Kuvendi komunal i Vitisë dhe Drejtoria për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, kanë vazhduar me ciklin e diskutimeve publike për planifikimin e buxhetit komunal për vitet 2022-2024 me qytetarët e komunës së Vitisë. Me këtë rast u mbajt diskutimi publik në fshatin Sadovinë e Jerlive. Me këtë rast Drejtori për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, Ibrahim Rama, ka bërë prezantimin e buxhetit të paraparë për vitin në vijim sipas kategorive ekonomike. Kurse banorët e Sadovinës së Jerlive patën këto kërkesa: Funksionalizimi i disa pjesëve të kanalizimit në disa lagje, veshja e shtratit të lumit me gurë, rregullimi i fushës sportive në oborrin e shkollës fillore, ndërtimi i një ure të “Guquftë”, funksionalizimi i ujësjellësit dhe zgjatja e gypit kryesor edhe për 2 kilometra. Ndonëse ishte paraparë që të mbahet edhe një takim i tillë me banorët e fshatit Sllatinë e Epërme, kjo mbledhje nuk është mbajtur në mungesë të numrit të pjesëmarrësve. Përndryshe një diskutim i tillë publik do të mbahet edhe me banorët e Pozheranit dhe atë me fillim në ora 19:00.