leoni

U mbajt mbledhja e katërt e Kuvendit Komunal të Vitisë, me theks të veçantë në pasqyrat financiare janar–mars 2025

Kuvendi Komunal i Vitisë ka mbajtur sot mbledhjen e katërt të rregullt, ku fillimisht këshilltarët komunal parashtruan pyetje dhe kërkuan sqarime për çështje të ndryshme në interes të qytetarëve vitias. Këtyre pyetjeve iu përgjigj ekzekutivi komunal, kryesisht nënkryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu.

Gjatë kësaj mbledhjeje janë shqyrtuar dhe votuar disa dokumente me rëndësi për qytetarët, ndërsa diskutimi më i theksuar u bë rreth pasqyrave financiare të buxhetit komunal për periudhën janar–mars 2025. Në hapje të mbledhjes, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Bekim Azizi, njoftoi të pranishmit për vlerësimin e ligjshmërisë së akteve të nxjerra nga mbledhja e kaluar.

Sa i përket pasqyrave financiare për tremujorin e parë të këtij viti, u bë me dije se janë inkasuar gjithsej 211,217.39 € të hyra vetanake, që përbën 16.63% të planifikimit vjetor. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024, këto të hyra janë më të larta për 6,882.02 €.

Në anën tjetër, nga buxheti i alokuar prej 6,801,934.35 € (nga granti qeveritar, të hyrat vetanake dhe donacionet), janë realizuar shpenzime në vlerë prej 6,142,723.64 €, që përbën një shkallë ekzekutimi prej 90.31% për këtë periudhë.

Pikat tjera të rendit të ditës përfshinë:

Propozim-vendimin për planin ndërkomunal për menaxhimin e integruar të mbeturinave për komunat: Gjilan, Kamenicë, Viti, Novobërdë, Partesh, Kllokot, Ranillug, Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Hani i Elezit dhe Shtërpcë.

Propozim-vendimin për mbështetje financiare në shumën prej 3,500.00 € për sindikatën (SPAK) e të punësuarve në shërbimin civil të Komunës së Vitisë.

Propozim-vendimin për këmbimin e pronës së paluajtshme komunale me pronën e luajtshme që evidentohet në pronësi të Xhavit (Januz) Bajrami.

Gjithashtu, u dhanë edhe këto informata:

Informatë mbi kontratat e papërfunduara në tri vitet e fundit (2022–2024).

Informatë nga Drejtoria për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit lidhur me lejet ndërtimore për periudhën 2021–2025.

Jashtë rendit të ditës, u shqyrtua edhe Propozim-vendimi për dhënien në shfrytëzim të pronave të paluajtshme të Komunës për Kompaninë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike Sh.A (KEDS) në Viti, për qëllime të vendosjes së trafove elektrike.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Ramosaj me bashkëpuntorë takojnë banorët e regjionit të Vokshit

Kryetari i Komunës së Deçanit, z. Bashkim Ramosaj së bashku më nënkryetarin, z. Sami Cacaj …