U mbajt edicioni i pestë jubilar i festivalit të këngës RINORE dhe për fëmijë “Ardhmëria” në Deçan

Ka përfunduar edicioni i pestë i festivalit mbarëkombëtar të këngës për fëmijë dhe të rinj “Ardhmëria” 2019. Festivali u hap me dy djem nga Malësia, të cilët sollën motive patriotike. Më pas sipas traditës Lorent Mataj si fitues i vitit të kaluar këndoi këngën “Gjysëm-maturant”. Drejtori i festivalit Shkodran Tolaj, si çdo vit edhe sivjet ka përzgjedhur himnin e festivalit “Ne qëndrojmë këtu” me motiv të thirrjes së të rinjve që të mos e lëshojnë vendin. Risia e këtij viti ishte në performancat “live” të moshës rinore të cilët interpretuan këngë shqiptare. Në këtë kategori fituese e çmimit të parë u shpall Anjeza Rrustemaj e cila interpretoi këngën “Faleminderit babë”. Më çmime të dyta u radhitën Flutra Lokaj dhe Engji Mustafaj dhe në çmimet e treta Rinis Malaj, Brenlisa, Saranda Nitaj dhe Nikol Azizaj. Ndër këngët e reja, krijime të kompozitorëve më në zë u shpërblyen në dy kategori junior dhe të rritur. Çmimet në junior u takuan Grejd Mehmetaj-çmimi i parë, Shpresim Shala- çmimi i dyte bashkë me Demush Sejdiun dhe çmimi i tretë i takoi Aldion dhe Ardian Avdimetaj. Çmimet ndër tē rritur u takuan: i tretë Valjona Mulliqit, i dyti Alba Zendelit dhe Marigona Xhambazit dhe çmimi i parë Rozana Ademit. Pra çmimet kryesore u takuan fëmijëve dhe krijuesve jashtë Deçanit ndërkaq publiku u përcaktua për Denisa Tofaj me këngën “Junikut Legjendar dhe Blendi Mustafajt “ nga Deçani “Rruga e xhaxhit dëshmorë” kushtuar dëshmorit Burim Mustafaji rënë në luftën e fundit në Kosovë. Juria profesionale sivjet përbëhej nga personalitete të shquara të kulturës shqiptare: Sabaudin Zhuta, profesor universitar, Shkëlzen Baftiari-pianist ndër më të mirët shqiptar dhe Shqipe Halili-redaktore për emisionet e fëmijëve në RTK. Derisa juria vendosi çmimet e festivalit, këngëtarët përshëndetës krijuan emocione të jashtëzakonshme. Ndër ta u paraqitën Arian Gogaj, Elisa Berisha, Yllka, Ylberina dhe Melisa Berisha, Vivian Mehmetaj dhe Elton Tolaj bashkë me Erion Kameraj. Skenografia, zërimi, ndriçimi, përgatitja e videoprezantimeve për çdo këngë i dhanë këtij festivali imazhin e spektaklit madhështor dhe të jashtëzakonshëm që nuk e shohim në viset shqiptare. Përkundër vështirësive materiale drejtori i festivalit profesor Shkodran Tolaj, arriti që ti falë qytetit një jubile të jashtëzakonshëm që do e kishin zili qendrat e mëdha shqiptare. Prezantimin dhe drejtimin e korit e bëri profesoresha Besiana Mehmedi, kurse festivali u mbështet nga Komuna e Deçanit, Ministria e Kulturës, SWISS Hotel, RTK, shtëpia e modës “Menakom” Gjilan dhe salloni “Jeta” DEÇAN. Çmimet kryesore sivjet mbanin dhe Emra të personaliteteve të shquara: Çmimi Qani Mehmedi që u nda për herë të parë si personalitet që ka kontribuar në kulturën shqiptare dhe në ngritjen e këtij festivali. Këtë çmim e mori kënga “Falemnderit babë” që iu dedikua atij në interpretim të Anjeza Rrustemaj. Çmimi “Nexhmije Pagarusha” i takoi Albina Demhasajt dhe çmimi “Dervish Shaqa” i takoi Demush Sejdiut. Nata e 28 shtatorit shënoi model të një pune pesëvjeçare plot sfida, përkushtim dhe punë të palodhshme. Urime Deçan që arritët të ngritni një festival të nivelit të lartë profesional që është pasuri për qytetin.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …