komunës së Rahovecit;
– Në cilën formë bëhet subvencionimi;
– Cilat janë kriteret dhe forma e aplikimit për subvencionim.
Në vazhdën e debatit pati edhe biseda interaktive të përgjithshme rreth kërkesave të ndryshme; Grupi punues do t’i shqyrtojë pyetjet dhe kërkesat dhe në raportin final do t’i gjeni me arsyetime të sakta, i cili do të publikohet në ueb-faqen zyrtare të Komunës së Rahovecit.