Në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë sot u mbajt manifestimi në nderim të 26 vjetorit të “Epopesë së UÇK-së” dhe në kujtim të rënies së Komandantit legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit të rënë për liri.
Në këtë manifestim, u mbajt ceremonia e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së, ku morrën pjesë liderët shtetërorë si Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ministra e zëvendësministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës, zyrtarë të lartë të MM-së, gjeneralë dhe ushtarakë të lartë të FSK-së, si dhe autoritete tjera politike, diplomatike dhe ushtarake vendore e ndërkombëtare.
Në fillim të ceremonisë, Shefi i Stafit të FSK-së, gjeneral brigade Ilir Qeriqi i raportoi Presidentes Osmani për gatishmërinë e trupave të FSK-së për të shënuar “Epopenë e UÇK-së”.
Në vazhdim, Presidentja Osmani, e shoqëruar nga Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, parakaluan para kuadrateve të rreshtuara të FSK-së.
Pas intonimit të himnit shtetëror e kombëtar nga trupa muzikore e FSK-së personalitetet më të larta shtetërore dhe ushtarake, të shoqëruar nga përfaqësuesi i familjes Jashari, bënë homazhe dhe vendosën kurora lulesh tek obelisku i UÇK-së.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani duke folur për Epopenë e UÇK-së dhe sakrificën mbinjerëzore të familjes Jashari ndër të tjera theksoi: “Sa herë vjen 5, 6 e 7 marsi kujtesa jonë rikthehet në ditët e krenarisë dhe të lavdisë të para 26 vjetëve, kur në Prekazin heroik u zhvillua beteja heroike dhe e papërsëritshme në historinë e rezistencës së armatosur për liri”. (…..) “Epopeja e Prekazit dhe flijimi i tyre solli ndryshim të kursit të rezistencës për liri e pavarësi”. (……) Presidentja Osmani duke rikujtuar politikën armiqësore të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës në fjalën e saj më tej theksoi: “Po në këtë ditë të lavdishme ua ripërkujtojmë se Republika e Kosovës është realitet i pakthyeshëm është shtet i konsoliduar me sovranitet shtetëror dhe integritet territorial të qartë dhe të njohur ndërkombëtarisht, me kushtetutë dhe institucione të bazuara në vlerat dhe standardet më të larta dhe me vizion të qartë drejt integrimeve euroatlantike”. (…….) “Shërbimin ndaj atdheut e kemi obligim të gjithë prandaj duhet të punojmë të angazhohemi të gjithë për ta forcuar secilën hallkë dhe element të shtetit tonë”.
Ndërsa, Kryeministri Albin Kurti në fjalimin e tij duke rikujtuar rëndësinë e Epopesë së UÇK-së ndër të tjera theksoi: “Ne e njohim historinë tonë. Ne e vlerësojmë historinë tonë, sepse ajo është e dendur në emra dhe në vepra. Ne e nderojmë historinë tonë sepse e njohim në tërësinë e shoqërisë, ngado ku shkojmë nëpër botë me historinë tonë në zemër, brenda çdo pragu në familjet tona këtu e në mërgatën tonë kudo atje që ndodhet. Ne jemi shumë sepse bartim në mendje emrat e shquar. Secili është më shumë se vetvetja, e ajo që jemi më shumë se vetvetja, na bën të gjithëve bashkë. Kjo na jep besim e besë, jetë dhe shpresë. Shumë nga ju janë bij të dëshmorëve e të luftëtarëve, ose të qëndrestarëve nëpër burgjet jugosllave e serbe.” (…..) “Tani epoka po flet ndryshe. Së pari sepse ne jemi shtet i pavarur dhe kemi ushtrinë tonë. Ne jemi shteti i një populli gjithnjë liridashës dhe mbrojtës i kampit të drejtësisë, shteti i një shoqërie që synon zhvillimet perëndimore e demokratike të lirive. Ne jemi pjesë e një kombi që mbron me ushtrinë e vet idenë dhe praktikën e drejtësisë dhe të lirisë. E nuk ka në këtë jetë njerëzore lavd më të madh se qëndrimi nga ana e drejtësisë dhe lirisë.” (…..) “Ne i mbahemi një ideali të kulluar të Epopesë dhe të Jasharëve. E kush i mbahet një ideali të kulluar del gjithnjë fitues. Kjo është fryma e Epopesë së UÇK-së. E për këtë duhet të jemi të gjithë krenarë dhe të dijshëm. Të dijshëm, kjo është deviza: guximi është trimëri dhe dije. Edukimi i ushtarakut duhet të jetë i plotë, duhet të jetë guxim. Sepse ushtaraku mbron një popull të tërë. Ushtaraku është shprehja e mbrojtjes së ndërgjegjshme të vizionit të një populli të tërë, në të drejtën e tij të gjithkohshme. Aq më shumë kur populli i përket një shoqërie dhe shteti nga ana e kampit të drejtësisë e demokracisë.”
Në emër të Familjes Jashari foli Lulzim Jashari, djali i Komandantit Legjendar të UÇK-së Adem Jashari, i cili në fjalimin e tij ndër të tjera theksoi: “Armët tuaja, dhe këtë mos e harroni asnjëherë, janë vazhdimësi e armëve më të pastra në Ballkan dhe më gjerë. Armët e paraardhësve nuk u ndotën kurrë me gjakun e civilëve por shënjestruan vetëm uniformën e pushtuesve. Arma e shqiptarit, si arma më e pastër në Ballkan, shkrepi vetëm në emër të mbrojtjes së shtetit dhe kombit, pra vetëm në emër të lirisë, e përsëris vetëm në emër të lirisë. Këtë traditë madhështore duhet ta ruajmë dhe t’ua trashëgojmë brezave”. (…..) “Ka kaluar koha kur kushtrimit të Atdheut i jemi përgjigjur vetëm vullnetarisht. Mbrojtja e shtetit, e kombit, e lirisë dhe pavarësisë nuk është më detyrë e vullnetarëve, ajo është dhe duhet të jetë obligim dhe detyrim për të gjithë ne”.
Në përmbyllje të manifestimit, trupa muzikore e FSK-së ekzekutoi pika muzikore të përzgjedhura për këtë ceremoni.